HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-03-19 10:25:59
A+ A- Printo artikullin



Lutje drejtuar Shën Jozefit



Me rastin e solemnitetit të sotëm, po kujtojmë këtë lutje aktuale, kushtuar Shenjtit:
O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj gati kurrë lutjen time. Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në hije.
Por sot, ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty:
Shën Jozef, ti je në hije - a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse fare pranë Atij, që është Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme.
Ti nuk e kundërshton errësirën. Mësona ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas dore. Na mëso ta duam.
Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishte një vend të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar shumë më tepër për ty.
Ndoshta të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël, që të mund të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla.
Shën Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr atë që duhet të bëje.
Na ndihmo ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe kur jemi zgjuar.
Shën Jozef, ti i pranove sprovat që të çoi Zoti. Ti e more me vete të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush të shikoi shtrembër, ndonëse pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë arsye humbe miq e emër të mirë.
Na ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit, edhe kur na dhemb.
Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë, sepsè biri yt - që nuk ishte yt bir - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmërite. More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë drejt Egjiptit.
Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje, sepsè ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk mund ta kuptojë.
Gjithsesi dashuria jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë qenë tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt e virtyti më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të dashur!
Shën Jozef, na mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit; na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë që të përvëlon e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë dashuri.
Shën Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute për ta Jezusin, Birin e Zotit.
Na e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë, që ka aq shumë nevojë për dashuri!
Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti gati-gati ke qenë harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët Shtjefni e Lorenci, dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët Françesku i Asizit e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza, e erdhën më pas edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe.
Pas këtyre njerëzve, kush nuk e harron njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për të cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazaretit?
Mos u zemëro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet për të të nxjerrë nga hija në dritë dështojnë njëra pas tjetrës.
Edhe punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi, që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk të ndihmon aq shumë.
E kjo ndodh sepse ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija e nga terri.
Më mëso, na mëso, të mos kërkojmë duartrokitjet, dritat e skenës, publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë kemi dëshirë të bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata.
Shën Jozef, na mëso se të gjitha këto dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon, madje ai që e do hijen, gjen Jezusin e Atin!
Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë vendin tonë në hije e në errësirë!
Amen!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama