HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-03-19 10:25:49
A+ A- Printo artikullin



Kisha kremton festën e Shën Jozefit



Më 19 mars kalendari kishtar kremton Shën Jozefin, pajtorin qiellor të Kishës universale. Sot, kalendari Kishtar kremtoi festën e Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari e Pajtorit të Kishës universale. Sipas traditës, në festën e atit të kujtuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. Ky kremtim ka rrënjë të thella biblike: Jozefi është patriarku i fundit, të cilit Zoti i flet përmes udhës së përvujtë të ëndrrave. Ashtu si Jozefi i Besëlidhjes së Vjetër, shën Jozefi është njeri i drejtë e besnik (Mt 1,19), që Zoti e ka zgjedhur si rojtar të shtëpisë së vet. Ai lidh Jezusin, mbretin mesianik, me pasardhësin e Davidit. Fati i Marisë dhe ati adoptuar i Jezusit, Jozefi e udhëheq Familjen Shenjte në ikje dhe në kthim nga Egjipti, duke përshkuar rrugën e Daljes.
Papa Piu IX e shpalli Pajtor qiellor të Kishës Universale; Papa Gjoni XXIII e radhiti emrin e shën Jozefit në Kanunin Romak (Meshari Romak).
Po kujtojmë se Papa Gjon Pali II i kushtoi figurës dhe misionit të shën Jozefit në jetën e Krishtit e të Kishës, nxitjen Apostolike “Redemptoris Custos” - “Rojtari i Shëlbuesit”, nënshkruar më 15 gusht 1989.
Po kush ishte Shën Jozefi:
“Njeri i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë misterioze hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas lindjes, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën në Jerusalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri misterioze për këtë fëmijë. Jozefi e dëgjoi e i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jerusalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit.
Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shenjti mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati –gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi.
Ç’vlerë ka figura e tij sot?
Koncili II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën thirrjes të të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Gjon Pali II, në Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të zakonshme për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi pikërisht kështu. E jetoi me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte caktuar Zoti.
Figura e Shenjtit është model për baballarët e sotëm.
Duhet të mësojnë nga Shën Jozefi sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen dashur e nuk duhen sunduar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet sa më mirë që të jetë e mundur.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama