HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-05 16:33:39
A+ A- Printo artikullin



Karakteri ungjillor, kishtar, misionar: tri fjalë, që Papa Françesku ua besoi Bashkëvëllazërive sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit.



Një mori ombrellash me të gjitha ngjyrat e, pastaj, emblema, flamuj e kryqe që mbushnin Sheshin e Shën Pjetrit, duke u shtrirë në të gjithë gjatësinë e Rrugës së Pajtimit: kjo ishte shfaqja plot larmi, që dhanë mijëra sivëllezër e simotra, anëtarë të bashkëvëllazërive të ndryshme, mbledhur sot paradite për Meshën, kremtuar nga Papa Françesku. Tri, porositë që u dha Papa: t’i shërbejnë Ungjillit, Kishës, Misionit!

Ishin nisur nga të katër anët e Italisë, të Francës, Spanjës, Maltës, Polonisë, për t’u mbledhur rreth Papës Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit. Qielli i Romës ishte ngjyrë hiri e nuk vonoi edhe shiu, tepër i ftohtë, për t’u quajtur shi maji. Por klima e Sheshit ishte tipike pranverore, plot me gëzimin, që buron kur e ndjen veten në zemër të Kishës e rreth Papës.
“Përfaqësohen këtu, tha imzot Rino Fizikella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, në sa përshëndeste Papën, dhjetë shekuj histori, të cilën pak e njohin, sepse shkruhet me gjeste të vogla, të përditshme që, megjithatë, mbeten të skalitura ndër zemrat e njerëzve. Bashkëvëllazëritë sollën me vete frytin e vërtetë të fesë: dashurinë e krishterë për njerëzit më të varfër, më të braktisur, më të vuajtur, më të mënjanuar nga radhët e shoqërisë. Sot, përfundoi imzot Fizikela, bashkëvëllazëritë i lypin Zotit hirin t’ua hapë zemrat që, të pasur me traditat e mëparshme, të zbulojnë hapësira të reja, në të cilat feja vepron përmes bamirësisë”.

“Të dashur vëllezër e motra, jeni vërtet guximtarë, që erdhët me gjithë këtë shi! Zoti ju dhënë shumë bekime!”.
Kështu i përshëndeti Papa Françesku bashkëvëllazëritë, që u paraqitën sot me gjithë pasurinë e larmive të tyre, duke theksuar menjëherë qendrën, nga e cila duhet të nisen të gjithë, për të ecur në udhën e fesë së krishterë: “Ta duash Zotin e të jesh dishepull i Krishtit, duke e jetuar Ungjillin”. Më pas Ati i Shenjtë citoi Benediktin XVI i cili, duke iu drejtuar bashkëvëllazërive, pati përdorur për herë të parë fjalën “ungjillësi”. Më pas nënvizoi:
“Përshpirtëria popullore, shprehje e rëndësishme e së cilës jeni, është thesar i Kishës. Ipeshkvijtë latino-amerikanë e kanë quajtur, në mënyrë kuptimplote, përshpirtëri, mistikë, hapësirë e takimit me Jezusin”.
Ecni me vendosmëri drejt shenjtërisë, vijoi Papa Françesku, mos u kënaqni me jetë kristiane të rëndomtë!
Një element tjetër është themelor për të qenë i krishterë i vërtetë:
Përshpirtëria popullore është udhë, që të çon tek themelorja, në se jetohet në Kishë, në bashkim të plotë me Barinjtë tuaj. Të dashur vëllezër e motra, Kisha ju do fort! Jini prani aktive në bashkësi, si qeliza të gjalla e si gurë të gjallë. Ipeshkvijtë latino-amerikanë kanë shkruar se përshpirtëria popullore, shprehje e së cilës jeni, është një mënyrë e ligjshme për ta jetuar fenë, për ta ndjerë veten pjesë e Kishës. Duajeni Kishën! Lejojeni t’ju prijë!”.
Cilësia e tretë, që duhet t’i karakterizojë bashkëvëllazëritë, është karakteri misionar:
“Ju keni mision të veçantë e të rëndësishëm: ta mbani gjallë lidhjen e fesë me kulturat e popujve, të cilëve u përkisni, përmes përshpirtërisë popullore”.
Kur, për shembull, tha Papa, ju e mbartni me procesion Kryqin, e bëni këtë jo thjesht për t’u dukur, por për t’u treguar të gjithëve zemrën e misterit të Pashkëve të Zotit, për t’u kujtuar se duhet ndjekur Krishti në udhën konkrete të jetës. Bashkëvëllazëritë e shprehin fenë në forma, që përfshijnë ndjenjat, dashurinë vëllazërore të kulturave të ndryshme, duke ua transmetuar posaçërisht atyre, që Jezusi i quan “të vegjël”:
Nismat tuaja janë ‘ura’, udhë për ta çuar Krishtin në botë, për të ecur me Të. E në këtë frymë, duhet të jeni gjithnjë të vëmendshëm ndaj dashurisë së krishterë. Jini misionarë të dashurisë e të dhembshurisë së Zotit! Jini misionarë të Mëshirës së Hyjit, që na fal gjithnjë, na pret gjithnjë. E na do shumë!”.
Në përfundim, edhe një porosi e Papës Françesku:Karakter ungjillor, kishtar, misionar! Ungjillor, kishtar, misionar! Tri fjalë! Mos i harroni!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama