HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-10 14:56:07
A+ A- Printo artikullin



Papa Patrikut kopto-ortodoks Tavadros II: dialogu na afron tek bashkimi i plotë



“Lutja, dialogu e dëshira për të forcuar lidhjet, në dashuri të anasjelltë, do të krijojnë kushtet për të bërë hapa të rinj drejt bashkimit të plotë”. Është bindja e Papës Françesku, shprehur sot paradite, duke pritur në audiencë, në Vatikan, Patrikun e Kishës kopto-ortodokse. Audiencë historike, kjo, 40 vjet pas takimit të Palit VI me Shenudën III, që sanksionoi udhën teologjike, në të cilën nisën të ecin krahpërkrah të dyja Kishat.RealAudioMP3

Mirëkuptimi e ballafaqimi teologjik e doktrinor janë bij të stinës paskonciliare, por rrënja shpirtërore, prej nga shpërthen sythi i afërsisë, është shumë më e lashtë, ka ngjyrën e gjakut të martirëve, që qenë dëshmitarë të parë të një trupi të vetëm të Kishës. Janë dy pikat, që Papa Françesku preku në takimin me Tavadrosin II, i cili njihet edhe me titullin ‘i 118-ti papë i Aleksandrisë dhe i Selisë së Shën Markut’, domethënë, i qytetit dhe i Ungjilltarit, me të cilët zë fill Kisha kopto-ortodokse. Kreut të saj, pritur sot në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa Françesku i shprehu menjëherë gëzimin, duke e quajtur takimin ‘çast i vërtetë hiri”:
“Vizita e sotme forcon lidhjet e miqësisë e të vëllazërisë, që bashkojnë prej kohe Selinë e Pjetrit me Selinë e Markut, trashëgimtare të një aradheje tejet të çmueshme martirësh, teologësh, murgjërish të shenjtë e besimtarësh dishepuj të Krishtit, që brezni pas breznie e dëshmuan Ungjillin, shpesh në situata tejet të vështira”.
Vij nga viset e Nilit, nga një Kishë me moshë 19 shekullore e nga një truall, atdhe i monakizmit, kujtoi Tavadros II, duke i drejtuar përshëndetjen e vet Papës. E me të, duke shprehur të njëjtin gëzim, që lexohej në fytyrën e Françeskut, duke e ftuar në vendin e tij e duke i bërë edhe propozimin:
“Uroj që kjo vizitë të jetë e para e një serie të gjatë takimesh dashurie e vëllazërie ndërmjet dy Kishave të mëdha. Prandaj propozoj që 10 maji i çdo viti të kremtohet si festë e dashurisë vëllazërore ndërmjet Kishës katolike e asaj kopto-ortodokse”.
Ideja e një feste të përbashkët është hap i ri në hullinë, që hapi 10 maji i vitit 1973, kur Pali VI dhe paraardhësi i Tavadros, Papa Shenuda III, nënshkruan “Deklaratën e përbashkët”, duke vendosur ‘gurin kilometrik’ të dialogut ekumenik dypalësh kopto-katolik.
“Jemi të gëzuar, që konfirmojmë kështu, atë që Pararendësit tanë të ndritur deklaruan solemnisht; të gëzuar, që ndjehemi të bashkuar në një Pagëzim të vetëm, shprehje e të cilit është lutja jonë e përbashkët, e cila na kujton ditën kur, duke bërë vullnetin e Zotit, do të mund të kungohemi në një Kelk të vetëm! Jam i bindur se, të prirë nga Shpirti Shenjt, lutja jonë e përgjëruar, dialogu ynë dhe dëshira për të ndërtuar ditë për ditë bashkim, në dashuri të anasjelltë, do të na ndihmojnë të bëjmë hapa të rinj drejt bashkimit të plotë”.
Natyrisht, vijoi Papa Françesku, jemi edhe të vetëdijshëm se udha që duhet bërë, është ende e gjatë. E, megjithatë, në udhën, tashmë të kryer, nuk mungojnë çaste të ndritshme bashkimi, si Takimi i vitit 2000, kur Papa Gjon Pali II, shtegtar i Jubileut të Madh, takohej me Shenudën III, në Kairo, garanci e re kjo, theksoi Papa Françesku, për rrugën e bashkimit. Po bashkimi, vijoi të pohojë, nuk lind nga një çast feste. Lind nga ekumenizmi i vuajtjes:
Ashtu si gjaku i martirëve ishte farë e fryt për Kishën, kështu edhe ndarja e përbashkët e vuajtjeve të përditshme mund të bëhet mjet i frytshëm bashkimi, gjë që ka vlerë edhe për marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e jo të krishterëve: nga vuajtja e përbashkët, mund të mungullojë, me ndihmë të Zotit, falja e pajtimi”.
Në përfundim të takimit, Papa Françesku e Tavadros II u luten së bashku në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Pallatin Apostolik. Thanë bashkë Atynën e Lutjen e paqes.Pasdite, në orën 17.00, Patriku kopt ishte për vizitë në Koloseum, ndërsa në orën 20.00, darka vëllazërore në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama