HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-05 16:33:26
A+ A- Printo artikullin



Me Papën Françesku, gjunjëzuar para figureve të Zojës, në maj.



Të shtunën e kaluar Papa Françesku u lut para figurës së Zojës ‘Shpëtimi i Popujve Romakë’, që ruhet në tempullin më të lashtë të Marisë në Perëndim, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, Zojës së Dëborës.Është hera e dytë, që e shikojmë Papën Françesku të gjunjëzuar këtu. Herën e parë, pak orë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, erdhi për t’i kërkuar Nënës së Zotit bekimin mbi misionin e ri, për të cilin e thirri Krishti.
Rruzares i paraprinë Misteret e Gazmendit, nga të cilat Papa mori shkas për t’i kujtuar edhe një herë turmës pa fund të besimtarëve se Maria është Nënë, që u jep shëndet e jetë bijve të vet. Nënë, që na ndihmon të rritemi, ta përballojmë jetën, të jemi të lirë. E të rritesh do të thotë t’i rrish larg përtacisë, që buron nga mirëqenia, nga jeta e rehatshme, pa trazira, pa djersë; do të thotë t’i marrësh mbi vete përgjegjësitë, që të ngarkon jeta, të priresh nga idealet e mëdha:
“Zoja bën pikërisht këtë me ne, na ndihmon të rritemi si njerëz e si besimtarë, të jemi të fortë, të mos i nënshtrohemi tundimit të cektësisë, por të jetojmë me përgjegjësi, duke synuar lart, gjithnjë më lart”.
Si Nënë, Maria na mëson të mos u shmangemi problemeve e sfidave, të mos e shikojmë jetën si autostradë, pa asnjë pengesë. Virgjëra kaloi çaste shumë dramatike, prej këndej, i kupton bijtë e vet e i ndihmon t’i shikojnë problemet me realizëm, të mos e humbasin guximin, të jenë të aftë t’i kapërcejnë pengesat:
“Nuk ka jetë pa sfida e djali a vajza, që nuk di t’i përballojë, duke e vënë gjithë vetveten në lojën e jetës, është pa shtyllë kurrizore”.
Nuk mund të mbahet në këmbë, kush është i paaftë të përballojë sfidat e jetës. Do të rrëzohet një ditë. E nuk mund të jetë i lirë, ai që nuk lufton për ta mbrojtur lirinë e vet ditë për ditë. Prej këndej, Maria, gruaja që diti t’i përgjigjet lirisht ‘po’ thirrjes së Hyjit, përballë një ardhmërie të paqartë, parë me sy njerëzor, i ndihmon bijtë e vet të jenë të lirë:
“Por, ç’do të thotë liri? Sigurisht nuk do të thotë të bësh gjithçka dëshiron! Ta lëshosh veten në valën e pasioneve, të kalosh nga një provë në tjetrën, pa e vrarë fare mendjen, të ndjekësh modat e kohës; liri nuk do të thotë, në se mund të shprehemi kështu, ta flakësh gjithçka, që nuk të pëlqen, nga dritarja. Liria na u dhurua, që të dimë të zgjedhim rrugët e mira në jetë”.
Prej këndej, thirrja e Papës Françesku për të mos pasur frikë nga vendimet, që e përcaktojnë një herë e mirë rrugën e jetës, në një kohë që të josh me emocione kalimtare, gjithnjë të reja, të cilat duket sikur të lartojnë, nësa të rrokullisin në zbraztësi:
“Jemi viktima të një prirjeje, që të shtyn të provosh vetëm emocione të përkohshme, si të kishim dëshirë për të mbetur gjithë jetën adoleshentë! Kemi frikë nga impenjimet përfundimtare, që e pushtojnë gjithë jetën. Por vetëm kështu jeta jonë mund të ngarkohet me fryte”.Maria, vijon të na kujtojë Papa Françesku, na mëson ta duam jetën, ta kërkojmë të mirën, ta ushqejmë gëzimin e ta mbajmë gjallë shpresën, shenja e mjete që flasin për jetë të vërtetë, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale! Këtë nënvizoi fort Papa, duke i frymëzuar besimtarët jo vetëm kur u foli nga elteri, para Ikonës së lashtë të Zojës, që di t’i mbrojë të gjithë popujt, por edhe nga tremja e Bazilikës, në sa përgatitej të rikthehej në Vatikan. E Sheshi madhështor i Zojës së Dëborës, me shtyllën e lartë, nga maja e së cilës Maria shikonte Papën e turmën, u tund nga brohorija:
“Rroftë Shpëtimtarja e Popujve Romakë, rroftë Zoja jonë, Nëna jonë, që na mbron në çdo hap! Rroftë Zoja! Unë lutem për ju por edhe ju lutuni për mua, sepse kam nevojë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama