HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-15 16:11:07
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: për të mos qenë të krishterë përkohësisht, por gjithnjë, t’i lutemi çdo ditë Shpirtit Shenjt.



E vërteta nuk është pronë, është takim, në të cilin vetëm Shpirti Shenjt mund t’i prijë atij që lutet ‘çdo ditë’. E pohoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Takimi i së mërkurës përfundoi me njoftimin e vizitës që do të bëjë Ati i Shenjtë, shtatorin e ardhshëm, në Shenjtëroren e Zojës së Ajrit të Mirë të Kaliarit.

Bota e sotme është e sëmurë nga skepticizmi ndaj çdo gjëje të shenjtë; alergjike ndaj mendimit të fortë të së vërtetës, që vjen nga Zoti. Për t’i dhënë përgjigje një situate të tillë, Papa Françesku e shndërroi gjithë audiencën në një lloj terapie kundër dredhimit relativistik, theksuar disa herë, kujtoi, edhe nga Benedikti XVI, për të cilin është e vërtetë ajo, që miratohet nga shumica, por në fund të fundit s’ka asgjë përfundimtare. 100 mijë vetëve, që e ndiqnin në Shesh, Papa u kërkoi të bëjnë pikërisht të kundërtën, i nxiti të marrin publikisht zotimin për të besuar në të vërtetën, që solli Krishti, ta lusin gjithnjë të vetmin, që mund t’u prijë kah kjo e vërtetë e të jenë të palëkundshëm në fe, jo përkohësisht, kur t’u teket, por ditë për ditë:
“Nuk mund të jesh i krishterë kështu, i krishterë je në çdo çast! Plotësisht! E vërteta e Krishtit, që është Shpirti Shenjt, na mëson, na dhuron, na e pushton përgjithnjë tërë jetën tonë të përditshme. Ta lusim më shpesh, që të na prijë në rrugën tonë prej dishepujsh të Krishtit. Ta lusim ditë për ditë. Jua bëj këtë propozim; ta lusim përditë Shpirtin Shenjt, që kështu Shpirti i Zotit të na afrojë tek Jezu Krishti”.
Në fillim të katekizmit, Papa Françesku u frymëzua nga skena simbolike e Ungjillit, në të cilën Pilati i drejton Jezusit pyetjen: “Ç’është e vërteta?”. Kjo pyetje jehon në të gjitha epokat e historisë në zemrat e njerëzve, që hapen për dhantinë e fesë e të Pilatëve, që nuk mund, as nuk duan të hapen:
“Pilati nuk mund ta kuptojë se e Vërteta është para tij; nuk arrin dot ta shikojë në fytyrën e Jezusit të vërtetën, që është fytyra e Zotit. E pra Jezusi është pikërisht kjo: e Vërteta e cila, kur u plotësuan kohët, u mishërua, erdhi ndër ne, që ne ta njihnim. E vërteta nuk kapet, si të ishte send, e vërteta takohet. Nuk është pronë, është takim me një Vetje”.
Nëse ky takim me të Vërtetën bëhet përvojë jete, Kisha, ashtu si çdo i krishterë, provon veprimin e qartë të Shpirtit Shenjt. Shpirti Shenjt, shpjegoi më tej Papa, kujton e ngulit në zemrat e besimtarëve fjalët e thëna nga Jezusi, duke bërë që e Vërteta të shndërrohet, në shpirtin e secilit, në parim të vlerësimit të rrugëve, që zgjidhen e në prijëse, ndër veprimet e përditshme. Për më tepër, shtoi:
Ai na prin edhe brenda së Vërtetës, na ndihmon të hyjmë në një bashkim gjithnjë më të thellë me Jezusin, duke na dhënë inteligjencën e sendeve të Zotit. E këtë nuk mund ta arrijmë me forcat tona. Nëse Zoti nuk na e shndrit shpirtin, feja jonë e krishterë do të ishte artificiale. Veprimet tona lindin në thellësitë e shpirtit: prandaj është zemra ajo, që duhet të kthehet në rrugën e Zotit, e Shpirti Shenjt e shndërron, në se ia hapim zemrën tonë”.
Ai, që ndjek Shpirtin e Zotit, është shpirt i lirë, ashtu si dy pëllumbat, që iu dorëzuan në një kafaz nga disa besimtarë e që Papa i lëshoi menjëherë drejt qiellit. Në këtë Vit të fesë, përfundoi Ati i Shenjtë, ta pyesim veten ç’kemi bërë konkretisht për ta njohur më shumë Krishtin e cilat janë hapat përpara, që feja ta orientojë gjithë jetën tonë, duke nxënë në bankat e shkollës së Marisë, mësimin e gatishmërisë për t’i shërbyer Zotit me gjithë vetveten.
E Zojës Papa Françesku ia kushtoi edhe fjalët e fundit të audiencës së përgjithshme, duke u dhënë besimtarëve njoftimin për vizitën, që do të bëjë në Shenjtëroren e Zojës së Ajrit të Mirë të Kaliarit, në muajin shtator e duke shpjeguar edhe arsyet:
“Ndërmjet qytetit të Buénos-Ájres e Kaliarit ka një vëllazërim, që lidhet me një histori të lashtë. Pikërisht në çastin e themelimit të Buénos-Ájres, themeluesi deshi ta quante “Qyteti i së Shenjtnueshmes Trini”, por detarët, që e kishin sjellë aty, ishin sardë, e ata donin ta quanin “Qyteti Buonaria” domethënë, i ajrit të mirë. U grindën një copë herë e pastaj u morën vesh që të quhej “Qyteti i së Shenjtnueshmes Trini e Porti i Zojës së Ajrit të mirë”. Por meqë emri ishte tejet i gjatë, mbetën vetëm dy fjalët e fundit: Buon aria, Buénos-Ájres, në kujtim të ikonës së Zojës suaj me titullin Buonaria, Zoja e Ajrit të Mirë".
Duke përshëndetur polakët, Papa u ndal edhe një herë tek tema e rëndësishme e mbrojtjes së jetës, i nxitur nga prania e Shoqatës “Civitas Christiana”, organizatore e “Marshimit për jetën”. Kjo nismë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet t’u kujtojë të gjithëve domosdoshmërinë e mbrojtjes së jetës, nga zënia, në perëndimin e saj të natyrshëm.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama