HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-15 16:13:06
A+ A- Printo artikullin



Dita e Lëvizjeve Kishtare: të shtunën e të dielën, mëse 120 mijë vetë në Shën Pjetër



E diela e ardhshme nuk është vetëm Dita e Rrëshajëve, por edhe ajo e Lëvizjeve Kishtare. Deri tani, mëse 120 mijë vetë janë regjistruar për të ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit të shtunën e të dielën, në takimin me Papa Françeskun. Sot, kjo nismë e Vitit të Fesë u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Lëvizjet kishtare u shtuan me nxitjen e Koncilit II të Vatikanit e të gjitha, me karizmën e tyre, punojnë për përhapjen e Ungjillit të Krishtit. Por të dëgjojmë imzot Fizikelën:
“Ndryshojnë emrat, metodologjitë dhe mjetet, që shprehin pasurinë e Shpirtit Shenjt dikuar në karizmat e çdo nismëtari, por objektivi dhe qëllimet mbeten të njëjta e të përbashkëta për të gjitha lëvizjet: të çohet gëzimi i Ungjillit tek çdo njeri”.
Shifrat, që karakterizojnë këto dy ditë janë të rëndësishme: mëse 120 mijë vetë nga 150 realitete të ndryshme kishtare në të gjithë botën. Katoliciteti i Kishës nuk njeh kufij, theksoi kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, i cili shpjegoi edhe moton e këtyre dy ditëve shkëmbimi përvojash:
’Unë besoj! Përforcoje fenë brenda nesh’. Përemrat vetorë e tregojnë vetë kuptimin. Secili prej nesh, është i thirrur ta shpallë personalisht përkatësinë e tij në Kishën e Krishtit. Është një vendim i lirë e personal, që sjell përforcimin e fesë së marrë në pagëzim”.
Me pjesëmarrjen e tyre në lëvizjet kishtare, shumë vetë, tha imzot Fizikela, jo vetëm kanë gjetur fenë e humbur rrugës, apo atë që, me kohë, është bërë indiferente dhe e pafrytshme, por edhe kanë ndryshuar krejtësisht jetën. Feja, nënvizoi ai, është akt i bashkësisë. Njeriu përforcohet në fe, vetëm në konfrontimin me të tjerët, brenda Kishës.
Në orën 7 të mëngjesit të së shtunës, së paku 50 mijë vetë, në grupe nga 50 besimtarë, do të shtegtojnë për tek Varri i Shën Pjetrit. Në orën 15, një çast reflektimi në shesh, ku në orën 18, pritet Papa Françesku. Para tij, do të tregojnë për përvojën e tyre jetësore, shkrimtari dhe kompozitori irlandez Xhon Uoters si edhe Paul Bhati, vëllai i Ministrit të Pakicave etnike e fetare të qeverisë pakistaneze, vrarë para dy vjetësh. Ndër të pranishmit, edhe disa persona me të meta fizike, për të cilët parashikohet përkthimi në gjuhën e shenjave për shurdhmemecët. Të dielën paradite, në orën 10.30, mesha e kremtuar nga Ati i Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit e lutja e Mbretëreshës Qiellore në festën e madhe të Rrëshajëve.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Fizikela u ndal në të ashtuquajturin “efekt i Papës Françesku”, që ka sjellë në Romë me mijëra njerëz, për ndjekjen e audiencave të përgjithshme e të lutjeve të së dielës me Atin e Shenjtë:
“Shprehja ‘efekti i Françeskut’ nuk më pëlqen edhe aq, por më duket se është e vërtetë që prania e Papës Françesku prek zemrat e mendjet e shumë e shumë njerëzve. Unë vetë kam folur me famullitarë e meshtarë, të cilët më konfirmojnë se shumë njerëz i janë afruar Sakramentit të Rrëfimit: ‘Vij – thonë – sepse jam prekur nga fjala e Papës dhe ndjej dëshirën për t’u rrëfyer’. Nëse ky është ‘efekti i Françeskut’, unë besoj se njerëzit duan të jenë aty, me Papën, t’ia dëgjojnë zërin, ta shohin, ta prekin, pasi ai është shumë i afërt. Jemi të kënaqur, sepse kjo sjell një reflektim për rëndësinë e fesë, për rëndësinë e të qenit të krishterë e pra, edhe për vlerën që Papa mund të ketë në këtë çast për jetën e Kishës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama