HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-17 15:44:02
A+ A- Printo artikullin



Papa, Karitasit Ndërkombëtar: ndihmojini të varfërit, njeriu është në rrezik



“Nuk ekziston një Kishë pa bamirësi”: më këto fjalë, Papa Françesku priti dje në Vatikan Komitetin Ekzekutiv të Karitasit Ndërkombëtar, mbledhur në Romë, për takimin e zakonshëm vjetor. Në një çast krize, nënvizoi Ati i Shenjtë, kur është në rrezik njeriu si “korp i Krishtit”, të krishterët duhet të përveshin mëngët e të ndihmojnë vëllezërit në vështirësi:
“Karitasi është përkëdhelja e Kishës për popullin e vet; përkëdhelja e Kishës Nënë për bijtë e saj; ëmbëlsia, afërsia… Kërkimi i së vërtetës e studimi i së vërtetës katolike janë përmasa të tjera të rëndësishme të Kishës, por le të merren teologët me to… Më pas, ky kërkim shndërrohet në katekizëm e në ekzegjezë. Ndërsa Karitasi është dashuria brenda Kishës Nënë, që afrohet, përkëdhel e do”.
Pas këtyre fjalëve, Papa Françesku iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, duke shpjeguar si duhet kuptuar dashuria e krishterë, e cila dhurohet. E kujtoi simbolikën e bukëve e të peshqve në Ungjill:
“Nuk u shumëfishuan. Jo, nuk është kjo e vërteta: thjesht nuk mbaruan, ashtu si nuk mbaroi mielli dhe vaji i vejushës. Nuk mbaruan. Kur themi ‘u shumëfishuan’ ndokush mund të ngatërrohet e të kujtojë se Jezusi bëri ndonjë magji… Jo, thjesht është madhështia e Zotit e dashuria, që Ai dikon në zemrën tonë e nëse duam, ajo që kemi, nuk mbaron kurrë”.
Ndërsa për krizën ekonomike, që prej vitesh ia ka ngulur dhëmbët planetit, Papa tha:
“Nuk është vetëm krizë ekonomike: ky është vetëm një aspekt. Nuk është vetëm krizë kulturore: aspekt tjetër ky. Nuk është vetëm krizë e fesë. Është krizë, në të cilën vuan njeriu, vuan pasojat e paqëndrueshmërisë. Sot është në rrezik pikërisht njeriu. Është në rrezik korpi i Krishtit. Puna e Karitasit është sidomos ta kuptojë këtë”.
Duke kujtuar ndërtimin e Kullës së Babelit, ku gurët vlenin më shumë se punëtorët, të cilët dënoheshin nëse i thyenin, apo i shpërdoronin, Ati i Shenjtë theksoi se edhe sot u jepet më tepër rëndësi investimeve financiare se sa njeriut, të cilit duhet t’i shërbejnë. Prandaj, nga njëra anë, të mëdhenjtë e kësaj bote s’rreshtin së bëri mbledhje për të zgjidhur problemet e planetit, nga ana tjetër, njerëzit vdesin urie:
“Qytetërimi ynë është habitur krejtësisht e në vend që t’i mbarështojë burimet natyrore, që njeriu të jetë më i lumtur e shembëllim më i mirë i Zotit – sepse ky është mandati që kemi marrë – krijon, thënë me një fjalë të ashpër, por besoj të saktë, kulturën ‘përdor e hidh’: ajo që s’duhet më hidhet në plehra, si… fëmijët, të moshuarit, me këtë eutanazi të fshehtë, që po praktikohet… më të braktisurit. Kjo është kriza, që po jetojmë”.
E pastaj, Papa Françesku foli për “përkëdheljen” e Kishës për njeriun. Nëse kanë uri, u duhet dhënë njerëzve për të ngrënë, tha ai. Nëse ka të plagosur, duhen mjekuar. Por për këtë, janë të nevojshme shuma të mëdha të hollash, prandaj Ati i Shenjtë citoi shën Gjon Gojartin, kur thoshte se Kisha mund të detyrohet t’i shesë pronat e saj që të kujdeset për të varfërit:
“Shën Gjon Gojarti e thoshte qartë: ‘Shqetësohesh për zbukurimin e Kishës e jo për korpin e Krishtit, që ka uri’. Përkëdhelja… Për mua, përkëdhelja më e bukur para nevojës është ajo e Samaritanit të Mirë, që nuk thotë: ‘e ngriti, e çoi në bujtinë, pagoi e iku’. Jo, i lau plagët, ia mjekoi, pastaj e ngriti, e mori dhe pohoi: ‘Paguaj unë për të tjerat, që mungojnë’”.
Njëra nga pyetjet, që i drejtuan Papës Françesku, kishte të bënte me promovimin e njeriut përmes bamirësisë ungjillore. E Ati i Shenjtë përmendi gjeninë e njërit prej shenjtorëve më të mëdhenj të bamirësisë:
“Mendoj për don Boskon, që pati takuar në famulli, në tokën e vet, në një çast krize e varfërie të madhe, shumë të rinj, që jetonin në rrugë, të uritur, plot vese, shpesh në duart e krimit…Ai i pa e tha: “Jo, këta djem, jo!” E filloi me idenë e shkollës së artizanatit… Nëse e kemi të qartë llojin e promovimit, e gjejmë edhe mjetin, që të jep mundësinë ta fitosh vetë bukën”.
Përshpirtëria e Karitasit, nënvizoi Papa Bergolio, ka të bëjë me dhuratën, me shërbimin e vazhdueshëm. E puna e tij është e dyfishtë: nga njëra anë, çon ndihmën e kujdesin e Kishës tek nevojtarët, nga ana tjetër, sjell ndjenjën e dhembshurisë në Kishë. Më shumë se ndjenjë, tha Ati i Shenjtë, ajo është vlerë e Kisha nuk mund ta humbë:
“Përshpirtëria e Karitasit është përshpirtëri e dhembshurisë e, ne e kemi përjashtuar nga Kisha kategorinë e dhembshurisë. Nganjëherë, “serioziteti” ynë baritor, në thonjza, na bën ta humbasim këtë kategori, që është amësia e Kishës! Kisha është nënë, kryesisht nënë. E karakteristika e dhembshurisë është për mua thelbi i përshpirtërisë së Karitasit”.
Kisha shmanget nga udha e saj kur e harron përkëdheljen e dhembshurinë. Në fund, Papa Françesku përmendi dramën e refugjatëve, duke dhënë si shembull mëse një milion të shpërngulurit nga Siria në Liban, e foli edhe për ata emigrantë, të cilëve u marrin pasaportën dhe i shfrytëzojnë si skllevër. Në këto situata, këshilloi, të jetë e pranishme gjithmonë dhembshuria e Kishës Katolike.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama