HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-13 14:25:41
A+ A- Printo artikullin



Mbretëresha Qiellore: thirrje e Papës për mbrojtjen e jetës që nga zënia



Në përfundim të Meshës me ritin e shenjtërimit, Papa kryesoi lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore, duke u drejtuar përshëndetjet më të përzemërta Italisë, Meksikës e Kolumbisë, vende të shenjtorëve të rinj, e duke bërë thirrje posaçërisht për mbrojtjen e jetës, që nga zënia.
Turmë e pafundme edhe dje. Me të njëjtin entuziazëm e dashuri për Papën Françesku, që nga dita kur Ati i Shenjtë u duk për herë të parë para botës. E dje Papa u shkri me turmën prej 70 mijë vetësh, duke u takuar edhe me besimtarët, që nuk kishin mundur të hynin në Sheshin e Shën Pjetrit, por e kishin ndjekur Meshën nga gjithë gjatësia e Rrugës së Pajtimit. Xhipi çau mespërmes udhën e Papa kaloi duke puthur fëmijët, që prindërit i mbanin në krahë, duke përqafuar të sëmurët e duke i bekuar të gjithë. Gjatë lutjes mariane, urimi i parë i Atit të Shenjtë ishte për Italinë:
“Martirët e Otrantos e ndihmofshin popullin e dashur italian ta shikojë ardhmërinë plot shpresë, duke besuar në afërsinë e Zotit, që nuk të lëshon kurrë dore, edhe në çastet më të vështira”.
Më pas u lut që, me ndërmjetësinë e Nënës Laura Montoja, Zoti t’i japë një hov të ri misionar e ungjillëzues Kishës kolumbiane e që, të frymëzuar nga shembulli i kësaj Shenjtoreje, e cila hodhi kudo shkoi farën e harmonisë e të pajtimit, bijtë e dashur të Kolumbisë të vijojnë përpjekjet për paqen dhe zhvillimin e drejtë të atdheut të tyre.
Papa kujtoi edhe se të shtunën, në Romë, u shpall shenjt meshtari Luigji Novareze, themelues i Qendrës së vullnetarëve të vuajtjes dhe i Veprimtarëve të heshtur të Kryqit:
Falënderoj edhe unë Zotin për këtë prift shembullor, që diti të përtërijë veprimtarinë baritore me të sëmurët, duke i bërë subjekte aktive të Kishës”.
Papa Françesku përshëndeti edhe pjesëmarrësit në “Marshimin për jetën”, që u zhvillua dje në Romë, duke i ftuar ta mbajnë gjallë vëmendjen e të gjithëve mbi temën kaq të rëndësishme të respektit për jetën njerëzore, që nga çasti i zënies:
Lidhur me këtë, më pëlqen të kujtoj edhe mbledhjen e firmave, organizuar sot në shumë famulli italiane, në mbështetje të nismës evropiane ‘Një nga ne’, për të garantuar mbrojtjen juridike të embrionit të çdo njeriu, që nga çasti i parë i jetës. Një rast i veçantë për ata, që e kanë për zemër mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore, do të jetë “Dita e Evangelium Vitae”, që do të kremtohet në Vatikan, në kuadrin e Vitit të fesë, më 15 e 16 qershorin e ardhshëm”.
Së fundi, Papa u bëri të gjithëve urimin tashmë të zakonshëm, të së dielës:
“Ju uroj të gjithëve të diel të gëzuar e drekën e mirë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama