HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-06 12:00:35
A+ A- Printo artikullin



Papa: Shpirti Shenjt, shok udhe e mik. Pa Të, nuk mund ta njohim Jezusin



Shpirti Shenjt është mik e shok udhe e na tregon ku është Jezusi: kështu tha Papa Françesku sot paradite, në homelinë e meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Shpirti Shenjt, nënvizoi Papa, është Zot, që na dëshmon për Jezu Krishtin, na mbron, na qëndron pranë e na përkrah në jetën tonë:
“Jeta e krishterë nuk mund të kuptohet pa praninë e Shpirtit Shenjt: nuk do të ishte e krishterë. Do të ishte një jetë fetare, pagane, e mëshirshme, që beson në Zotin, por pa gjallërinë, që do Jezusi për dishepujt e vet. E gjallërinë, na e jep Shpirti Shenjt, i pranishëm”.
Shpirti i Shenjtë – Parakliti, siç e quante Jezusi – dëshmon për Krishtin, në mënyrë që ne të jemi më pas në gjendje t’ua japim këtë dëshmi të tjerëve:
“Në leximin e parë ka diçka të bukur: gruaja, që dëgjonte Palin e që quhej Lidia. Thuhet për të se Zoti ia hapi zemrën në mënyrë që të pranonte fjalët e Shën Palit. Pikërisht, këtë bën Shpirti Shenjt: na e hap zemrën, që ta njohim Jezusin. Pa Të nuk mund ta njohim Jezusin. Ai na përgatit për takimin me Krishtin. Na bën të ecim udhës së Jezusit. Shpirti Shenjt vepron brenda nesh gjatë gjithë ditës, gjatë gjithë jetës, si dëshmitar, që na tregon ku është Jezusi”.
Papa Françesku i këshilloi të pranishmit të luten, pasi kjo është rruga e vetme për të fituar, në çdo çast, falë Shpirtit Shenjt, hirin e frytit të Pashkëve. Në fund të ditës, të krishterët rrëmojnë thellë në ndërgjegje, shohin ç’kanë bërë gjatë ditës e vërejnë edhe si ka punuar Zoti me zemrën e tyre. I bën mirë shpirtit, theksoi Papa:
“T’i lutemi Zotit të na mësojë me praninë e këtij shoku udhe, të Shpirtit Shenjt, të këtij dëshmitari të Jezusit, që na tregon ku është Jezusi, ku ta gjejmë Jezusin, çfarë na thotë Jezusi. Hirin për të pasur një farë familjariteti: është mik, apo jo! Jezusi e pati thënë: “Jo, nuk të lë vetëm, të lë Shpirtin Shenjt”. Jezusi na e lë si mik. Ta bëjmë zakon ta pyesim veten, para se të përfundojë dita: ‘Ç’ka bërë sot Shpirti Shenjt me mua? Ç’dëshmi më ka dhënë? Si më ka folur? Çfarë më ka këshilluar?’ Sepse është prani hyjnore, që na ndihmon të ecim përpara në jetën tonë të krishterë. Le ta kërkojmë këtë hir, sot. E siç e themi në lutje, ashtu do të bëhet: në çdo çast do të jetë i pranishëm fryti i Pashkëve. Ashtu qoftë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama