HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-06-12 19:39:33
A+ A- Printo artikullin



Delegacioni evropian mbi gjendjen parazgjedhore në Shqipëri



Në Shqipëri misioni i Këshillit të Evropës, i cili përfundoi një vizitë dy ditore në Tiranë objektivi i së cilës ishte vlerësimi i situatës në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, tha se ato mund të rrezikoheshin për shkak të situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ata u shprehën se gjatë takimeve në Tiranë kanë marrë shqetësime për trysninë e ushtruar ndaj punonjësve të administratës publike, për tentativa për blerje të votës si dhe detyrimin e mediave për të transmetuar materialet filmike të përgatitura nga partitë për fushatat e tyre zgjedhore.
Çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdon të mbetet kryefjala e të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, aq më tepër kur numërimi mbrapsht deri ditën e votimit ka filluar. Javën e shkuar ishte misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të cilët theksuan se funksionimi i Komisionit vetëm me katër anëtarë “pengon aftësinë e tij për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin”.
Mbrëmë shqetësimit për pasojat e krizës në KQZ iu bashkua edhe misioni i parlamentarëve të Këshillit të Evropës i kryesuar nga italiani Luka Volonte, sipas të cilit delegacioni “shpreh keqardhjen e tij që kriza e KQZ-së nuk është zgjidhur akoma. Për aq kohë sa KQZ-ja konsiderohet si e paplotë, atëherë realizimi demokratik i zgjedhjeve mund të rrezikohet”.
I së njëjtës ide ishte dhe anëtari i delegacionit, deputeti grek Petros Cacopulos: "Siç e kemi thënë edhe më parë, KQZ-ja është një problem shumë serioz. Mund të transformohet në një rrezik, me të vërtetë një rrezik pasi KQZ-ja është aktori kryesor për rezultatin e këtyre zgjedhjeve”.
Cacopulos tha se çështja e KQZ nuk mund të kthehet në një peng. Sipas tij “një Shqipëri demokratike e cila dëshmon veten si një vend me pjekuri të qenësishme, është një vend ku nuk mund të mendohet se politikanët mund të bëjnë lojëra kur vjen puna për rezultatin e zgjedhjeve. Veçanërisht kur rezultati është i ngushtë. Politikanët tuaj e kanë marrë atë mesazh dhe nëse bëjnë të tilla lojëra do të rrezikojnë. E di që ka ndodhur në të shkuarën, por nuk dua të fajësoj asnjë apo t’i faturoj ndonjërit përgjegjësitë”, tha anëtari i asamblesë së Këshillit të Europës duke shtuar se kryeministri Berisha kishte garantuar se do të njihte rezultatin e zgjedhjeve cilido qoftë ai, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk e kishin bërë një gjë të tillë, u shpreh zoti Tzatsopoulos.
Përfaqësuesit e Këshillit të Europës thanë se gjatë takimeve të shumta në dy ditët e vizitës në Tiranë atyre u ishin shprehur “shqetësime lidhur me disa pretendime për presion të ushtruar ndaj punonjësve të sektorit publik, për tentativat e shtuara për blerjen e votës, mosrespektimin e kuotave gjinore apo transparencën e ulët të financimit të partive. Po ashtu detyrimi për të transmetuar përmbledhje të fushatave zgjedhore të përgatitura nga palët që nuk i nënshtrohen redaktimit editorial shihet nga gazetarët si një kufizim i lirisë së shprehjes” tha zoti Volonte.
Kreu i delegacionit të Këshillit u shpreh se “Shqipërisë i nevojiten zgjedhjet e 23 qershorit për të plotësuar angazhimet e Këshillit të Europës, standartet e tij dhe njëkohësisht për të konfirmuar angazhimin real të Shqipërisë për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.
Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, përgëzoi organizatën për shtyrjen me tetë vjet, të afatit për plotësimin e disa detyrimeve për prodhimet farmaceutike. Fjala është për pronësinë intelektuale mbi formulën e tyre, e cila mbrohet me ligj.
Shpesh, nga ana e vendeve të pasura, formula mbahet sekret, ose vendosen kufi në përdorimin e saj nga ana e vendeve të varfra, duke mos u dhënë atyre mundësi të kurojnë të sëmurët e tyre.
Çështja është veçanërisht e rëndësishme për sëmundje si Sida. Ilaçet kundër virusit Hiv kushtojnë, sepse monopoli i formulës së tyre mbahet nga shtëpi farmaceutike në vendet e pasura, të cilat kanë regjistruar formulën dhe nuk lejojnë përdorimin e saj, pa lejen e tyre, domethënë pa shuma të majme të hollash.
Edhe vendet e varfra duhet t’i përshtaten sistemit të së drejtës së autorit, por, siç theksoi imzot Tomazi, kjo nuk duhet të bëhet në dëm të përmasës humanitare dhe etike.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama