HomeRadio Vaticana
foto testata
 
UDHA E PJETRIT
Bazilika romake e Shën Sabinës i shpreh mirë veçoritë e krishtera, bazuar në mësimet e Apostujve dhe në jetën e Kishës së të krishterëve të parë.

Ky mozaik i dy Kishave – e para, me frymëzim kryesisht pjetrin, ardhur nga Rrethprerja (shih Kol 4,10-11), pra nga judenjtë e tokës së Izraelit, dishepujt e parë që besuan në Jezusin (Ef 1,3-12) dhe, tjetra, kryesisht paoline, pra njëlloj judaike, por me origjinë nga Diaspora hebraike e judenjve të shpërndarë në mesin e jo besimtarëve të kombeve të ndryshme (Ef 1,13-14), të cilëve iu shtuan (prostitêmi: Vap 2,41.47; 5.14; 11,24) turma burrash e grash me prejardhje nga paganizmi – dëshmon se në Romë, në shekullin V, ishte rrënjosur vetëdija se Populli i vetëm i Zotit formohej vetëm nga shembja e murit ndarës ndërmjet Izraelit e njerëzve të tjerë, vepër e gjakut të Mesisë Jezus, i cili pajtoi kështu të dyja palët me Zotin, në një korp të vetëm, përmes Kryqit, duke u kumtuar Paqen të afërmve dhe të largtëve (shih Ef 2,11-22).

Kjo do të thotë se feja e krishterë, duke i mbajtur sytë ngulur tek Jezusi – zanafillë e përmbushje e fesë (Heb 12,2) – jo vetëm vazhdon ta lexojë Biblën hebraike (TaNa”CH e Izraelit) së bashku me Besëlidhjen e Re, por e sheh të dytën si vazhdimësi e së parës dhe të parën si burim uji kristalisht të pastër për të dytën.

Ço përpjekje, e hapur apo e fshehtë, për “ta zëvendësuar” Jeruzalemin me Romën, Izraelin me Kishën e krishterë, Besëlidhjen e Vjetër me të Renë, duke e errësuar ose eliminuar të parën, është përgjegjëse për rrymën heretike “marcionite”, që e ka helmuar me shekuj fenë e praktikën e të krishterëve, si katolikë, ashtu edhe protestantë e ortodoksë. Ndër të tjera, këto përpjekje nuk marrin parasysh se “Besëlidhja e re” lindi e u konsolidua në ndërgjegjen e Izraelit gjatë kohës së Besëlidhjes së Vjetër, që nga profecia e Jeremisë, gjatë mërgimit babilonez, në shekullin VI para Krishtit (shih Jer 31,31-34; Ez 11,14-21; 36,24-28; 37,15-28; Is 40-55, etj.). Kapërcimi i vendosur i këtij zëvendësimi u propozua në magjisterin e Papës Gjon Pali II. Kisha katedrale e Romës (Bazilika Lateranense), sigurisht, mund të paraqitet si “omnium Urbis et orbis ecclesiarum Caput”, por jo si “Mater”, siç lexohet akoma në targën me frymëzim “kostandinian” në fasadën e saj.

01/006

Radio Vatikani falenderon të gjithë bashkëpunëtorët e, në veçanti, Xhuliano Savinën për aspektin fotografik

All the contents on this site are copyrighted ©