HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-04-18 17:32:01
A+ A- Printo artikullin



Pesha e madhe e jezuitit At Zef Valentini



Në një dokument të dekadave më parë, emri i At Zef Valentinit, do dilte në deponimet e disa diversantëve si njeriu që i përgatiste për diversion kundër komunistëve. Kaq do të mjaftonte që ai të anatemohej në socializëm, por edhe të gjendej një mundësi që të mbahej larg. Emri i tij kishte mallkimin e këtij fakti, por edhe të namit të keq të jezuitit. Vetëm se, këto ishin më të paktat. Ishte dhe një grup tjetër që ka qenë i etur për ta mbajtur po kaq larg këtë figurë të njohur. Ai përbëhet nga studiues shqiptarë, që edhe pas viteve '90, kur s'ka mbetur pa u nxjerrë nga pluhuri i harresës lloj-lloj emri, At Zef Valentini të dilte shumë pak. Për fat, do mjaftonte angazhimi mbinjerëzor i botuesit Kulla të "Plejad", që e ka botuar dhe premton ta sjellë gati në mënyrë shteruese të gjithë veprën e vet. Puna e teologut, albanologut, bizantologut dhe historianit, në këtë korpus, që ka dalë dhe po del nga kjo shtëpi botuese, është e vyer për atë kontribut të madh që dha At Zefi për fushën e albanologjisë shqiptare.
A ka ndonjë rëndësi në ditët tona? Pa asnjë mëdyshje. Edhe pse Instituti ynë i Historisë, nuk duket shumë familjar me të. Për medievalistët duhet të ketë peshë të jashtëzakonshme dhe kjo lidhet me atë që ky personazh i shquar, gjysmë shqiptar (ishte aq i lidhur me vendin saqë edhe emrin Giuseppe ia shndërruan me dëshirën e tij në shqiptar) i dha albanologjisë dhe interesat tejet të gjëra të kësaj figure vërtetë poliedrike. " Padova, qytet i pasur me monumente të shquara të çfarëdo epoke e personazhe të famshëm në të gjithë hapësirën e dijes, ndoshta nuk e di që i ka dhënë brezave të ardhshëm, në agim të këtij shekulli, një at jezuit me famë qartësisht mbarë-botërore: at Giuseppe Valentini… E që Padova të mos e harrojë e ta nderojë këtë bir të saj, Kolegji Universitar Antonianum i kërkoi Institutit të Glotologjisë në Universitetin e Padovas, nëpërmjet prof. Giovan Battista Pellegrini, drejtuesit të Seminarit të filologjisë Ballkanike, të bëhej promotori i një përmbledhje studimesh për nder të tij nga studiues të shquar italianë dhe të huaj. Botimi iu besua Shtëpisë së njohur Botuese për vepra të tilla shkencore, Leo Olschi në Firenze". Këto fjalë i takojnë At Carlo Messori Roncaglia-s, një profesori të njohur, i cili në hyrjen e botimit të shquar më 1986 në "Studime Albanologjike, balkanologjike, bizantine dhe orientale" kushtuar At Giuseppe Valentini jepte një mesazh të madh: "E gjitha kjo le të kontribuojë sa më shumë në mbajtjen gjallë të kujtimit dhe veprës së këtij studiuesi të shquar padovan, albanolog, historian dhe autor i një numri të madh librash dhe artikujsh me një frymëmarrje të gjerë shkencore". Në fakt, ajo i referohej peshës së Miscellaneas së tij, një grup veprash ku kanë bashkëpunuar shumë specialistë shqiptarë dhe të huaj, njësoj të angazhuar në disiplina të ndryshme për të dhënë profesionalisht veprën e tij.
Për fat, sot, korpusi i veprës së vet me një seri të tërë prej gati 20 vëllimesh është botuar nga Ndriçim Kulla dhe tashmë mund të studiohet lirisht, e më shumë akoma mund të jetë pjesë përbërëse e kulturës së madhe kombëtare.
Fati i madh i kulturës sonë do të quhet emërimi i mençëm i tij në postin e eprorit të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku drejtoi "Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare", pas insistimit të at Rosolin Petrotta dhe Ernest Koliqi, në vitin 1952, që do ndërhynin me të gjithë kapacitetin e tyre tek superiori i Urdhrit Jezuit, Atë Janssen-i.
Nga kjo katedër dolën në dritë disa prej veprave të tij, por nga ana tjetër, letrat shqipe patën një dimension më të madh në fushën e studimeve të huaja. Shumë vonë, Shqipëria, do të tregonte sensin e saj institucional, kur më 8 maj 2012 Presidenti i Republikës së Shqipërisë do ta nderonte atë me Urdhrin "Gjergj Kastriot Skënderbeu". Mbase, mund të shkruhet më shumë, por këto i takojnë albanologëve dhe personaliteteve të tjera, të cilët shpesh kanë heshtur për personalitete të tilla .
Ernest Koliqi, me rastin e 70 vjetorit të lindjes, më 1970 do të na e tregojë ashtu si është: "Ai âsht sot albanologu mâ i madh i gjallë. Por historia e Shqipnisë do ta kujtojnë mbi të gjitha si shkenctarin, që i dashunuem me objektin e studimeve të veta, Shqipninë, me nji përkushtim të hapun ndaj rreziqeve, e kërkoi dhe e gjeti atë ndër arkiva dhe biblioteka, në kujtesën e në jetën e popullit, në manifestet e lashtësisë së tij fisnike, të asaj fisnikíe që siç thotë Valentini, e bân të dênjë popullin shqiptar për me pasë nji vend me virtytet e tij të veçanta etnike në gjinín e kombeve europiane". Kaq mjaftoj për të. Për ne. Për nderin e kulturës kombëtare.
Ben Andoni në Gazeta Shqiptare 14/04/2013




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama