HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-04-24 16:44:18
A+ A- Printo artikullin



Viti i Fesë: u paraqitën takimet e të krezmuarve dhe të Vëllazërive me Papën



Dy ngjarje, që do të zgjasin katër ditë: janë takimet e ardhshme në kuadrin e Vitit të Fesë, që u paraqitën sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela. Është fjala për Ditën e të Krezmuarve dhe të atyre që do të krezmohen, si edhe për Ditën e Vëllazërive dhe të Fesë popullore: e para, kremtohet më 27 e 28 prill dhe, e dyta, nga 3 më 5 maj.
Janë të gjitha veprimtari të miratuara nga Benedikti XVI e të konfirmuara nga Papa Françesku. Për Ditën e të Krezmuarve, të dielën e ardhshme, në meshën me Atin e Shenjtë, janë regjistruar tashmë 70 mijë vetë, por parashikohen shumë më tepër. Papa Françesku do t’u japë Sakramentin e Krezmimit 44 besimtarëve nga kontinente të ndryshme, të cilët mund të bëhen 46, nëse do të arrijnë të vijnë dy vetë nga Haiti. Shumica e tyre janë të rinj, por ka edhe një person nga Kapoverde, 55 vjeç. Pastaj, një i ri i gjymtuar e një person nga një zonë e dëmtuar prej tërmetit, dëshmojnë universalitetin e Kishës:
“Do të kemi të rinj, që vijnë nga zona, ku të krishterët jetojnë në gjendje të vështirë, ku popullsitë janë akoma nën kudhrën e luftës, ose të fatkeqësive natyrore. Gjithsesi, janë të rinj, që dëshmojnë fytyrën e Kishës, aty ku njeriu jeton e vuan”.
Ngjarja e dytë, siç shpjegoi imzot Fizikela, do të zhvillohet më 3 e 5 maj dhe i kushtohet Vëllazërive të krishtera:
“Do të japin dëshminë e traditave të tyre të ndryshme lokale, fryt i një feje, që është shprehur në shekuj me nisma e vepra arti, të cilat i kanë rezistuar kohës, deri në ditët tona”.
Në program, 55 mijë vetë, që do të shpërndahen në mëse 20 kisha të Romës. Të dielën, më 5 maj, do të marrin pjesë, me veshjet e tyre tradicionale, në meshën e kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, e do të marrin me vete edhe disa vepra arti, që do të ekspozohen gjatë kremtimit.
Imzot Fizikela kujtoi dy pika të rëndësishme, që kanë të bëjnë me Vitin e Fesë:
“Një ditë para secilës prej ngjarjeve, pjesëmarrësve u propozohet një procesion i shkurtër simbolik që fillon nga obelisku i Sheshit të Shën Pjetrit, për të kaluar pranë Varrit të Apostullit, ku thuhet ‘Besojma’ – Professio Fidei. Gjatë rrugës, do të shtjellohet një katekizëm i shkurtër për të kujtuar domethënien e vendeve ku kalon procesioni dhe vlerën historike e fetare të tyre”.
Kishat e ndryshme janë gati të përballojnë shtimin e fluksit të rrëfimeve dhe impenjimin për katekizmin. Përsa u përket rrëfimeve, të dëgjojmë sërish imzot Fizikelën:
“Një nga synimet, që e propozuam dhe e mbështetëm jashtëzakonisht, ishte pikërisht Rrëfimi, në mënyrë që në çdo dioqezë, të krijohej një vend i caktuar e i njohur nga të gjithë, ku njerëzit të mund të rrëfehen gjatë 24 orëve të ditës”.
Gjithçka, rekomandon imzot Fizikela, në frymën e shtegtimit, duke kujtuar se Viti i Fesë do të ketë edhe veprimtari të tjera, si për shembull, adhurimi eukaristik i 2 qershorit, njëkohësisht, në çdo dioqezë të botës, për organizimin e të cilit, po punon Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama