HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-10 13:44:09
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Etja për dashuri (Emisioni IV)



“Etja për dashuri” është argumenti kryesor i emisionit IV të rubrikës “Te gurrat e besimit”. Përvoja dëshmon se cilësitë personale dhe të mirat materiale nuk mjaftojnë për ta shuar etjen e shpirtit njerëzor. Siç shkruan Papa Benedikti në Enciklikën Spe salvi, politika, shkenca, teknika, ekonomia dhe çdo gurrë tjetër materiale, nuk mund t’ua ngjallë shpresën e madhe, atyre që e kërkojnë. Kjo shpresë nuk mund të jetë tjetër, veç Zoti. Ja pra, pse një nga pasojat kryesore të harresës së Zotit, është humbja e plotë e çdo besimi, e çdo shprese, që ndeshet kaq shpesh në shoqërinë tonë, pasuar nga vetmia, dhuna, pakënaqësia, pasiguria e dëshpërimi. E qartë dhe e fortë është thirrja, që gurron nga Fjala e Zotit: “Mallkuar qoftë njeriu, që shpreson në njeriun e mbështetet në të, e zemra e tij largohet prej Zotit. Do të jetë si marena në shkretëtirë, që nuk pret kurrnjë të mirë” (Jer 17,5-6).

Kriza e shpresës rëndon më shumë mbi breznitë e reja të cilat, në rrethana shoqëroro-kulturore pa asnjë siguri, pa vlera e pa pikëmbështetje të forta, duhet të kapërcejnë vështirësi në dukje të papërballueshme. Mendoj për ju, miqtë e mi të dashur, shkruan Benedikti XVI, duke iu drejtuar të rinjve, për shumë nga vërsnikët tuaj të plagosur rëndë nga jeta, të pakënaqur nga shoqëria e familja, të ndrydhur nën barrën e përvojave negative, që të lëndojnë e kanë pasoja mbi gjithë jetën. Disa, e për fat të keq nuk janë pak, detyrohen të ecin në rrugë të rrezikshme e të dhunshme, të hyjnë në shtigjet e drogës, të alkoolit e të formave të tjera, që e dëmtojnë rëndë jetën. E megjithatë, edhe në shpirtin e atyre, që ndjekin këshillat e ‘mësuesve të këqinj”, nuk shuhet etja për dashuri, që është lumturia e vërtetë. Po si mund t’ua kumtojmë shpresën këtyre të rinjve? Pyet Papa, e me të, edhe ne. Duke e ditur mirëfilli se vetëm në Zotin njeriu gjen realizimin e tij të vërtetë, Papa na kujton se impenjimi i parë për ne të gjithë, është ai i ungjillëzimit të ri, për t’i ndihmuar breznitë e reja ta rizbulojnë fytyrën e vërtetë të Zotit, që është dashuri e që ta shuan përgjithnjë çdo etje, në gurrat e besimit. Në emisionin e ardhshëm do të vihemi në kërkim të kuptimit të fundit, duke u përpjekur t’i japim përgjigje pyetjes së vështirë: “Ç’kuptim ka jeta e, sidomos, fundi i saj?”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama