HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-05-26 16:44:54
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë në famullinë romake: Maria na ndihmon kurdoherë e menjëherë!



“Me ndihmën e Zojës së Bekuar, ta kuptojmë Zotin, për të zbuluar dashurinë e Tij”: është mesazhi i Papës Françesku për fëmijët dhe besimtarët e famullisë së Shenjtorëve Elizabeta e Zakaria, në zonën veriore të Romës. Famulli periferie, kjo, e Papa Françesku, sa shkeli aty, theksoi se realiteti shikohet më mirë pikërisht nga periferitë. Në vizitën e tij të parë ndër famullitë e dioqezës së tij, Papa Françesku përshëndeti familjet, të sëmurët, bashkëpunëtorët e famullisë. Ndërsa homelia ishte më shumë dialog me më të vegjëlit. Ati i Shenjtë u dha, me dorën e vet, Kungimin e parë 16 fëmijëve të famullisë.

Të gjithë, por sidomos fëmijët, Papa i siguroi se Zoja është nënë e vjen menjëherë pranë nesh, sa herë kemi nevojë. Zoja na jep siguri:
“Zoja është gjithnjë kështu. Nëna jonë, që vjen me vrap pranë nesh, sa herë që kemi nevojë”.
Zoja, tha Papa Françesku, rendi me nxitim tek Elizabeta, sepse ajo kishte nevojë për ndihmë:
“Nuk tha: e po tani jam shtatzënë, duhet të kujdesem për shëndetin tim. Ime kushërirë do të ketë patjetër mikesha, që besoj se do ta ndihmojnë. Sapo dëgjoi se e kushërira kishte nevojë për ndihmë, u nis ngutshëm”.
E, nënvizoi Papa Françesku, Zoja niset për të ndihmuar:
“Shkon të ndihmojë, nuk shkon të mburret e t’i thotë së kushërirës: ‘Ej, dëgjo! Tani urdhëroj unë këtu, sepse jam Nëna e Zotit’. Jo, ajo nuk e bën këtë. Ajo shkon për ndihmë!”.
Papa Françesku pohoi se dëshiron t’u shtojë një shprehje Litanive, me të cilat i drejtohemi Marisë:
“O Zojë, që shkon me nxitim, lutu për ne!’ E bukur, kjo, apo jo? Sepse Ajo nxiton gjithnjë, Ajo nuk i harron kurrë bijtë e saj. E kur bijtë kalojnë çaste të vështira dhe e thërrasin për ndihmë, Ajo nxiton. E kjo na jep siguri, na siguron se kemi pranë Nënën, se është përkrah nesh gjithmonë. Ecet më mirë, je më i sigurt, kur ke Nënën pranë”.
Zoja e Bekuar na ndihmon, shpjegoi Papa Françesku, pa vonesë, pa na lënë të presim. E Ati i Shenjtë shpjegoi cila është gjëja e parë, më e madhja, që duhet t’ia lypim Marisë:
“Zoja na ndihmon edhe ta kuptojmë mirë Zotin, ta kuptojmë mirë jetën e Jezusit, jetën e Hyjit, të kuptojmë mirë ç’do të thotë Zot, si është Zoti, kush është Zoti”.
Të kuptojmë çfarë bën Ati, që krijon; Biri, që na shpëtoi e na prin, duke ecur me ne; Shpirti Shenjt, që jep dashuri. E në këtë pikë, Papa ua kushtoi gjithë vëmendjen fëmijëve: foli me ta. E homelia u kthye në dialog:
“Ju pyes ju, fëmijë: kush është Zoti? Ai që e di, të ngrejë dorën!”.
Papa Françesku i pyet fëmijët, e kur përgjigjet nuk dëgjohen mirë, i nxit të flasin me zë më të lartë, bën shaka me ta:
“Jezusi na shëlboi, por edhe ecën me ne në jetë. Është e vërtetë kjo? Ç’do të thotë ecën me ne në jetë? Kjo është e vështirë. Kush do ta fitojë lojën? Edhe Jezusi na jep forcë për të ecur. Është e vërtetë? Na ndihmon. Në vështirësi, apo jo? E edhe për të kryer detyrat, në shkollë, po a jo?”.
Pastaj, një mendim për Jezusin në Eukaristi:
“Pa dëgjoni, Jezusi na jep forcë. E si na e dhënka këtë forcë Jezusi? A e dini si na e jep këtë forcë? Më fort, se nuk dëgjoj! Në kungim, na jep forcë, pikërisht na ndihmon me forcë. Vjen tek ne. Por kur ju thoni “na jep Kungimin, mendoni se një copëz bukë e jep gjithë këtë forcë? Është apo s’është bukë? Mbi elter është apo s’është bukë? Duket si bukë! Por nuk është bukë! E ç’është atëhere? Është Korpi i Krishtit. Jezusi vjen në zemrën tonë. Ja pra, të mendojmë për këtë, të gjithë”.
Hyji, që jep jetë; Biri, që shëlbon; Shpirti Shenjt, që jep dashuri! Papa Françesku përdor pak fjalë, për të shpjeguar ç’është jeta e krishterë:
Kjo është jeta e krishterë: të flasësh me Atin, të flasësh me Birin e të flasësh me Shpirtin Shenjt”.
U tregoi edhe një fshehtësi të vogël, fëmijëve, Papa, për të ecur në rrugë të drejtë:
Të mendojmë për Hyjin kështu, e t’i lutemi Zojës së Bekuar, Zojës që nxiton gjithnjë, të na ndihmojë, të na mësojë ta kuptojmë mirë si është Ati, si është Biri e si është Shpirti Shenjt. E ashtu qoftë!”.
Ftesa për ta kuptuar mirë kush e si është Zoti; si është jeta e Zotit e për të kujtuar gjithnjë se Zoja e Bekuar nuk i harron asnjëherë bijtë e saj: ky ishte mësimi i Papës, në këtë vizitë të parë në një nga famullitë e dioqezës së tij. Famulli periferie, që Papa Françesku e ftoi të reflektojë:
I tërë realiteti kuptohet më mirë jo nga qendra, por nga periferitë”.
Ledhatimi i Zotit kaloi nëpër duart e Papës Françesku kur, në çastin e Kungimit, i rrethuar nga fëmijët, uli kokën, si të donte të kërkonte për vete Bekimin, ashtu si e pati ulur në dukjen e tij të parë, kur u paraqit para botës.
Në çastin e ndarjes, para se të niste rrugën e kthimit në Vatikan, me helikopter, Papa i falënderoi besimtarët e famullisë për pritjen e u kërkoi të luten për të:

“Ju falënderoj për mikpritjen! Jam tejet i kënaqur që shikoj një famulli kaq të gjallë, kaq të bukur, me kaq shumë fëmijë! Është bekim. Vijoni të ecni përpara, ta ndihmoni famullitarin, të përparoni në punë e të luteni për mua. Lutuni për mua!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama