HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-15 12:46:35
A+ A- Printo artikullin



Papa në meshën e mëngjesit: lutuni për ipeshkvijtë dhe meshtarët, që të jenë barinj e jo ujq



Lutuni për meshtarët e ipeshkvijtë, që të mos tundohen nga paratë e nga gjërat e kësaj bote, por të jenë gjithnjë në shërbim të Popullit të Zotit: kështu tha Papa Françesku, në meshën e mëngjesit të sotëm në Shtëpinë e Shën Martës. I pranishëm, një grup punonjësish të Radio Vatikanit.
Homelia e Atit të Shenjtë mori shkas nga Veprat e Apostujve, nga pjesa ku shën Pali i këshillon “të urtët” e Kishës së Efezit të vigjëlojnë mbi grigjën, të jenë barinj të kujdesshëm e të ruhen nga “ujqërit e egër”. Është një nga faqet më të bukura të Besëlidhjes së Re, nënvizoi Papa Bergolio, në të cilën dalin në pah marrëdhëniet plot ëmbëlsi e dashuri të ipeshkvit me popullin e vet. Ipeshkvijtë dhe priftërinjtë, vazhdoi Ati i Shenjtë, u shërbejnë të tjerëve, e ruajnë, e përforcojnë dhe e mbrojnë Popullin e Hyjit. Janë marrëdhënie dashurie e mbrojtjeje ndërmjet Zotit e bariut dhe ndërmjet bariut e grigjës së vet:
“Në fund të fundit, ipeshkvi nuk është i tillë për vete, por për popullin; e meshtari nuk është prift për vete, por për popullin: në shërbim të tij, për t’ia shtuar radhët, për ta çuar popullin, grigjën, në kullota të blerta, apo jo? Për ta mbrojtur nga ujqërit. E bukur kjo! Kur, në këtë udhë, ipeshkvi e bën këtë, ka marrëdhënie të mira me popullin, ashtu si ipeshkvi Pal bëri me popullin e vet, apo jo? E kur meshtari mban marrëdhënie të përzemërta me popullin, na jep dashuri: vjen dashuria mes tyre, dashuri e vërtetë e, Kisha bëhet një, bashkohet”.
Marrëdhëniet e ipeshkvit e të meshtarit me popullin, vazhdoi Papa Françesku, janë thelbësore, sakramentore. E meqë edhe ata mund të tundohen, kanë nevojë për lutjet e besimtarëve. Ata vetë duhet të luten shumë e të kumtojnë Jezu Krishtin e Ringjallur, ta predikojnë me guxim mesazhin ungjillor. Por cilat janë tundimet e ipeshkvit e të meshtarit, pyeti Ati i Shenjtë:
“Shën Augustini, duke komentuar Ezekielin profet, flet për dy tundime: pasuria, që mund të kthehet në koprraci dhe kryelartësia. E thotë: ‘Kur ipeshkvi, meshtari përfiton nga delet për vetvete, prirja ndryshon: nuk është prift, ipeshkëv për popullin, por prift e ipeshkëv, që merr nga populli’. Shën Augustini thotë edhe: ‘Merr mishin e deles për ta ngrënë, përfiton prej saj; hap dyqane dhe lidhet tepër me paratë; bëhet koprrac e shpeshherë edhe simoniak (trafikant sendesh kishtare). Ose përfiton nga leshi i deles me mendjemadhësi, për t’u mburrur ai vetë’”.
Kështu pra, vërejti Papa, kur meshtari e ipeshkvi shkojnë pas parave, populli nuk i do e ata vetë përfundojnë keq. Shën Pali, theksoi Horhe Mario Bergolio, nuk kishte llogari në bankë, punonte me duart e veta. Ndërsa, kur ipeshkvi e meshtari hyjnë në udhën e mendjemadhësisë, të karrierizmit, jo vetëm i bëjnë keq Kishës, por bëhen qesharakë, pasi mburren, u pëlqen të duken si të pushtetshëm… Por populli nuk i do këto gjëra. Lutuni për ne, u tha Papa të pranishmëve, që të jemi të varfër, të përvuajtur, në shërbim të popullit. Pastaj, i këshilloi të lexojnë kapitullin e 20-të të Veprave të Apostujve e, pikërisht pjesën ku Shën Pali thotë: “Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt u vuri mbikqyrës. Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete. Unë e di se pasi të shkoj vetë, midis jush do të hyjnë ujq grabitqarë, të cilët s’do ta kursejnë grigjën. Por edhe midis jush do të ngrihen disa njerëz, të cilët do të përhapin mësime të rreme për të tërhequr pas vetes nxënësit” (28-30):
“Lexojeni këtë faqe të bukur e ndërsa e lexoni, lutuni, lutuni për ne ipeshkvijtë e për meshtarët. Kemi shumë nevojë për t’i qëndruar besnikë grigjës, për të vigjëluar mbi të e edhe mbi veten tonë. Lutuni që të jemi njerëz vigjilentë, gjithnjë me grigjën në zemër. Lutuni që Zoti të na mbrojë nga tundimet, sepse nëse shkojmë në udhën e pasurisë, nëse ecim në udhën e kryelartësisë, bëhemi ujq e jo barinj. Lutuni për këtë, lexojeni këtë pjesë e lutuni. Ashtu qoftë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama