HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Ekumenizmi >  2013-05-17 15:44:13
A+ A- Printo artikullin



Thirrja e Papës Françesku për lirinë fetare



Thirrje autoriteteve civile, që të respektohet e drejta e besimtarëve për ta jetuar lirisht fenë e tyre si dhe ftesë, drejtuar të gjithë evropianëve, që të jenë të vetëdijshëm për rolin e krishterimit në Kontinent”. Këtë përmbajtje ka mesazhi i Papës Françesku drejtuar dy delegacioneve përfaqësuese të Kishës ortodokse e asaj katolike të Kontinentit evropian, sot në Stamboll për një seminar studimesh, titulluar “Liria fetare në ditët tona. Edikti i Milanos i Perandorit Kostandin: 1700 vjet më pas”.
Takimi organizohet nga Patriarkana ekumenike e Kostandinopojës, në bashkëpunim me Këshillin e konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee). Përmes një mesazhi të sekretarit të Shtetit të Shenjëtërisë së Tij, kardinalit Tarçizio Bertone, Papa Françesku i bën urimet më të mira vëllazërore Shenjtërisë së Tij, Bartolomeu, kryepeshkop i qytetit të themeluar nga vetë Kostandini i Madh, me shpresën se së shpejti do të vijë dita kur përçarjet e mijëvjeçarit të dytë do t’i kalojnë përgjithnjë kujtesës të së kaluarës.
Lidhur me temën e seminarit, Papa Françesku u kujton autoriteteve civile se duhet ta respektojnë kudo, në dritën e Dekretit historik të Kostandinit, të drejtën e besimtarëve për ta jetuar lirisht kultin e tyre dhe për ta shprehur publikisht fenë, në të cilën besojnë.
Njëkohësisht, vijon mesazhi, Papa i fton të gjithë qytetarët evropianë ta njohin rolin e krishterimit në formimin e kulturës sonë e të mos e harrojnë kontributin e vazhdueshëm, që mund të japin të krishterët në këtë drejtim.
Duke hapur punimet e seminarit, sot paradite, në Stamboll, Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, pohoi me forcë se Kisha jeton, se Kisha nuk është zhdukur nga jeta publike. Kisha është e gjallë e vijon t’i vadisë, me Ungjillin e Krishtit e me gjakun e martirëve të saj, në të katër anët e botës, shoqërinë dhe institucionet. I vadit edhe e sidomos kur jeton në katakombe, kur vuan, kur trajtohet mizorisht, kur persekutohet, deri në martirizim.
Sot paradite, pas fjalimeve të metropolitit Emmanuel të Francës dhe kardinalit Peter Erdë, kryetar i Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee), me ndihmën e specialistëve të pranishëm në takim, pjesëmarrësit prekën temën e lirisë fetare, duke u nisur nga tri perspektiva: liria fetare në këndvështrimin e bashkësive fetare: bashkësisë hebraike, myslimane, ortodokse e katolike; liria fetare sot në botë dhe marrëdhëniet ndërmjet feve, politikës e shoqërisë.
Në përshëndetjen e rastit, Patriku, që mbërrijti dje në Stamboll, pas tri ditësh të ngarkuara me takime e lutje në Milano, nënvizoi se “Fryma e Ungjillit dhe krishterimi janë e vetmja mënyrë, për të siguruar përparimin e për të mbrojtur paqen”.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama