HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-08 17:02:32
A+ A- Printo artikullin



Festa e Zojës së Bekuar në Pompei të Italisë



8 maji shënon një datë të palëvizshme për devocionin ndaj Zojës së Bekuar që nderohet në Pompei me emrin Zoja Rruzare. Themeluesi i Shenjtërores së Pompeit, deshi që në këtë ditë e pikërisht në ora dymbëdhjetë t’i lartohej Zojës së Bekuar një uratë e veçantë, Lutja pra, për të kërkuar përmes lutjes së zjarrtë hiret Hyjnore.
Kulti për nder të Zojës Rruzare është shumë i lashtë, ka zanafillën në epokën e themelimit të rregulltarëve Domenikanë, në shekullin XIII, të cilët qenë përhapësit më të mëdhenj.
Në solemnitetin e sotëm, në shenjtëroren e Virgjërës Mari të Pompeit në Itali, gjatë një kremtimi është thënë lutja tradicionale drejtuar Zojës së Bekuar me një pjesëmarrje të madhe të besimtarëve. Po kështu edhe në Kisha të mbarë botës, në mes ditë është lutur Nëna Qiellore, Zoja Rruzare.
Kjo ngjarje Lidhet me një traditë të lashtë, që nis në vitin e largët 1571. Pikërisht më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit nga Korinthi, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet u mbytën të gjitha ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".
Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.
***
Ndërsa Lutja e Pompeit nisi të përhapej, para së gjithash, nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri italian, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Zoja i tha se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976, pranë rrenojave të Pompeit të lashtë, i cili qe mbuluar me hi e llavë nga shpërthimi i vullkanit Vezuv.
***
Këto rrënoja duket sikur flasin, sikur qortojnë, sikur thonë: fati i njeriut është i pasigurt; siguria mund të gjendet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzarja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës.
Nën masën vigane të vullkanit të Vezuvit - i cili dymijë vjet më parë shkatërroi tre qytete, duke fiksuar dramatikisht në kohë hollësitë e kësaj historie, të cilat na i kthen si një dokument të jashtëzakonshëm historik nën qiellin e hapur, në Shenjtëroren e Pompeit, jehoi përsëri lutja drejtuar Zojës Rruzare, krijuar më 1883 nga i Lumi Barto Longo me rastin e bekimit të kambanës së parë të Bazilikës.
Tradita e përvitshme u përsërit sot në tremen e Shenjtërores, para fasadës kushtuar ‘Paqes universale’, me një kremtim të veçantë. Për t’i bashkuar të gjithë ata që e ndjejnë veten thellësisht të lidhur me Nënën e Zotit, lutja, titulluar “Shprehje e dashurisë për Marinë” , thuhet njëkohësisht në të pesë Kontinentet, pikërisht në mesditë. I Lumi Barto Longo, themelues i Pompeit të Ri, e pati quajtur “Ora e botës”.
Mijëra besimtarë u dyndën sot kudo në botë drejt shenjtëroreve të Zojës Rruzare ose shenjtëroreve të tjera mariane, ku pikërisht në mesditë një kor vigan besimtarësh, që përshkoi Planetin, lartoi drejt qiellit njëzëri, të njëjtën lutje!
Ndërsa në sfondin e Pompeit të lashtë, Rruzarja mori përsëri vlerë simbolike; foli për një hov të ri të kumtimit të krishterë në kohët tona. E ky kumtim, i konkretizuar posaçërisht në ftesën për vëllazëri universale e, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, tingëlloi si lutje për paqe.
Misteret e dritës, shtuar formës klasike të uratës së Rruzares nga Gjon Pali II, që shoqëruan sot lutjen mariane, jehuan në të pesë kontinentet, ndërsa në altarët e Kishave të Evropës, Azisë, Afrikës, Amerikës e Oqeanisë ndritën si yjet qirinjtë e ndezur tek këmbët e Zojës Rruzare, sikur të donin të projektonin dritën e Krishtit mbi konfliktet, tensionet e dramat e të pesë kontinenteve. Nënvizuan kështu intuitën profetike të Bartolomeo Longos, që e lidhi fasadën e tempullit marian pikërisht me paqen universale, duke i ftuar të gjithë të jenë veprimtarë të paqes në gjurmët e të Lumit, që diti të bashkojë lutjen me veprimin, duke e bërë Pompein marian, "Kështjellë bamirësie". Është një intuitë që tingëllon aktuale në fillim të këtij mijëvjeçari, të fshikulluar nga erërat e luftës dhe të mbrujtur me gjakun e shumë vendeve të botës. Më 19 tetor 2008 Papa Benedikti XVI gjatë vizitës-shtegtim të tij në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompeit u bëri thirrje të krishterëve të jenë motori i ripërtëritjes fetare e sociale para rreziqeve e mos vlerave të shumta që dominojnë në shoqërinë e sotme bashkëkohore. Papa Jozef Ratcinger bëri thirrje ti themi jo kompromiseve, e ta mbrojmë familjen e rolin e saj themelor në shoqëri.
“Këtu, tek këmbët e Marisë, familjet le ta gjejnë e përforcojnë gëzimin e dashurisë që i mbanë të bashkuara”.
“Ky qytet, është pra një demonstrim historik se si Zoti e shndërron botën: duke mbushur përplot me dashuri zemrën e njeriun e duke e bërë një “motor” të ripërtëritjes fetare e sociale. Pompei është një shembull se si feja mund të veproj në qytetin e njeriut, duke nxitur apostuj të bamirësisë që vihen në shërbim të më të vegjëlve e më të varfërve, dhe veprojnë në mënyrë që edhe më të fundit të shoqërisë të respektohen në dinjitetin e tyre e të gjejnë mikpritje".




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama