HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-13 14:26:23
A+ A- Printo artikullin



Imzot Çeli: Kisha në rrjetet shoqërore për të ecur së bashku me to. Tweet të shumta për Papën Françesku



Dje u kremtua Dita e 47-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore me temë “Rrjetet shoqërore: porta të së vërtetës e të fesë, hapësira të reja të ungjillëzimit”. Në mesazhin për këtë ditë, Benedikti XVI shkruante se rrjetet shoqërore në internet “po kontribuojnë në krijimin e një forumi të ri publik, ku njerëzit shkëmbejnë idetë e ku mund të marrin jetë forma të reja bashkësish”. Pra, vlerësimi i Kishës Katolike për rrjete si Facebook e Twitter është pozitiv, por pjesëmarrja në to kërkon edhe përgjegjësi e përkushtim ndaj së vërtetës, siç nënvizon kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli:RealAudioMP3
Për Kishën, mendoj se përfaqësojnë një sfidë e një mundësi, pasi rrjetet shoqërore janë vërtet një ambient jete, në të cilin ne jemi të thirrur ta bëjmë të pranishëm mesazhin e Jezusit; dishepujt e Zotit janë të thirrur të japin dëshmi në rrjet, për vlerat në të cilat besojnë. Ata duhet ta jetojnë me vërtetësi e me përgjegjësi përfshirjen e tyre në to. Kjo është sfida. Ka mundësi kështu që edhe ata, që janë larguar, që i kanë humbur marrëdhëniet e thella me Zotin, mund të gjejnë një ofertë konkrete, një paraqitje serioze, plot respekt, mund të ndeshen me kriteret për jetën.
Në mesazhin e Benediktit XVI vihen në dukje disa aspekte e këshilla si largimi nga sensacionalizmi, nga gjithçka është etje për popullaritet…
Do të thosha se ky është qëndrimi i Kishës. Ne nuk bëjmë propagandë, kumtimi i Ungjillit të Krishtit nuk është ‘publicitet’. Është fjala për të ndarë me të tjerët udhën e jetës, kriteret e krishtera, që në thelb, janë sintezë e marrëdhënieve ndërmjet jetës personale e mesazhit të Jezusit. Është shumë e rëndësishme kjo: prania jonë nuk është kumtim ‘formal’ i Ungjillit - si për shembull me citime nga Ungjilli – nuk është kjo… Mendoj se pikërisht përmes rrjetit shoqëror, jemi të thirrur të tregojmë si takohet jeta e secilit me Jezusin dhe Ungjillin, pra, si shndërrohet jeta e secilit. Mesazhet e Papës Françesku për gjithë botën janë të këtij lloji; si ai para disa ditësh, kur thoshte se nuk ekziston trishtimi e malinkonia për të krishterin, sepse jeta e tij lidhet me Jezu Krishtin, apo kur thoshte se lotët e vuajtjes janë si xham zmadhues, që na ndihmojnë të zbulojmë praninë e Jezusit. Rrjeti shoqëror bëhet pra mundësi shkëmbimi, çast në të cilin, me vërtetësi dhe menjëherë, komunikojmë thelbin e jetës sonë.
Folët për tweet-et e Papës Françesku. I filloi Benedikti XVI e qenë sinjali se edhe Vatikani dëshiron të marrë pjesë në rrjetet shoqërore në internet. Cila është perspektiva?
Mendoj se duhet të vazhdojmë në këtë linjë. Tweet-et janë shtuar e Papa Françesku duket se ka dëshirë t’i vazhdojë. Tweet-i në vetvete përdor një gjuhë të re: është gjuha e përhapur sidomos ndër të rinj. Mesazhet e Papës ri-tweetohen pastaj nga ndjekësit e faqes së tij. Miliona njerëz e marrin këtë mesazh në celular e, megjithëse i shkurtër, ai është me përmbajtje të pasur, nxit dhe frymëzon udhën e jetës.
Pra, e ardhmja e Kishës, e mesazhit të Krishtit, është edhe përhapja në rrjet, apo jo?
Pikërisht ashtu. Nuk mund të mohohet se përsa i përket ungjillëzimit, udha kryesore është ajo e bashkësisë, por rrjeti shoqëror mund të jetë vend i privilegjuar, ku secili mund të gjejë diçka, që ka humbur, ose që e ka lënë diku udhës. Mendoj se është përgjegjësi e jona ta bëjmë këtë mesazh të shndrisë sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të bëhet pikë referimi për të gjithë ata njerëz, të cilët kërkojnë një jetë me kuptim.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama