HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-23 17:10:50
A+ A- Printo artikullin



Besojma e Papës Françesku me ipeshkvijtë italianë



Sot pasdite, në orën 18, Papa Françesku kryeson në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Besojmën e Fesë së bashku me ipeshkvijtë italianë, të mbledhur për Asamblenë e tyre të 65-të të Përgjithshme. Pas Liturgjisë së Fjalës, Ati i Shenjtë meditoi mbi detyrën e ipeshkvit në Kishën Katolike, për t’ia lënë vendin Besojmës e Lutjes drejtuar Zojës së Bekuar. Në fund, të gjithë kënduan himnin e Mbretëreshës Qiellore, ndërsa Papa Bergolio vendosi lule pranë figures së Virgjërës Shenjte.
Sonte, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve gjatë meditimit, elteri i Rrëfimit i Bazilikës bëhet liqeni ynë i Tiberiadës, në brigjet e të cilit Jezusi pyet Shën Pjetrin: “A më do? A je miku im?”. Pyetja i drejtohet secilit prej nesh e na nxit të shohim brenda vetes, vërejti Papa. Hyji, që sheh deri në thellësi të zemrës së secilit, lyp prej nesh dashurinë e na vë përballë çështjes më thelbësore, premisë e kusht për të kullotur grigjën e Tij, qingjat e tij, Kishën. Ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar ipeshkvijve, nuk jemi shprehje e ndonjë strukture, apo e ndonjë nevoje organizative, jemi shenjë e dashurisë dhe e pranisë së Zotit.
Papa Françesku citoi Shën Palin Apostull, i cili u kërkon atyre, që kanë detyra në Kishë, të vigjëlojnë mbi grigjën e mbi vetveten. “Mungesa e vigjëlimit – e dimë – e bën të vakët Bariun – theksoi Ati i Shenjtë – ia merr mendjen, harron e madje edhe e bën të vuajë, e tundon me prespektivën e karrierës, e josh me para dhe kompromise me frymën e botës, e dembelos, e shndërron në funksionar, në një klerik të shqetësuar më tepër për vetveten, për organizimin e për strukturat, se sa për të mirën e vërtetë të Popullit të Zotit”.
Në këto raste, ka rrezik të bëjmë si Shën Pjetri apostull e ta mohojmë Zotin, vërejti Papa Bergolio, megjithëse formalisht, paraqitemi në emër të Tij. “Kush jemi o vëllezër para Zotit? – pyeti Papa ipeshkvijtë. Cilat janë sprovat tona? Çfarë po na thotë Hyji përmes tyre? Ku mbështetemi për t’i kapërcyer?”.
“Të jesh Bari – nënvizoi Ati i Shenjtë – do të thotë të besosh çdo ditë në hirin e në forcën që na vjen nga Zoti, pavarësisht nga brishtësia jonë, e të marrësh përsipër deri në fund përgjegjësinë për të ecur ‘para’ grigjës, i lehtësuar nga peshat, që e pengojnë zellin e shëndoshë apostolik, pa mëdyshje në udhëheqje, në mënyrë që zëri ynë të njihet si nga ata, që e kanë përqafuar fenë, ashtu edhe nga ata, që “nuk janë akoma të kësaj vathe” (Gjn 10,16): jemi të thirrur ta bëjmë tonën ëndrrën e Zotit, nga shtëpia e të cilit nuk përjashtohen as njerëzit as popujt, siç thoshte profetikisht Isaia”.
Kjo do të thotë, vazhdoi Papa Françesku, se Barinjtë e Kishës duhet të ecin jo vetëm përpara, por edhe në mes e prapa grigjës, të dëgjojnë ata që vuajnë e të shoqërojnë ata, që mendojnë se nuk ia dalin dot, t’i ngrenë e t’u japin shpresë. Ndër të gjithë këta, këshilloi Ati i Shenjtë, një vend të veçantë duhet të zënë meshtarët, për të cilët duhet të mbetet hapur zemra, dora e porta e çdo ipeshkvi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama