HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-08 13:46:16
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 10-të ‘C’



Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 10-të gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik.
Me këtë diele, Kisha katolike i kthehet liturgjisë së kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke vijuar me kremtimin e së dielës 10-të të kësaj kohe sipas vitit liturgjik. Tekstet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 10-të na flasin për ringjalljen.
Jeta është e mira më e çmueshme që ka çdo njeri. Në këtë diele liturgjia e Fjalës së Hyjit kremton jetën e të djalit të vejushës së Nain-it (ungjilli, Lk 7, 11-17), ngjarje që profetikisht qe paraprirë nga kremtimi i jetës së djalit të vejushës së Zareptës (1 Mb 17,17-24). Të dyja ngjarjet janë ngushtë të lidhura mes tyre. Të vdekurit janë dy të ri dhe nënat e tyre janë të veja. Bëhet fjalë për një dhimbje të tmerrshme të personave (vejushat e jetimët) që në shoqërinë hebraike vendosen në shkallën e fundit të shoqërisë, janë gra të sprovuara nga dhimbja më e madhe, humbja e djalit të vetëm. Përgjigja e Elisë profet dhe ajo e Jezusit kanë të njëjtën fizionomi (ringjallja e djalit), por nuk kanë të njëjtin identitet. Në ringjalljen e djalit të vejushës së Zareptes, Elia njihet si profet (“Tani po e di se njeri i Hyjit dhe se fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë”), ndërsa Jezusi njihet si “profet i madh” e si “vizitë e Hyjit” (“Një profet i madh u duke ndër ne! Hyji e pa popullin e vet”), do të thotë Jezusi njihet si Mesi.
Siç pohuam më parë, tekstet e Fjalës së Zotit, pra leximet biblike të kësaj së diele, na flasin për ringjalljen e birit të vejushës së Nainit, që evokon atë që bëri Elia profet dhe arsyetojnë fjalët e turmës, që shpallin Jezusin si profet “Një Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa, e vizitoi popullin e vet!”. E ne që tepër shpesh në jetën e përditshme jemi të tronditur prej ngjarjeve të dhimbshme, Jezusi vjen nëpër udhët e jetës sonë e na thotë: “Çohu!”.
Në Besojmen që rrëfejmë çdo të diel në fillim të kremtimit të Meshës, themi: “Pres të ngjallurit prej së vdekuri dhe jetën në botën që vjen” e në formulën e Simbolit apostolik: “Besoj në ringjalljen e trupit, në jetën e amshuar”. Shën Agostini la të shkruar se “feja e të krishterëve është ngjallja e Krishtit”. Feja, pra, kumton se Krishti është ngjallur e Ai është zanafilla dhe garancia e ringjalljes së jetës sonë njerëzore; Ai na bartë e sjell në botën e re të cilën tani e shohim vagëllimthi, të cilën tani vetëm sa e parandiejmë përtej kësaj ekzistence tokësore. Në djalin e vetëm të gruas vejë që Jezusi, nxitur nga dhimbja, e thirri sërish në jetë (Ungjilli), na dëftohet pushteti që e shfaq si Bir të Hyjit.
Liturgjia bashkon lutjen dhe gjestin e profetit Elia (Leximi I) që i dorëzon nënës të birin që kishte vdekur, me fjalë ngushëllimi i sigurie: “Ja, djali yt jeton!”. Në botën e stërmunduar nga misteri i dhembjes e i vdekjes, në fe kemi argumente të forta për të transmetuar në çdo situatë fjalë dhe gjeste të ringjalljes së jetës. Të bashkuar në mundimet e Jezu Krishtit, në sprovat e udhës sonë tokësore jemi të ngushëlluar e të mbështetur nga fuqia e ngjalljes së Tij.
Siç pohon kënga e hyrjes së Meshës, të kësaj së diele të 10-të, nga psalmi 26,1-2: “Zoti është drita ime dhe shëlbimi im: kë do të druaj? Zoti është mburoja e jetës sime: para kujt do të kem frikë? Kundërshtarët e mi dhe armiqtë, ata vetë shkojnë duke rrëshqitur dhe rënë poshtë”!
Në leximin e parë nga Libri i Parë i Mbretërve , Elia profet tregon dhembshuri ndaj vejush së cilës i kishte vdekur djali dhe nga Zoti fiton ringjalljen e fëmijës. Një besim i ri shkëlqen në shpirtin e nënës për këtë dhuratë të papritur, për këtë gëzim të jashtëzakonshëm.
Për Palin apostull gjithçka fillon me takimin e Damaskut . Nga ai takim Pali pat marr nga Krishti detyrën e kumtimit të Ungjillit paganëve, përkundra asaj që më parë, për shkak të aderimit të tij të fortë në judaizëm, Sauli (Pali) pati persekutuar Kishën.
Ringjallja që Jezusi bëri në Nain, një fshat i Galilesë, në djalin e një gruaje vejë të varfër është shenjë i vet ngjalljes së tij. Jezusi është “Zot”: e është Fjala e Tij që jep sërish jetën.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (1 Mbr 17, 17-24)

Lexim prej Librit të parë mbi mbretërNë atë kohë u sëmur djali i zonjës së shtëpisë. Sëmundja qe shumë e rëndë saqë në të s’mbeti më frymë. Atëherë ajo i tha Elisë: “Ç’kam unë me ty, o njeriu i Hyjit?! Erdhe tek unë që të përkujtohen mëkatet e mia për të ma vrarë djalin”! Por ai i tha: “Ma jep djalin tënd”! dhe e mori prej prehrit të saj, e çoi në dhomën ku banonte ai dhe e vuri mbi shtratin e vet. Atëherë e thirri Zotin në ndihmë e tha: “O Zot, Hyji im! Vallë a do ta pikëllosh deri edhe gruan e ve, tek e cila unë po banoj si i huaj i humbur, saqë bëre t’i vdesë djali”?
Atëherë u shtri tri herë mbi djalin, e thirri ndihmën e Zotit e tha: “O Zot, Hyji im, bëj, po të lutem, të kthehet shpirti i këtij djali në të”! Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë, u kthye shpirti në djalin dhe ai u ringjall. Atëherë Elia e mori djalin, e zbriti prej dhomës së sipërme poshtë në shtëpi, ia dha nënës së fëmijës e tha: “Ja, djali yt jeton”! Gruaja i tha Elisë: “Tani po e di se je njeri i Hyjit dhe se fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë”. Fjala e Zotit!
Psalmi 30 (29)
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
---- ---- ----
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
---- ---- ----
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falenderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot,
e mëngjesi plot hare!
---- ---- ----
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!
---- ---- ----

Leximi i dytë (Gal 1, 11-19)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasëve
Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim. 1
Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë - unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. Fjala e Zotit!
Ì Ungjilli Lk 7, 11-17

Leximi i Ungjillit të shenjët sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit. Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur - djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha:
“Mos qaj”
U afrua, preku vigun - ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha:
“Djalosh, ty po të them: çohu!”
I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.
Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë:
“Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”
Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.
Fjala e Zotit!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama