HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-22 16:35:17
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: Shpirti Shenjt jep guximin për ta kumtuar Ungjillin.



Kisha ekziston për të ungjillëzuar e guximi për ta kumtuar Ungjillin kudo, me zë të lartë, vjen nga Shpirti Shenjt. E pohoi sot paradite Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të 80 mijë vetëve. Në përfundim Papa u lut edhe një herë për viktimat e tornados në Oklahoma City.

“Të mbyllur ndërmjet katër mureve e të trembur për vdekje, sepse të njohur si shokët e Jezusit, e pastaj të aftë për ta kumtuar Zotin publikish, me guxim e ngulm”. Këtë shndërrim të dishepujve në apostuj, në sa luteshin në Çenakull, ditën e Rrëshajëve, Papa Françesku ia uroi edhe Kishës së shekullit të 21-të. Ungjillëzimi, vijoi Ati i Shenjtë, është misioni i Kishës. Për këtë jeton. Por motori i ungjillëzimit është Shpirti Shenjt. Prej Tij nis, e prej Tij zbret gjithçka:
“Për të ungjillëzuar, atëhere, është e nevojshme të hyjmë në horizontet e hapura të Shpirtit të Zotit, pa pyetur fare ç’na kërkon e ku na çon. T’ia besojmë gjithë vetveten. Ai na bën të aftë ta jetojmë e ta dëshmojmë fenë tonë, Ai ua shndrit zemrat të gjithë njerëzve, që takon”.
Papa Françesku nënvizoi “tre veprime”, që burojnë nga ndikimi i Shpirtit Shenjt. I pari, ‘bashkimi’. Nëse Babeli, vërejti Papa, është monumenti i fodullëkut, që shkakton përçarje e grindje ndërmjet njerëzve, Rrëshajët, vijoi të shpjegojë, janë e kundërta: “Gjuha e Ungjillit, pohoi Ati i Shenjtë, është gjuha e bashkimit":
“Nganjëherë të duket sikur përsëritet ajo që ndodhi në Babel: përsëritet përçarja, paaftësia për t’u kuptuar, rivaliteti, egoizmi. Po unë, ç’bëj me jetën time? Krijoj bashkim, apo përçarje rreth meje? Përçaj, me thashetheme, me kritika, me sëmirë? Çfarë bëj? Ta mendojmë këtë. T’ua çojmë të tjerëve Ungjillin, do të thotë ta kumtojmë e ta jetojmë ne vetë të parët pajtimin, faljen, paqen, bashkimin, dashurinë, që na dhuron Shpirti Shenjt”.
Veprimi i dytë është “guximi”. Shembulli, që solli Papa Françesku, ishte ai i Pjetrit që, pas ditëve të frikës, në agimin e Rrëshajëve, brofi në këmbë e nisi të flasë me zë të lartë, plot zjarr, publikisht, për Krishtin. Ky guxim vjen nga Shpirti Shenjt, prej të cilit, pohoi Papa, shpërthejnë energji të reja misioni:
Të mos ia mbyllim kurrë zemrat këtij veprimi! Ta jetojmë me përvujtëri e guxim Ungjillin. Ta dëshmojmë të renë, shpresën, gëzimin, që sjell Zoti në jetë. Ta ndjejmë në shpirt gëzimin e ëmbël e ngushëllues, që buron nga veprimtaria ungjillëzuese. Sepse të ugjillëzosh, ta kumtosh Krishtin, është burim gëzimi! Egoizmi të mbush me vrer, me trishtim, të rrokullis poshtë e më poshtë. Ndërsa ungjillëzimi, të ngre lart e më lart!”.
Veprimi i tretë, vijoi Papa Françesku, lidhet drejtpërdrejt me Ungjillëzimin e ri dhe është krejt i qartë: nuk mund të ketë ‘zjarr’ që buron prej Shpirtit Shenjt, pa e thirrur përmes lutjes. Kisha duket ta thërrasë, ashtu si e thirrën apostujt në Çenakull:
Pa lutjen, gjithë veprimtaria jonë bëhet e zbrazët e kumtimi ynë, pa shpirt, pa frymëzimin e Shpirtit Shenjt. Ta lëmë të na prijë, të jemi burra e gra, që e dëshmojnë me guxim Ungjillin, duke u bërë mjete të unitetit e të bashkimit me Zotin në botën tonë”.
Në çastin e përshëndetjeve në gjuhë të tjera, Papa Françesku shprehu edhe një herë afërsinë shpirtërore e i lartoi Zotit lutjen për viktimat të tornados që, dy ditë më parë, rrënoi qytetin amerikan Oklahoma City:
“Ju ftoj të gjithë të luteni me mua për viktimat, posaçërisht për fëmijët, e fatkeqësisë së Oklahomës. Zoti i ngushëlloftë të gjithë, sidomos prindërit, që humbën tragjikisht fëmijët”.
Në audiencën e përgjithshme ishte i pranishëm edhe një delegacion i skuadrave të futbollit, përfaqësuese të Lacios e të Romës. Papa i përshëndeti, duke marrë nga të dyja skuadrat, bluzat, ku ishte shkruar emri i tij, si anëtar nderi!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama