HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-12 17:21:43
A+ A- Printo artikullin



Martirët e Otrantos vrarë nga turqit otomanë më 1480 u shpallen Shenjtërorë



Riti – i kanonizimit të parë të kryesuar nga Papa Francesku sot më 12 maj në Vatikan – qe caktuar nga Benedikti XVI në Konçistorin e 11 shkurtit të kaluar, gjatë të njëjtit Konçistor në të cilin pati njoftuar për dorëheqjen e tij Papnore. “Dioqeza jonë – shkruan mes tjerash kryeipeshkvi i Otrantos në një mesazh drejtuar Kishës dioqezane – jeton me gëzim një ndër çastet më të bukura të historisë së vet”.
“Në një epokë si kjo e jona që karakterizohet nga kriza të thella – nënvizon imzot Negro – kanonizimi i martirëve tanë është një thirrje e fortë për të jetuar deri në fund të fundit martirizimin e përditshëm, të përbërë nga besnikëria e përditshme ndaj Krishtit e Kishës së tij”. Mrekullia e njohur që ndodhi, e që hapi udhën e shenjtërimit të këtyre martirëve, është ajo e shërimit nga kanceri të motër Françeska Levote, murgeshë e Motrave të Varfra të Shën Kiares. “Hiri i mrekullisë për murgeshën e sëmurë – kujton kryeipeshkvi – i qe kërkuar Zotit përmes ndërmjetësimit të të Lumturve Martirë me fe të përvuajtë pikërisht nga bashkësia rregulltare e motrës Levote, në maj të vitit 1980, ndërsa në dioqezë po zhvillohej një shtegtim me reliket e Martirëve, në pesëqind vjetorin e ngjarjes së martirizimit, pak muaj pas Vizitës apostolike në Otranto të Papës Gjon Palit II, më 5 tetor 1980”.
Shenjtorët e ri Martirë laikë, Antonio Primaldo e shokët, jetuan në Otranto të Italisë në shekullin e XVI, kur qyteti qe rrethuar prej turqve otoman.
Është fjala për martirë të vrarë nga Turqit e Gedik Ahmet Pashës gjatë rrethimit të qytetit të Otrantos nga 28 korriku deri më 13 gushtin e vitit 1480, të cilët nuk pranuan t’i binin mohit Krishtit e për shkak të fesë tyre të gjallë e të patundur të krishterë, u vranë prej turqve.
Emrave e Antonio Primaldo dhe shokëve të tij laikë, viktima të martirizimit të 13 gushtit 1480 në Otranto të Pulies nga ana e turqve, për shkak të urrejtjes së fesë, na kujtojnë këtë ngjarje të largët, po që vijon të kujtohet e të vlerësohet nga Kisha katolike, sepse martirët e Otrantos derdhën gjakun pikërisht për arsye se nuk pranuan ta mohonin Zotin e tyre, Jezu Krishtin, pse refuzuan të kalonin në fenë islame. Atë ditë – tregojnë kronikat – qyteti i Otrantos u rrethua nga një flotë turke, e udhëhequr nga admirali i madh i perandorisë otomane, Gedik Ahmed Pasha. Garnizoni aragonas, që mbronte qytetin, nuk mundi t’i bëjë ballë sulmit turk e u detyrua të tërhiqej. Turqit mundën të hynin ndërmjet mureve, që mbroheshin vetëm nga qytetarët. Kapën me qindra e vijuan t’i masakronin tri ditë me radhë. Ra martir, ndërmjet tjerëve, edhe ipeshkvi Stefano Pendineli, duke larë me gjak Kishën Katedrale të tij të famshme për dyshemenë më të bukur mesjetare, stolisur me mozaikë.
Ahmed Pasha dha urdhër të mbyteshin të gjithë meshkujt mbi moshën 15 vjeç, që ishin kapur gjatë pushtimit. Ishin rreth 800 vetë në moshë 15 vjeç e më tej. Më 13 gusht 1480 atyre u propozuan të zgjidhnin ndërmjet mohimit të fesë në Krishtin dhe vdekjes. Në emër të të gjithëve u përgjigj qetësisht e vendosmërisht plak i deleve, Antonio Primaldo, që tha pa i dridhur qerpiku: “Deri tani kemi luftuar për të mbrojtur atdheun tonë, pasuritë tona e jetën tonë: tani na takon të luftojmë për të mbrojtur Jezu Krishtin e për të shpëtuar shpirtrat tonë”. Atëherë, në grupe prej 50 vetash, i çuan në kodrën, që asokohe quhej “e Minervës”, ndërsa më pas, “Kodra e martirëve”, ku Turqit ua prenë kokat. Trupat e tyre u lanë mbi dhe për një vit rresht, deri më 15 gusht 1481, kur të krishterët e çliruan qytetin e Otrantos nga forcat otomane. Atëherë reliket e martirëve, të kthyera dalë-nga–dalë në skelete para syve të tmerruar të qytetarëve, u mbartën e u varrosen me nderim të thellë. E tani nderohen si relike shenjtorësh. Në vitin 1539 me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Otrantos, Giovanni Francesco de Cesanis, për çështjen e formës së kultit, që besimtarët e qytetarët i bënin Martirëve të vrarë mbi Kodrën e Minevrës, paraqitur nga kryeipeshkvi Pietro Antonio de Capua (1536-1579), Vikari shpirtëror imzot Antonio De Beccariis, Ipeshkëv i Shkodrës, nga 17 qershori deri më 22 shtator përpiloi dëshmitë e dhjetë “Qytetarëve të nderuar...të vlerësuar nga të gjithë si dëshmitarë, si të ndershëm e të mirë, e shëndosh nga mendja”, pra përpiloi ‘Informatio’ (Të dhënat apo “Procesin e Parë Kanonik të Otrantos”) mbi historinë e kultin e Martirëve si dhe mbi shenjat e mrekullueshme që janë bërë prej tyre. Më pas procesi kanonik vijoi deri me dekretin e Papës Klementit XIV më 14 shtator 1771 kur i shpall të Lumtur. Më 14 dhjetor 1771 qe lëshuar një dekret që konfirmon kultin “ab immemorabili” për nderë të Martirëve. Më 1988 qe emëruar nga kryeipeshkvi i Otrantos komisioni historik e në vitet 1991-1993 qe kremtuar hetimi dioqezan, njohur si e vlefshme nga Kongregata e Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve me dekretin e 27 majit 1994. Më 6 korrik 2007 Benedikti XVI miratoi dekretin me të cilin njihte që Lumtë Martirë Antonio Primaldo e shokët qenë vra për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Krishtit.
Sot, më 12 maj 2013 Papa Françesku në Vatikan i shpalli shenjtorë. Festën e tyre liturgjike, kalendari kishtar e kujton më 14 gusht.

Këta Martirë Shenjtorë të Otrantos, të kujtojnë shumë martirë shqiptarë të vrarë po turqit osmanë për shkak të urrejtjes ndaj fesë së krishterë, martirë shqiptarë që presin të njihet historia e martirizimit të tyre, e guximit dhe dëshmisë së jashtëzakonshme që dhanë për Fe e Atdhe, për Krishtin e Vendin e tyre. Ndërsa sot, shumë shqiptarë janë të gatshëm ta rishikojnë e madje ta ndryshojnë historinë e popullit shqiptar, me kërkim e trysni të pushtuesit e të vrasësit, italianë e shumë të tjerë, i vlerësojnë martirët e ata që dhanë jetën duke mbrojtur identitetin kombëtar, përkatësinë fetare e përcaktimin e udhës së qytetërimit.

Gjatë lutjes së mesditës të ‘Mbretëreshës së Qiellit’ në sheshin e Vatikan, Papa Bergoglio duke iu drejtuar Italisë tha: “Martirët e Otrantos e ndihmofshin popullin e dashur italian për të shikuar me shpresë drejt së ardhmes, duke besuar në afërsinë e Zotit që nuk braktisë kurrë, as në çaste teje të vështira”.
Martirët italianë të periudhës turko-otomane propozohen si shembull e mbështetje në udhën drejt së ardhmes. Po Martirët shqiptarë, po të periudhës turko-otomane, pse as që përmenden, madje në emër të një të ardhme ‘vëllazëroret' me pushtuesin shekullor turko-otoman, shkelet mbi kujtesën e shenjtë të tyre. Lind pyetja: çfarë të ardhme mund të ndërtohet nga një Vend (Shtet), që mohon e shkel kujtesën e martirëve të vet, jeta e gjaku i cilëve janë themel i asaj lirie që gëzon sot?! Kush nuk respekton vëllezërit e vet të martirizuar për liri të Atdheut, sigurisht që nuk ka vështirësi e as brejtje të ndërgjegjes, të tradhtoj kujtimin e tyre dhe Atdheun, që ata e lagën me gjakun e tyre të pafajshëm dhe e bënë dhuratë të shenjtë e të shtrenjtë. Të rishikohet e rishkruhet historia e Atdheut, me kërkesë e diktat të pushtuesit shekullor, do të thotë të mohosh identitetin kombëtar, po edhe atë kulturor, pasi ai shpirtëror prej kohësh është braktisur. E ju, të nderuar e të dashur martirë shqiptarë, duhet të zgjidhni ndërmjet të qenurit të harruar, të shpotitur apo të reduktuar në vegël, sepse sa për t'u kuptuar nga vëllezërit tuaj, kjo kurrë nuk ka për t’u ndodhur, mjerisht!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama