HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-15 14:39:00
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘C’



Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull: që nga ajo ditë, historia e njerëzimi ka një hov të ri, një shtytje të re, një jetë të re.
Kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot na i ka dhuruar: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor e që në Pagëzim na është dhuruar në zemrat tona, në mënyrë që të mund të ecim e të jetojmë sipas Shpirtit të Zotit e t’i mishërojmë vepra e tija në jetën e në marrëdhëniet tona të përditshme me tjerët.
Festa e Rrëshajëve, festa e ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt, më intim me ne, se sa ne jemi me veten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, sepse Ai është miku e shoku i përhershëm dhe i përjetshëm i udhës sonë në jetë.
Është Shpirti Shenjt Zot ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister Hyjnor. Është Shpirti Shenjt ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet e ekzistencës në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij
Me kremtimin e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e rëndomtë liturgjike gjatë vitit nën udhëheqjen e Shpirtin Shenjt Zot.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 2, 1-11

Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajët i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajëve është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruajnë shfaqjen e Hyjit mbi malin Sinaj. Por shpallin një liri më të vlefshme dhe që zgjat: lirinë e Shpirtit që ka ringjallur Jezu Krishtin.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.
Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit!

Psalmi 104

Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.
--- --- ---
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
--- --- ---
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
--- --- ---
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
--- --- ---

Leximi i dytë Rom 8, 8-17

Shën Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen dhe ringjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit, të pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe angazhimi.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit.

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.
Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

ALELUJA, aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja

Ungjilli Gjn 14, 15-16.23-26

Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin e Krishtit të krishterëve të të gjitha kohërave. Ai edhe sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ringjalljen e Zotit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.” Fjala e Zotit!
Këtu mund të dëgjoni programin kushtuar Fjalës së Zotit të solemnitetin të Rrëshajëve......... RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama