HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-24 08:03:18
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte



Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që përkon me festën e Trinisë Shenjte.
Pas festën së Rrëshajëve kremtuar të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.
Kështu pra, edhe kësaj here jemi të bashkuar përmes valëve radiofonike, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini.
Tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona).
Përmes festës së Trinisë Shenjte Kisha na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezu Krishtin, e Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.
Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë e të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës dhe Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.
Për besimtarët e krishterë të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini do të thotë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, ndaj shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.
Leximet biblike të liturgjisë së këtij solemniteti pohojnë se Zoti është Trini Dashurie për t’u besuar, për t’u dëgjuar e për t’u pranuar në jetë.
Zoti ynë është Zot “bashkësi” ; Ai do që ne ti bashkohemi Atij e në të njëjtën kohë na thërret të jemi në bashkim edhe me të gjithë vëllezërit e të afrimit tanë.
Hyjit Atë nuk është larg nesh: përmes Pagëzimit, Hyji Trini vjen në ne, që ne të bëhemi tempull i gjallë i pranisë së Tij në kohë e në histori. Kështu pra, detyra e misioni ynë si besimtarë është ta lavdërojmë Atin, Birin e Shpirtin Shenjtë me lutje e sidomos ta dëshmojmë me vepra të mira, me vepra drejtësie, dashurie e të vërteta.
Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.
Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe e dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë dhe të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës e Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.
Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.
Kisha na mëson që nga fëmijëria të fillojmë çdo ditë, të nisim çdo vepër, çdo punë me shenjën e kryqit, që dmth. Gjithçka të fillojmë dhe mbarojmë në Emër të Shenjtënueshmes Trini.
Me shenjën e kryqit përkujtojmë misterin e Njësisë e Trinisë së Hyjit, dhe misterin e mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së Jezusit Zot.
Edhe kremtimi më solemn liturgjik, që është kremtimi i meshës shenjte, Eukaristia, fillon në emër të Shenjtënueshmes Trini Hyjnore. Meshtari u drejtohet besimtarëve me këto fjalë: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkimi i Shpirtit Shenjtë “(qofshin përherë me ne).
Festa e kësaj së diele e Trinisë Shenjte, është kremtimi liturgjik që meriton të konsiderohet absolutisht si festa më e rëndësishme ndër të gjitha festat tjera.
Për besimtarët, e vetmja festë qiellore është adhurimi i Trinisë Shenjte nga ana e engjëjve dhe shenjtorëve, në një Hosana të përhershëm këngësh e lavdesh.
Trinia është në ne
Jezusi tha: “Unë jam në Atin e Ati është në mua”. Edhe ne mund të themi: “Unë jam në Trininë e Trinia është në mua”. Në të vërtetë ne jemi Tempull i Zotit.
“Kush më do – tha Jezusi – unë dhe Ati im do të vijmë tek ai e të hamë darkë me të”, e do të vendosim banesën e përhershme tek ai.
Babai i Origenit (teologut të lashtë kishtar) gjunjëzohej para fëmijës së vet dhe në të e adhuronte të Shenjtënueshmen Trini.
“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëllimit tonë, të ngjashëm me ne”, thotë Zoti në momentin e krijimit të Adamit.
Në të gjithë prindërit e botës ekziston dëshira për të parë në fytyrën e fëmijëve tiparet e veta. Mirëpo ne nuk jemi shëmbëllim – imazhi i Zotit për tiparet “fizike” që kemi – për kokën, duart e këmbët – sepse Zoti nuk ka trup.
Secili është i krijuar në shëmbëllim të Zotit sepse është i pajisur me inteligjencë, me mendje, me vullnet, me shpirt.
Por më shumë se njeriu si individ, është familja ajo që i pasqyron tiparet trinitare: babai, nëna, fëmija: janë tre persona të ndryshëm, e megjithatë janë një familje e vetme, një gjë e vetme në dashuri. Zoti, në të vërtetë, është Familje, është Dashuri.
O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. urtia e Zotit, e zbuluar, e dëftuar në Jezusin i tregon njeriut të vërtetën mbi veten dhe rrugën për arritur deri tek Ti.
Çdo i krishterë është i thirrur ta përjetojë, ta shijojë këtë përvojë pajtimi me Zotin, në Jezusin, ta njohë vetveten në fytyrën e Zotit bërë njeri e ta jetojë në fe dashurinë e Zotit për ne. Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Fu 8, 22-31

Qysh në Besëlidhjen e Vjetër flitet në mënyrë të mistershme për Trininë e Shenjtë. Dituria e Hyjit është paraqitur si një person që vepron në momentin e krijimit dhe në ngjarjet e historisë njerëzore. Ajo i jep një kuptim botës sipas planit të Hyjit. Kur Biri i Hyjit bëhet njeri dija merr një emër: Jezu Krisht.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Urtia e Zotit flet kështu: “Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta, qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send. Kam qenë shuguruar prej amshimit, qysh në kohet më të lashta, para se të krijohej toka.
Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta, para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kodrat, unë linda. Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës.
Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur e kufizoi me ligje të sigurta rrethin e humnerës, kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve.
Fjala e Zotit.

Psalmi 8/9, 4-9

O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt!
---- ---- ----
Kur e sodis qiellin, veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti u dhe qendër,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
---- ---- ----
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
---- ---- ----
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit.
---- ---- ----


Leximi i dytë Rom 5, 1-5

Jeta jonë është e gjithëpërfshirë në misterin e Trinisë së Shenjtë. Gjithçka na dhurohet nga Ati nëpërmjet Birit në Shpirtin Shenjt; por gjithçka ngjitet përsëri te Ati me anë të Shpirtit Shenjt nëpërmjet Birit. Themeli i shpresës së krishterë është dashuria e Hyjit derdhur në zemrat tona nga Krishti mbi kryq dhe nga Shpirti Shenjt i cili vepron në ne.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar, e besnikëria e sprovuar sjell shpresën. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.
Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja.

Ì Ungjilli Gjn 16, 12-15

Jezusi na zbulon se Ati i ka komunikuar jetën dhe të vërtetën e vet Birit. Biri na e komunikon neve nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Fjala e Hyjit vazhdon akoma tu flasë zemrave të njerëzve edhe pas largimit të Jezusit. Akoma sot, nëpërmjet profetëve, gra dhe burra të ndriçuar nga Shpirti, Ungjilli nuk mbetet një libër i së shkuarës, por një forcë jetësore që shndërron historinë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”
Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të solemnitetit të festës së Trinisë Shenjte mund të dëgjoni edhe këtu.........RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama