HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-20 14:02:19
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: lutja e përvuajtur, e fortë e guximshme, bën mrekulli.



Lutja e guximshme, e përvuajtur, e fortë, bën mrekulli: këtë pohoi Papa sot paradite, në homelinë e Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Të pranishëm, disa punonjës të Radio Vatikanit, shoqëruar nga drejtori i emitentes sonë, atë Federiko Lombardi.

Liturgjia e ditës së sotme paraqet fragmentin e Ungjillit, në të cilin dishepujt duan të shërojnë një fëmijë, por nuk munden; duhet të ndërhyjë vetë Jezusi, i cili ankohet për mosbesimin e të pranishëmve. Ndërsa babait të fëmijës, që kërkon ndihmë, i përgjigjet: “S’ka gjë të pamundur, për atë, që beson”. Papa Françesku vërejti se shpesh herë, edhe ata, që e duan shumë Jezusin, nuk rrezikojnë gjithçka në emër të Tij e nuk i besojnë plotësisht Zotit:
“Po pse ky mosbesim? Mendoj se është punë zemre, që nuk hapet; është zemra e mbyllur, e cila dëshiron ta ketë gjithçka nën kontroll”.
Është zemra, pra, që nuk hapet, që nuk e lë gjithçka nën kontrollin e Jezusit, shpjegoi Papa. E kur dishepujt pyesin pse nuk mundën ta shërojnë fëmijën, Zoti u jep përgjigjen se ky lloj djajsh nuk mund të dëbohet në asnjë mënyrë tjetër, përveçse me lutje. Ne të gjithë, nënvizoi Papa, e kemi një thërrime mosbesimi në shpirt. Kemi nevojë për një lutje të fortë, e pikërisht falë kësaj lutjeje të përvuajtur dhe të fortë, Jezusi bën mrekullinë. Lutja për të kërkuar një mrekulli, për të lypur një veprim të jashtëzakonshëm, vijoi Papa, duhet bërë me gjithë shpirt. Me gjithë vetveten. E, lidhur me këtë, tregoi një ngjarje të jetuar në Argjentinë: një vajzë 7 vjeçe sëmuret e mjekët i japin vetëm pak orë jetë. I ati, elektriçist, njeri plot me fe, bëhet si i çmendur, vijoi të rrëfejë Papa e, mendjehumbur, merr autobusin e niset e shkon në Shenjtëroren mariane të Lujanit, 70 kilometra larg vendit të tij:
“Arrin pas orës 9 të darkës, kur gjithçka ishte e mbyllur. E ai nis t’i lutet Zojës, me duar mbërthyer mbi kangjellat e hekurta. E lutej e lutej, e qante e lutej... e kështu mbeti gjithë natën. Mbeti duke luftuar. Luftonte me Zotin, luftonte pikërisht me Zotin, që t’ia shëronte vajzën. Pastaj, si kaloi ora 6 e mëngjesit, u nis e shkoi, mori autobusin e arriti në spital pak a shumë rreth orës 9.00. E gjeti gruan të mbytur në lotë. Mendoi më të keqen. ‘Çfarë ka ndodhur? Nuk kuptoj, nuk kuptoj! Ç’ka ndodhur?’. ‘Erdhën doktorët e më thanë se ethet kanë rënë, vajza merr frymë rregullisht e nuk ka gjë prej gjëje. Është shëndosh e mirë’. E lënë edhe dy ditë në spital, por nuk merret vesh aspak ç’kishte ndodhur. E kjo ndodh akoma. Mrekullitë vijojnë”.
Veç duhet të lutemi, fort, besimplotë, me gjithë shpirt, përfundoi Papa, duke i ftuar besimtarët të luten me...:
“Lutje të guximshme, që luftojnë për të arritur mrekullinë; me lutje të tilla, mos harroni! ‘Ah, unë do të lutem për ty: them një Atynë, një FalemiMri e pastaj harroj fare ta vijoj lutjen... Jo: lutja duhet të jetë e guximshme, si ajo e Abrahamit, që luftonte me Zotin për ta shpëtuar qytetin; si ajo e Moisiut, që i kishte duart përpjetë e lodhej e këputej duke iu lutur Zotit; si ajo e shumë njerëzve, njerëzve që kanë fe e luten me fe, me fe të gjallë. Lutja bën mrekulli, po duhet të besojmë! Mendoj se ne mund të bëjmë një lutje të bukur... të themi sot, gjithë ditën e lume: ‘Besoj, o Zot! Më ndihmo ...!’. E kur na kërkojnë të lutemi për morinë e njerëzve, që vuajnë nga luftërat, për të gjithë refugjatët, për të tëra dramat, që trandin sot botën, t’i lutemi, por me gjithë zemër, Zotit, duke thënë: 'Bëje!'. 'Besoj, o Zot! Ndihmomë në mosbesimin tim. Ma bëj këtë nder, sot!”.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama