HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-04-19 14:52:35
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve “C”



Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Pashkëve. Liturgjia e Fjalës na paraqet Krishtin si Bariu i mirë. Kjo e diel në traditën e Kishës zakonisht quhet edhe e diela e Bariut të Mirë. Në të tria vitet Liturgjike, A,B,C, lexohet kapitulli X-të i Ungjillit të Gjonit në pjesë të ndryshme të tij. Në këtë kapitull Krishti flet për vete duke si Bariun i Mirë. Sigurisht nga viti në vit ngjyrimet janë të ndryshme por ajo që mbetet e pandryshueshme është lidhja e brendshme dhe jo vetëm funksionale ndërmjet grigjës e Bariut të Mirë.
Nga pjesa e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 10,27-30) ne mësojmë se Krishti nuk është rrogëtar, por Bari. Të njëjtën gjë duket sikur ai e pretendon nga Pjetri dhe të grithe barinjtë tjerë të cilëve ua besoi grigjën e tij, siç dëgjuam të dielën e shkuar në pjesën e Ungjillit, kur Jezusi i Gjallë ju shfaq dishepujve në Bregun e detit të Tiberiadit. Kështu në pjesën e Ungjillit të dielës së kaluar, për tri herë rresht Jezusi ia beson grigjën e tij Pjetrit, duke i dhënë atij këtë detyrë baritore së cilës ai nuk mund t'i ike më. Por Pjetri bashkë me dishepujt e tjerë është i thirrur që të kullos grigjën e tjetërkujt, jo të veten. Në këtë kuptim ata do të jenë vetëm administratore ( prijës) të grigjës së Krishtit, e jo si rrogëtarë por sipas shembullit të Bariut të Mirë që jep jetën për delet e veta. Krishti është modeli dhe frymëzimi për barinjtë e Kishës të të gjitha kohërave.
Thamë në fillim se ndërmjet Krishtit dhe grigjës ekziston nje lidhje e brendshme dhe jo vetëm vartësie e jashtme. Po cilat janë tiparet e kësaj lidhjeje që na shfaqen në pjesën ungjillore të kësaj së diele?
Në gojën e Jezusit, ungjilltari vendos fjalët: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh dhe ato me ndjekin”.
“Delet e mia e dëgjojnë zërin tim...”.E dëgjojnë sepse në radhë të parë janë bërë të afta të dëgjojnë zërin e krijuesit të tyre. Në fakt tani ai zë është i ri. Në kopshtin e Edenit ai zë që e thirri Adamin, pas mëkatit origjinal e bëri atë të fshihej, kurse tani në epokën e re të përuruar nga Krishti, mëkati nuk ka më vend kështu që krijuesi dhe krijesa shihen ballafaqas. Por dëgjimi është i lidhur ngushtë me dëgjesën, me bindjen. Për të dëgjuar është shume e nevojshme më parë të heshtësh, t'i krijosh hapësirë të brendshme këtij zëri qe te hyje dhe te zërë vend brenda shpirtit tone. Zëri i Bariut te Mire është i pranishëm dhe tingëllon fort ne Fjalën e tij e si rrjedhoje ne jetën dhe ne traditën e gjithë Kishës e te gjitha kohërave.
Ne mënyrë te veçante ky zë tingëllon ne lidhjen e brendshme te çdo njeriu me Zotin, nëpërmjet bashkëbisedimit me Hyjin, ne atë qe ne e quajmë lutje. Zëri i Bariut te Mire na flet sikurse i foli Moisiut, profetëve dhe ne nje mënyrë te padëgjuar me pare, vete Jezusit në jetën e tij tokësorë. Zëri i Bariut te Mire është zëri i Hyjit, sepse Ai dhe Ati ane një gjë e vetme.
Për të dëgjuar sa më mirë zërin e Hyjit është e nevojshme ta dallosh atë nga zëra te tjerë qe janë te pranishëm ne jetën tone te përditshme. Ne zhurmën qe na rrethon shpeshherë e ngatërrojmë zërin e tij me zërin e vetvetes apo me zërin e shume sirenave qe joshin jetën tone me qellim qe ta na largojnë nga Zoti, me premtimin e nje jete me te lehte dhe me te mire. Sa here zëri i vetvetes ngatërrohet me zërin e Zotit. Lypet vëmendje sepse nuk është e lehte ta dallosh gjithmonë. Sa here ndoshta edhe ne meshtarët dëgjojmë vetëm jehonën e zërit tone qe përplaset ne muret e egoizmit dhe te krenarisë? E sa e sa here zëra te tjerë simulojnë. sulmojnë apo mbysin zërin delikat te Bariut të Mirë i cili nuk imponohet, por na ofrohet e propozohet.
E vërteta është se zëri i tij nuk mund te ngatërrohet me asgjë tjetër, me asnjë zë tjetër ne këtë bote, pasi zëri i tij na flet “...me autoritet...” për dashurinë, jetën, dhurimin e vetvetes, drejtësinë dhe paqen. Eshte e nevojshme atëherë “...te dëgjojmë sot zërin e tij e te mos e ngurtësojmë zemrën tone...”.
“...unë i njoh e ato me ndjekin.” Bariu i Mire i njeh delet e veta, i njeh ne brendinë e tyre. Ai njihte mire Pjetrin dhe dishepujt e tjerë. Zoti e njeh mire njeriun sepse e ka krijuar dhe e ka bere te afte ta njohe edhe ai Zotin. Njohja qe Zoti ka për ne është nje njohje personale. Na njeh secilin për emër dhe nuk na ngatërron me njeri tjetrin. Ai e di kush jemi “...na njeh dhe na shqyrton. E di kur çohemi dhe kur ulemi”. Na ka njohur para se te ishim, para se te lindnim.
Zoti na njeh edhe ne skutat me te errëta te jetës sonë, sepse ai është arkitekti i këtij tempulli ne te cilin ka vendosur te banoje “Ju jeni tempull i Shpirtit te Shenjte” na thotë Shën Pali. Ai na njehe edhe ne ato përmasa që për të tjerët janë të padukshme, te panjohura e të pashqyrtueshme. Vetëm ai e di se çfarë ka brenda zemrës së nje njeriu. Por ai është delikat ne njohjen e tij. Nuk na dhunon ne lirine tone. Nuk eshte nje sy qe kontrollon gjithçka për te sunduar. Por është një Atë që na njeh e na do pa masë. Duke na njohur Ai na thërret më e në emër, sikurse thirri dishepujt e tij. Na beson misionin që Ai ka menduar për ne në amshim dhe që ai e di mirë se ne mund ta kryejmë, por gjithashtu ai duke na njohur mire, di te fale brishtësinë tonë e të na çojë aq here sa biem, për shkak të dobësisë sonë e në saje të dashurisë.
Askush nuk është anonim para syve te tij, askush i panjohur, askush pa identitet. Madje Ai na njeh nga brenda jetës sonë. Shën Tereza e Aviles e krahason njeriun e shpirtin e tij me një kështjellë me shumë dhoma. Në qendër të Kështjellës është vet Princi, Mbreti. Ja çfarë dinjiteti të madh i ka dhënë Zoti njeriut.
Vetëm duke dëgjuar zërin e tij dhe duke e ditur se ai na njeh mirë, është e mundur qe ne të shkojmë pas tij sikurse Pjetri ne pjesën e Ungjillit të se dielës se kaluar.
Të dashur vëllezër e motra! Edhe një tjetër përsiatje për ketë të diele të 4-të të kohës se Pashkëve. Eshte nje e diele ne te cilën ne mënyrë te veçante jemi te thirrur qe te lutemi per thirrjet. T'i kërkojmë me këmbëngulje Hyjit që të na dërgojë Barinj e barinj të mirë, sipas zemrës së tij. Së pari, detyra e bashkësisë së krishterë është të lutet për ata që tashmë janë vendosur si barinj në Kishe, ipeshkvijtë dhe meshtarët. Mbështetja nëpërmjet lutjes është mbështetja më e mirë që mund t'u jepet meshtarëve dhe ipeshkvijve në misionin e tyre të vështirë dhe shumë të lartë, në shërbim të Zotit dhe të popullit të Tij, Kishës. Sidomos kjo bëhet e nevojshme te populli jonë, në të cilin ende ka vështirësi për ushtrimin e detyrës së ipeshkvit dhe të meshtarit.
Larmia e madhe që ekziston në popullin tonë duhet të na shtyje t'i kërkojmë Zotit hirin e impenjimit te përbashkët për shpalljen e Ungjillit si qëllimi jetësor e parësor i Kishës dhe i ekzistimit te çdo meshtari e ipeshkvi se bashku me te gjithë besimtaret. Te kemi për zemër gjithmonë edhe shenjtërinë e meshtarëve dhe te ipeshkvijve që aktualisht punojnë ndër shqiptarë.
Gjithashtu të dashur miq, t'i kërkojmë me këmbëngulje Hyjit thirrje të reja në meshtari. Nëse do të lutemi për te rinjtë tanë dhe do t'u japim atyre më shumë besim dhe ti kuptojmë me thellë ata atëherë do të jetë e mundur që të kemi thirrje. Ne kemi shembuj meshtarësh të mrekullueshëm që kanë larë petkat e tyre me gjakun e qengjit, që kanë qenë dëshmitarë të Krishtit me jetën dhe vuajtjet e tyre. Është e pamundur që gjaku i tyre të jetë derdhur kot.
Thirrjet duhet të jenë një fryt i pashmangshëm i gjakut të martirëve shqiptarë në periudhën e kaluar. Nëse do të dinë të jenë meshtarët dhe ipeshkvijtë shembull për të rinjtë, e të gjithë besimtarët do t'i shoqërojnë me lutjet e tyre, sigurisht do kemi thirrje të reja, punëtorë të ri e meshtarë të ri në vreshtin e Zotit.
Të dashur vëllezër e motra, t'ia besojmë jetën tonë Bariut të Mirë. Askush nuk mund të na shkëpusë nga duart e tij, sepse askush nuk mund të na ndajë nga dashuria e tij. Amen.
Këtu mund ta dëgjoni programin e plotë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit me koment...............RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 13, 14.43-52
Pali dhe Barnaba konstatojnë që ungjillëzimi është i lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që Pali u drejtohet hebrenjve, përplaset me refuzimin e tyre; por ky është një fakt pozitiv, sepse shtyn apostullin për t’ua shpallur Ungjillin paganëve. Çdo mision duhet të kalojë përmes provës, në fakt duhet shumë guxim për të qenë të krishterë. Kur fillohet të jetohet seriozisht Ungjilli, shfaqet hija e kryqit.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pali e Barnaba u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit.
Të shtunën mbas ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit.
Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, mbasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria: ‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët, që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës’.”
Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndinin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë. Por hebrenjtë ngucën disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre. Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon. Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit.

Psalmi 100

Ne jemi populli i tij
dhe delet e kullotës së tij
--- --- ---
Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
--- --- ---
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
--- --- ---
Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
--- --- ---

Leximi i dytë Zb 7, 9.14-17

Gjoni na paraqet parajsën si një festë shumë të madhe popullore, në të cilën lavdërohet Hyji dhe takohen të gjithë vëllezërit. Pjesëmarrësit janë veshur me të bardha, ngjyra e gëzimit, e pafajshmërisë, dhe kanë në duar palma, simbolin e fitores.
Është një ftesë e madhe për shpresë për të krishterët e persekutuar të së shkuarës. Edhe për ne është një qëllim për të arritur në atë festë, edhe pse jetojmë dramën e ndarjes, të moskomunikimit dhe të boshllëkut të egzistencës.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë.
Dhe engjëlli më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.” Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ë Ungjilli Gjn 10, 27-30
Jezusi deklaron se vetëm kush ka zemrën e hapur ndaj besimit mund të pranojë fjalët e tij. Judenjtë presin që Jezusi të jetë Mesia sipas mentalitetit të tyre të paracaktuar. Janë ata që deklarojnë karakteristikat e sakta që duhet të ketë Mesia. Për të hyrë në besim është e nevojshme të jemi të gatshëm për të realizuar planin të Hyjit, e jo të jetojmë sipas botëkuptimit njerëzor.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. Unë dhe Ati jemi një.” Fjala e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama