HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-04-19 17:02:19
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”!



Rubrika re radiofonike “Te gurra e besimit”: Hyrje (emisioni I). Kjo rubrikë e re e RV mbështetet tek vepra e Papës së nderit, Benedikti XVI, titulluar “Mësim feje”1. Në kohën kur njeriu ka prirjen ta harrojë Zotin, Viti i fesë është si “qyteti mbi mal”, ku Papa Benedikti na fton të ngjitemi. Kjo lartësi të ndihmon të largohesh me mendje e me zemër nga kufijtë e kësaj bote të vogël, kapur fort pas së sotmes. Lartohesh e rreh flatrat lirisht drejt horizonteve të pafundme të realiteteve të ardhshme, gurrë drite e shprese për të sotmen e njeriut. Nis, kështu, ose rinis, shtegtimi në kërkim të Zotit, me dëshirën e zjarrtë për ta takuar a për ta ritakuar, për të lidhur me të miqësi personale, që hyn thellësisht në hapësirën e në dëshminë e jetës. Të shuash etjen në gurrën e besimit është ftesë, nxitje, impenjim.
Kështu zemra gjen paqen e edhe Zoti, nuk është më i shqetë, sepse duke u takuar me njeriun, që po e kërkonte, mund t’ia shuajë etjen për ujin e gjallë.
E megjithatë, shpesh herë vala e rrëmbyer e iluminizmit të rilindur ose e laicizmit, në botën e sotme, që vijon të shekullarizohet e të sundohet gjithnjë më shumë nga relativizmi, të pengon të arrish te ‘gurra e besimit’ e ta kapërcesh pragun e fesë. Njerëzit, na kujton Benedikti XVI, po ndërtojnë një botë, që vihet plotësisht në shërbim të nevojave të tyre, kryesisht të konsumit. E sot nuk është e lehtë ta gjesh Hyjin brenda kësaj Evrope, që duket sikur e ka humbur kujtesën e trashëgimisë së vet të krishterë, shumëshekullore. Përparon, kështu, një antropologji pa Hyjin e pa Krishtin, me të gjitha pasojat negative, që pasojnë e që i kundërvihen vetë qytetërimit perëndimor, ngritur pikërisht mbi bazën e vlerave të humanizmit të krishterë. Bëhet gjithnjë më i pranueshëm modeli i jetës, i mendimit e i moralit, në të cilin ka pak e aspak vend për transhendencën, sepse gjithçka i nënshtrohet kontrollit, gjykimit e praktikimit të arsyes e të lirisë individuale absolute, që e përjashton Zotin nga jeta.
Këto tema do të prekim, duke shfletuar librin e Papës Benedikti, në këtë rubrikë, ftesë për të mos u larguar kurrë nga gurra e besimit. E, të jesh pranë kësaj gurre, do të thotë të takohesh personalisht me Atin e Jezu Krishtit: takim që nuk mund të realizohet plotësisht në vetmi e izolim, larg gjirit të Kishës. Përmasa personale e fesë dhe ajo e bashkësisë, janë të pandashme. Sa më shumë bindemi për këtë, aq më mirë e shuajmë etjen tonë për Zotin në gurrën e besimit, ku ndjehet fort prania e Shpirtit Shenjt. Prandaj e titulluam rubrikën tonë kushtuar Vitit të fesë, “Te gurra e besimit”. për t’i ndihmuar sadopak bashkatdhetarët, në kërkim të kësaj gurre.

1 Benedetto XVI, “Imparare a credere”; Libreria Editrice Vaticana, 2012




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama