HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-12 14:05:17
A+ A- Printo artikullin



Papa: të krishterët ta mundin tundimin për t’u zmbrapsur si dhe progresizmin adoleshent.



Nuk duhet të kemi frikë nga liria, që na e jep Shpirti Shenjt: këtë nënvizoi sot Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se në këtë çast Kisha duhet të ruhet nga dy tundime; tundimi për të shkuar mbrapa e ai i progresizmit adoleshent. Në Meshë, bashkëkremtuar nga kardinali João Braz de Aviz, mori pjesë edhe një grup meshtarësh, rregulltarësh e laikësh të Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare. Ndërmjet pjesëmarrësve, edhe kardinali Bernard Agré.

“Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për të shlyer ligjin”. Papa Françesku e zhvilloi homelinë duke u nisur nga këto fjalë të Jezusit drejtuar dishepujve. E menjëherë pas, nënvizoi se ky fragment ungjillor, që vjen pas atij të Lumnive, flet për ligjin e ri, më kërkues se ai i Moisiut. Ky ligj, vijoi Papa, është fryt i Besëlidhjes e nuk mund të kuptohet pa të. Kjo Besëlidhje, vijoi, ky ligj, është i shenjtë, sepse e çon popullin tek Hyji. E, më pas, e krahasoi këtë ligj me gonxhen, që shpërthen e bëhet lule. Jezusi është shprehje e pjekurisë së ligjit, pohoi Papa, e shtoi se Pali na flet për dy kohë, pa e këputur vazhdimësinë ndërmjet ligjit e historisë; ligjit e Shpirtit Shenjt:
“Ora e përmbushjes së ligjit, ora në të cilën ligji arrin pjekurinë: është ajo e ligjit të Shpirtit Shenjt. Përparimit në këtë rrugë nuk i mungon rreziku, por është e vetmja rrugë për të fituar pjekurinë, për të dalë nga kohët, në të cilat nuk jemi të pjekur. Në këtë udhë kah pjekuria e ligjit, që vjen pikërisht me predikimin e Jezusit, nuk mungon kurrë druajtja, druajtje e lirisë, që na jep Shpirti Shenjt. Ligji i Shpirtit na bën të lirë! Kjo liri na tremb paksa, nga që druhemi se mund ta ngatërrojmë lirinë e Shpirtit, me ndonjë liri tjetër njerëzore”.
Ligji i Shpirtit, vijoi Papa, na çon në rrugën e përpjekjes së vazhdueshme për të bërë vullnetin e Zotit. E kjo na tremb. Frika buron nga dy tundime: tundimi i parë është për t’u kthyer mbrapa, për të pohuar se mund të shkojmë deri aty e nuk mund të ecim më përpara; se, në fund të fundit, duhet të ndalemi aty ku arritëm. Ky është tundimi, që buron nga frika prej lirisë, nga druajtja prej Shpirtit Shenjt. Një frikë, e cila na kujton se është më mirë të ecim në rrugë të sigurt. Për ta sqaruar këtë mendim, Papa tregoi historinë e një eprori të përgjithshëm që, në vitet ’30, kishte mbledhur për rregulltarët e vet, të gjitha porositë që duheshin respektuar, për të mos iu kundërvënë karizmës. Punë që vijonte prej vitesh. Pastaj kishte shkuar të takonte, në Romë, një abat benediktin i cili, si e dëgjoi këtë fakt, i tha se kështu, në fund të fundit, e kishte vrarë karizmën e Kongregatës së tij, kishte vrarë lirinë, duke harruar se karizma jep fryte në liri, e ai i kishte vënë prita karizmës:
Ky është tundimi për të ecur mbrapa, sepse jemi më të sigurt kur zmbrapemi: po sigurinë e plotë mund ta gjejmë vetëm në Shpirtin Shenjt, që të çon gjithnjë përpara, të jep besim – siç thotë Pali – sepse Shpirti Shenjt është kërkues, na kujton fjalët e Jezusit: ‘Me të vërtetë me të vërtetë po ju them: s’erdha ta shlyej, por ta përkryej ligjin: derisa të jetë qielli e toka, asnjë gërmë e asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjitha’. Është më kërkues! Por nuk na a jep sigurinë njerëzore. Nuk mund ta kontrollojmë Shpirtin Shenjt: ky është problemi. E ky, edhe tundimi”.

E pastaj, vijoi Papa, është edhe tundimi i ‘progresizmit adoleshent” për të dalë prej udhe. Për të parë një kulturë e për të mos qenë shumë të shkëputur prej saj:
“Marrim pak këtu, pak atje nga vlerat e kulturave. Duan ta bëjnë këtë ligj? Përpara me këtë ligj! Duan të shkojnë përpara me këtë? E zgjërojnë pakëz rrugën. Në fund shihet se nuk është progresizëm i vërtetë. Është progresizëm adoleshent: si adoleshentët, që duan ta kenë gjithçka me entuziazmin e moshës e në fund? Rrëshqitet... Sepse kur rruga është e shtruar me akull, makina rrëshqet e del jashtë udhe... Është ky tundimi tjetër, në këtë çast. Ne, në këtë çast të historisë së Kishës, nuk mund të shkojmë as përmbrapa e as të dalim jashtë udhe”.
Rruga, vijoi Papa, është ajo e lirisë së Shpirtit Shenjt, që na bën të lirë, në përpjekjen për ta dalluar vazhdimisht vullnetin e Zotit, për të ecur përpara, pa u zmbrapsur e pa dalë jashtë rruge. T’ia lypim Zotit, përfundoi Papa, hirin që të na japë Shpirtin Shenjt, për të ecur përpara”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama