HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-12 16:34:14
A+ A- Printo artikullin



Papa: e keqja nuk mungon, por Zoti është më i fortë; Kisha t’ua hapë portat të gjithëve, me dashuri.



Kisha t’i hapë portat, që të gjithë, të gjithë ta ndjejnë veten të dashur e të falur; e edhe të largëtit të mikpriten me dashuri e respekt. Ky është mesazhi i Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, gjatë së cilës shpjegoi përkufizimin e Koncilit për Kishën si “Popull i Zotit”. Papa hapi me më se 70 mijë të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, një dialog të mirëfilltë, i përshëndetur me stuhi duartrokitjesh.

Jo një grup i zgjedhur e i padepërtueshëm, por ‘Popull i Zotit’, me portat e hapura mbi botën, që ka për ligj dashurinë e krishterë, që mikpret, respekton, fal, inkurajon. Këtë kishin në mendje Etërit konciliarë, kur pohuan se Kisha është “Popull i Zotit”. Papa Françesku e ripohoi këtë me plasticitetin tipik të katekizmave të tij, që të tërheqin menjëherë e drejtpërdrejt, pa u kënaqur me një dëgjim të çkujdesur, duke e thithur krejtësisht dëgjuesin. Mbi të gjitha, kujtoi, të jesh Popull i Zotit...
“... do të thotë se Zoti nuk i përket në mënyrë të veçantë asnjë populli; sepse është Ai, që thërret, që mbledh, që fton për të bërë pjesë në popullin e tij, e kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa asnjë dallim, sepse mëshira e Zotit dëshiron t’i shpëtojë të gjithë. Jezusi nuk u thotë Apostujve, e nuk na thotë as ne, të formojmë një grup të ngushtë, grup të zgjedhurish. Dua t’i them edhe atij, që ndjehet larg Zotit e larg Kishës, atij që është i druajtur a indiferent, atij që mendon se nuk mund të ndërrojë më: Zoti të thërret edhe ty të bësh pjesë në popullin e vet dhe e bën këtë me shumë respekt e dashuri”.
Dashuri është fjala themelore: ‘Dashuri për Hyjin e për të afërmin”. Dashuri, që nuk është sentimentalizëm i shterpët, as ndjenjë e akullt. Dashuri do të thotë ta pranosh Hyjin si të vetmin Zot të jetës e, njëkohësisht, ta pranosh edhe tjetrin si vëlla të vërtetë, duke i kapërcyer përçarjet, rivalitetet, egoizmin:
“Kur shikojmë në gazeta a në televizor luftërat ndërmjet të krishterëve, nuk mund të mos pyesim: po si mund të ndodhë kjo? Si mund të ndodhë në lagje, në vendet e punës. Si mund të ketë aty luftë për shkak mllefesh, zilish, egoizmi! Edhe brenda familjeve, luftë ndërmjet anëtarëve. Duhet t’i kërkojmë Zotit hirin të na bëjë ta kuptojmë mirë ligjin e dashurisë. Sa bukur është kur e duam njëri- tjetrin si vëllezër! Sa bukur!”.
Ligji i dashurisë jo vetëm që duhet të vërë në rregull jetën e të krishterit, por duhet edhe të kumtohet. Kush e ndjek Jezusin, kujtoi Papa, është kripë e tharm në botë, është dritë. Si drita verbuese, vërejti Papa Françesku, i shoqëruar me duartrokitje, që mund të ndriçojë Stadiumin Olimpik të Romës, ose atë të Shën Lorencit, në Buenos Ajres. Kur secili nga 70 mijë vetët, që të rrethojnë, ndez dritën e vet, pohoi akoma, mund ta ndriçojmë edhe skutën më të errët, ku struket e keqja:
E keqja është e pranishme mes nesh. Djalli nuk rri kurrë i qetë. Por dua të them me zë të lartë: Zoti është më i fortë. E, a e dini pse është më i fortë? Sepse është Zot, i vetmi Zot!"
Urimi përfundimtar e çoi Papën përsëri në fillim të katekizmit, të cilin e përmblodhi në disa gjuhë, me forcën dhe ngrohtësinë e një përqafimi, që i bëri të gjithë ta ndjejnë veten pjesëtarë e në vijë të parë të frontit të ‘Popullit të Zotit’, në prag të portave të kishave, për të pritur me respekt e dashuri të afërmin e të largëtin e gati për të ndezur dritën e vet, për ta zbuar djallin nga të gjitha skutat, ku mundohet të fshihet:
"Kisha duhet të jetë vendi i mëshirës e i shpresës së Hyjit, ku secili duhet ta ndjejë se mikpritet, duhet, falet e inkurajohet të jetojë jetën e mirë, sipas Ungjillit. E që tjetri ta ndjejë veten të mirëpritur, të dashur, të falur, të inkurajuar, Kisha duhet të jetë gjithnjë me porta hapur, që të mund të hyjnë të gjithë. Ndërsa ne duhet të dalim nga këto porta e të kumtojmë Ungjillin”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama