HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-13 14:26:08
A+ A- Printo artikullin



Shpallen Shenjtorë martirët e Otrantos dhe dy rregulltare latinoamerikane. Papa: të krishterët i përgjigjen së keqes me të mirë.



Martirët e Otrantos, rregulltaret Laura Montoia dhe Maria Gudalupe García Zavala, shpallur shenjtorë dje, në fillim të Meshës, kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, japin dëshmi të jashtëzakonshme të dashurisë e të jetës së krishterë. Janë shembuj të ndritur besnikërie ndaj Krishtit, tha Papa, e na nxisin ta kumtojmë me fjalë e me jetë, duke e dëshmuar dashurinë e Zotit me dashurinë tonë e me mirësinë tonë për të gjithë.
Fjala e Zotit na fton për besnikëri ndaj Krishtit, deri në martirizim. Një nga faqet e dëshmisë më të lartë ndaj Ungjillit, shpjegoi Papa Françesku, u shkrua në vitet 1480 nga 813 njerëz, që shpëtuan gjallë nga rrethimi e pushtimi i Otrantos prej otomanëve e pastaj i mbyllën ditët e jetës me koka të prera, sepse nuk pranuan ta mohojnë fenë e tyre. Po ku e gjetën gjithë këtë forcë, për të mbetur besnikë ndaj Krishtit, martirët e Otrantos?
Pikërisht tek feja, që të bën të depërtosh përtej kufijve të shikimit njerëzor, përtej kufijve të jetës tokësore; të bën të kundrosh ‘qiejtë e hapur’ , siç thoshte Shën Shtjefni, e Krishtin e gjallë, në të djathtën e Atit. Të dashur miq, ta ruajmë fenë që kemi marrë, ta përtërijmë besnikërinë tonë ndaj Zotit, edhe në mes të pengesave e moskuptimeve; Zoti nuk do të na e kursejë kurrë forcën e paqen e shpirtit”.
Duke pohuar se është vërtet e bukur t’ua çosh të gjithëve Krishtin e Ungjillin e tij, Papa kujtoi më pas veprimtarinë ungjillëzuese në Kolumbi, në gjysmën e parë të nëntëqindes, të Shën Laura Montojës, një herë si mësuese e pastaj si nënë shpirtërore e indianëve. Bijat e saj shpirtërore, tha në vijim Papa, sot e çojnë Ungjillin e Krishtit në viset më të humbura e janë një lloj pararoje e Kishës:
“Kjo Shenjtore, e para e lindur në trojet kolumbiane, na mëson të jemi bujarë me Zotin e të mos e jetojmë fenë me vetveten, si të ishte e mundur të jetohej feja në mënyrë të izoluar, por ta komunikojmë, ta çojmë gëzimin e Ungjillit me fjalë e me dëshmi jete në të gjitha mjediset, ku jetojmë. Na mëson ta shikojmë fytyrën e Jezusit të pasqyruar në fytyrën e tjetrit, ta mundim indiferencën e individualizmin, që e bren bashkësinë e krishterë e edhe zemrën tonë. E na mëson edhe t’i mirëpresim të gjithë, pa paragjykime, pa diskriminime, pa heshtje të kota, me dashuri të vërtetë, duke u dhuruar ç’ kemi më të mirë e, posaçërisht, duke ndarë me ta, çka kemi më të çmuar. E më të çmuara nuk janë veprat tona, as organizatat tona, jo, gjëja më e çmuar, që kemi, është Krishti, është Ungjilli i Tij”.
Në përfundim Papa Françesku i nxiti të gjithë të jenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit, virtyt pa të cilin edhe martirizimi e misioni e humbasin shijen e krishterë. Dëshmitare e kësaj forme tejet të lartë të dashurisë, nënvizoi më tej Papa Françesku, ishte Shën Maria Guadalupe García Zavala, lindur në Meksikë, në vitin 1878, që zgjodhi udhën e Kalvarit, në vend të jetës së rehatshme. Sa të këqija, pohoi Ati i Shenjtë, burojnë nga salltanetet, nga kamja. Borgjezimi i zemrës, shpjegoi Papa, e paralizon zemrën. Nënë Lupita e la jetën e kamur, për t’iu përgjigjur thirrjes së Jezusit, për t’u shërbyer të sëmurëve e të braktisurve:
“E kjo do të thotë të prekësh mishin e gjakun e Krishtit. Të varfërit, të braktisurit, të sëmurët, të dëbuarit janë Korpi i Krishtit. E nënë Lupita prekte korpin e Krishtit e na mësonte të mos turpërohemi, të mos kemi frikë as neveri kur prekim mishin e gjakun e Krishtit... Kjo shenjtore e re meksikane, na fton të duam, ashtu si na deshi vetë Jezusi, duke na kujtuar se nuk duhet të mbyllemi në vetvete, në problemet tona, në idetë tona, por të dalim e t’i takojmë njerëzit, që kanë nevojë për vëmendje, për mirëkuptim, për ndihmë, për t’u çuar afërsinë e dashurisë së Zotit, përmes sjelljeve delikate, të ngrohta, të dhembshura, sjellje që pasqyrojnë dashurinë e sinqertë, të vërtetë”.
Shenjtorët e shpallur dje, shtoi Papa Françesku, na nxisin edhe t’i bëjmë vetes pyetje për jetën tonë të krishterë:
“Unë jam besnik ndaj Krishtit, po si? Ta kemi në shpirt këtë pyetje, që ta mendojmë gjatë gjithë ditës: si e jetoj unë besnikërinë e Krishtit? A jam i zoti ta bëj të dukshme fenë time me respekt, por edhe me guxim? A jam i vëmendshëm ndaj të tjerëve, ndaj atij, që ka nevojë? A shikoj ndër të gjithë, vëllezërit e motrat, që duhet t’i dua?”.
T’i lutemi Zotit, me ndërmjetësinë e së Lumes Mari dhe të tre shenjtorëve të rinj, tha në përfundim Papa, të na a mbushë jetën me gëzimin e dashurisë së tij.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama