HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-06-09 18:16:17
A+ A- Printo artikullin



Në Marsejë përfundon ‘Oborri i jo besimtarëve’. Kardinali Ravazi e quan përvojë shumë të pasur



Dita më e ngarkuar me veprimtari e ‘Oborrit të jo besimtarëve’, në Marsejë, u mbyll natën e festës së Zemrës së Krishtit, me Meshën solemne e procesionin eukaristik, kryesuar nga kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës. Pasdite u zhvillua kuvëndimi filozofik, kushtuar filozofëve francezë Kamy e Rikër.
Populli i Zotit ndoqi procesionin duke kënduar udhëve të kryeqendrës kaotike të Provansës. Besimtarë nga vise të ndryshme evropiane e magrebine, veshur me rroba shumëngjyrëshe, ndiqnin Kryqin, duke kënduar litanitë e Zemrës së Krishtit. “O i Lumi Jezu Krisht, zemërbutë e i përvujtë, bëj që zemra ime t’i përngjajë Zemrës sate”- jehonte rrugëve të Portit të lashtë, duke tërhequr kureshtjen e kalimtarëve. Mesha solemne, në Bazilikën e Zemrës së Krishtit, u gjallërua nga këngët e mrekullueshme e devocioni i besimtarëve. Kardinali Ravazi i përcolli asamblesë përshëndetjen e Papës Françesku e, gjatë homelisë, përshkroi katër dritat, që rrezatojnë nga llamba e fjalës, për të ndriçuar udhën: dhembshurinë, intimitetin, dashurinë e gëzimin. Foli pikërisht për atë dhembshuri, që mund të lindë vetëm nga zemra e që sot poshtërohet nga brutaliteti e nga materializmi.
Pasdite, në qendrën dioqezane “Lë Mistral”, ‘Oborri i zemrës’, nxiti një ballafaqim tjetër ndërmjet fesë e laicitetit, përmes takimit të pazakontë ndërmjet dy mendimtarëve francezë bashkëkohorë: Kamy e Rikër. Dy autorë, që ndoqën rrugë krejt të ndryshme, por të dy, të aftë për të zhvilluar një mendim, i cili mund të shikohet si themel për rezistencë racionale përballë nihilizmit.
Për bilançin e këtij Oborri, ku u takuan besimtarë e jo, të dëgjojmë kardinalin Ravazi:

Përgjigje: - Ishin dy pamje të ndryshme. Nga njëra anë, aspekti i besimtarit, që u paraqit me thellësi të veçantë: të mendojmë për kremtimin e madh, procesionin në gji të një metropoli modern, siç është Marseja. Nga ana tjetër, takimi në Oborrin e jo besimtarëve, me një thellësi po aq të madhe e me gjallëri të vërtetë intelektuale, që diskutoi për dy autorë me emër, si Rikër e Kamy. Arritje, kjo, me vlerë të madhe edhe për ‘Oborrin e jo besimtarëve’, parë në përgjithësi.

Pyetje: - Në veçanti ballafaqimi i dy autorëve francezë, Kamy e Rikër, çfarë dëshmoi lidhur me stilin e Oborrit, që tashmë po krijon shkollën e vet....

Përgjigje: - Është interesant të shikosh sesi ‘Oborri i jo besimtarëve’ i Marsejës - që nuk u organizua në kuptimin e ngushtë të fjalës nga ne; ne dhamë vetëm këshilla e ishim të pranishëm - pati origjinalitet të vërtetë. Së pari, sepse zgjodhi këto dy personalitete, që i lidh fakti i lindjes në të njëjtin vit, në të njëjtën epokë, pra, 100 vjet më parë. E, së dyti, përpjekja për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha njerëzore, sidomos pyetjes mbi kuptimin e jetës, të së mirës e të së keqes, të misterit të qenies, natyrisht në këndvështrime krejt të ndryshme. Kamy, nga njëra anë, me pyetjen e vet, që në fund të fundit shuhet në pluhur, ndoshta në pluhurin e heshtjes, të historisë. Rikër, nga ana tjetër, me pyetjen e tij, që hap horizonte mbi jetën e përtejme, mbi transhendencën, mbi misterin, mbi lumninë. Ky është vërtet ‘Oborri i jo besimtarëve’: të gjesh zëra të ndryshme të cilat, megjithatë, bëjnë pyetje mbi problemet më të mprehta, që zjejnë në zemrën e të gjithë njerëzve. E mundohen edhe t’u japin përgjigje, në dobi të njeriut e të njerëzimit, në kërkim të vazhdueshëm të vetvtes e të rrugëdaljes nga shqetësimet shekullore.

Pyetje: - A ju duket ‘Franca laike’ truall ideal për ‘Oborrin’?

Përgjigje: - Kjo është diçka mjaft prekëse. Unë pashë me të vërtetë shumë dëshirë për të dialoguar, shumë ndjeshmëri. E pastaj, përvoja është gjithnjë joshëse kur jetohet në një port të madh, që në të kaluarën përmendej për krime, e shikon se marsejezët ‘e famshëm’, i kanë përsëri të gjitha problemet. Por sot janë probleme shumetnike, e, prej këndej, truall pjellor për të punuar me synime ndërkulturore. Prandaj ishte tejet domethënës takimi me të rinjtë, 50, nga të katër anët e Mesdheut, edhe në luftë ndërmjet tyre, që i shtrënguan dorën njëri-tjetrit e pohuan se mund të ecin së bashku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama