HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-13 12:05:54
A+ A- Printo artikullin



Figura e Shën Antonit të Padovës në fjalët e Benediktit XVI



Papa Benedikti XVI foli mbi figurën e Shën Antonit të Padovës në audiencën e përgjithshme të 10 shkurtit 2010
Gjatë katekizmit, të audiencës së përgjithshme të së mërkurës së 10 shkurtit 2010, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa i nderit Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin Shën Antonit të Padovës, bashkëkohës i Shën Françeskut, të cilin Ati i Shenjtë Ratcinger e quajti “Një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithmbarshme”. Benedikti XVI kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht të varfëritë ata, që do të na mikpresin në Qiell. Mësim me vlerë – theksoi Benedikti XVI – sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, duke kujtuar aftësinë e shën Antonit si predikatar, i ftoi meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë - predikimet, për ta paraqitur në mënyrë sa më të kuptueshme e prekëse, bukurinë e amshuar të Krishtit.

Lisbona ishte vendlindja e tij tokësore, ndërsa Padova, vendi prej nga u nis për në qiell. Ndërmjet këtyre poleve gjeografike, që u bënë në shekuj simbole universale të Shenjtit, e kaloi jetën njerëzore e shpirtërore Antoni i Padovës (emër, që në shqip, mori trajtën Ndue), njeri i pajisur me shkencë, doktrinë e gojëtari të krishterë aq, sa të ngarkohej nga eprorët françeskanë me detyrën që t’i kushtohej kryesisht predikimeve. Shkrimet e tij - vërejti Benedikti XVI - janë plot me freskinë dhe me bukurinë e Ungjillit deri në atë masë, sa edhe sot e kësaj dite, mase 800 vjet pas vdekjes së tij, mund t’i lexojmë me të njëjtin përfitim shpirtëror. E jo vetëm. Shën Antoni i Padovës, që deshi të bëhej vëlla i vogël e që në vitin 1221 njohu personalisht Shën Françeskun në Kapitullin e famshëm të rrogozave, ishte ai që, me dhantitë e spikatura të mençurisë, të drejtpeshimit e të zellit apostolik – shpjegoi Benedikti – dha një ndihmesë të shquar në zhvillimin e përshpirtërisë françeskane. Por në predikimet e tij vërehet edhe një cilësi tjetër themelore, ajo e afshit mistik:
“Në këto Sermone, apo predikime, Shën Antoni flet për lutjen, si për një lidhje dashurie, që e shtyn njeriun të bisedojë ëmbëlsisht me Zotin, duke provuar një gëzim të papërshkrueshëm, i cili e mbush plot shpirtin, që lutet. Antoni na kujton se njeriu që lutet, ka nevojë për një atmosferë heshtjeje, e cila nuk përkon me shkëputjen nga zhurma e jashtme, por është përvojë shpirtërore, që synon ta largojë njeriun nga hutimet e shkaktuara prej shqetësimeve të shpirtit, duke krijuar heshtjen e vetë shpirtit”.
Në këtë rrugëtim të mirëfilltë të jetës së krishterë, të cilin Shenjti e propozon me mësimet e tij, lutja krijon mundësitë që Zoti të hyjë në sferën e ndjenjave, të vullnetit, të zemrës, duke ndjekur katër rrugë, të cilat Benedikti XVI i nënvizoi për besimtarët e sotëm:
T’ ia hapim plot besim zemrën tonë Zotit: ky është hapi i parë i lutjes; jo vetëm ta dëgjojmë fjalën, por ta hapim zemrën në praninë e Zotit; pastaj të bisedojmë përzemërsisht me Të, duke e ndjerë të pranishëm në shpirt; më pas- gjë shumë e natyrshme – t’ia paraqesim nevojat tona; e, së fundi, ta lavdërojmë e ta falënderojmë”.
Në kohën kur jetoi Shenjti i Mrekullive, pra Shën Antoni, dëshira për t’u lutur Zotit ishte zbehur ndjeshëm. Qytetet dhe tregtitë, që nisën të lulëzojnë përsëri në fillim të shekullit të 13-të, flasin edhe për rritjen e numrit të njerëzve të pandjeshëm ndaj nevojave të të varfërve:
“Antoni më se një herë i ftoi njerëzit të mendojnë për pasurinë e vërtetë, atë të zemrës, që na bën të mirë e të mëshirshëm e na ndihmon të mbledhim thesare për Qiell (…). Thua s’është ky, miq të dashur, një mësim tejet i rëndësishëm edhe për sot, kur kriza financiare dhe humbja e ekuilibrit ekonomik shkaktojnë varfërimin e shumë njerëzve dhe krijojnë kushte mjerimi? Në Enciklikën time “Caritas in Veritate” kujtoj: “Që të funksionojë në mënyrë korrekte, ekonomia ka nevojë për etikë, jo për çfarëdolloj etike, por për një etikë që është mike e njeriut”.
Dishepull i Shën Françeskut, Antoni e vuri Krishtin në qendër të thirrjes e të apostullimit të tij. Përveç kësaj - shtoi Benedikti XVI – për Antonin është themelor kundrimi i Kryqit, që mbetet po aq i rëndësishëm edhe për kulturën bashkëkohore:
“Vegimi i Kryqit i frymëzon Antonit mendime mirënjohjeje për Zotin e nderimi për njeriun; kështu të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, mund të gjejnë tek i Kryqëzuari e tek simboli i tij, një domethënie, që ta pasuron jetën (…) Në këtë mënyrë, i tërë dinjiteti njerëzor duket në pasqyrën e Kryqit e shikimi i ngulur drejt tij, është gjithnjë burim i njohjes së këtij dinjiteti”.
Nga një predikatar i shquar, si Shën Andou i Padovës, mendimi i Benediktit XVI shkoi tek ata, që kanë sot detyrën për t’i komunikuar bazat e fesë me zell e energji, por në mënyrë të kuptueshme e të paharrueshme. Benedikti XVI e përfundoi katekizmin e 10 shkurtit 2010 duke e nxitur klerin, të jetë i zellshëm në shërbimin e kumtimit e në aktualizimin e Fjalës së Zotit para besimtarëve, posaçërisht – porositi Benedikti XVI - përmes homelive liturgjike:
“Ato të jenë paraqitje e bukurisë së amshuar të Krishtit, pikërisht ashtu siç porosiste Shëna Ndou: “Në se predikon Krishtin, ai i shkrin zemrat e ngurrëta; në se i lutesh, Ai i ëmbëlson tundimet e hidhura; në se mendon për Të, ta mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta shuan etjen e mendjes”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama