HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-05-31 11:22:25
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Paqartësia e së ardhmes (Emisioni VI)



Në emisionin VI të rubrikës “Te gurra e besimit”, paqartësia e së ardhmes. Njeriu jeton gjithnjë në pritje: kur është fëmijë, pret të rritet, kur bëhet i madh, pret realizimin e vetvetes, suksesin; duke ecur më tej në rrugën e jetës, në sa e ndjen gjithnjë më fort peshën e viteve, pret pushimin e merituar. E, nga një pritje tek tjetra, zbulon se shpresoi tepër pak e se, si t’i ketë kryer detyrat profesionale e t’i ketë thënë lamtumirë pozitës shoqërore, nuk i mbetet më asnjë shpresë. Por njeriu, e me të njerëzimi, nuk mund të rrojë pa shpresa. Sa ka shpresë, ka edhe jetë. Atëherë nuk mund të mos i bëjë vetes pyetjen: “Ku gjindet shpresa, që nuk të braktis? Që nuk mbaron? Që të mban gjithnjë në jetë?”. Ne, të krishterëve nuk na mungon kjo shpresë. Zoti është shpresa jonë. Ai nuk të lëshon kurrë dore, është i pranishëm në gjithë udhën e jetës sonë. Na i ter lotët. Na shoqëron nga djepi, në varr e sidomos, përtej varrit. E në një ditë, jo të largët, premtimet, në të cilat besuam gjithë jetën, përmbushen në mbretërinë e Hyjit, mbretëri e drejtësisë dhe e paqes. Të cilën e presim gjithë jetën.
Por ka mënyra e mënyra të prituri. Nëse koha e sotme nuk është plot kuptim, atëherë mund të bëhet e padurueshme. Nëse pret diçka, por në çastin e pritjes i ke duart bosh, nëse e sotmja jote është e zbrazët, çdo ças i jetuar të duket pambarimisht i gjatë. Pritja bëhet barrë tepër e rëndë për t’u mbartur çdo ditë. Ardhmëria, krejtësisht e paqartë. Po kur koha është e mbushur me kuptim, kur çast për çast perceptojmë diçka të veçantë e të vlefshme, atëherë gëzimi i pritjes e bën të sotmen të dëshiruar e të ardhmen, shumë të çmuar. Jemi gjithnjë në pritje të së ardhmes, përtej kufijve të jetës tokësore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama