HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-13 11:45:48
A+ A- Printo artikullin



Më 13 qershor, Kisha kujton shëna Ndoun e Padovës



Sot, më 13 qershor, Kisha katolike përkujton Shëna Ndoun e Padovës, meshtar françeskan e Doktor i Kishës. Lindur në Portugali, njohu Shën Françeskun e Asizit e në saje të mandatit të tij predikoi në Itali, ku shumë shpejt u bë i famshëm për holemitë e tij të përqendruara mbi dashurinë e përvujtërinë e duke kritikuar ashpër hipokrizinë, koprracinë e mendjemadhësinë. “Predikimi është i frytshëm atëherë kur flasin veprat” – thoshte shëna Ndou duke këshilluar: “të merrnin fund, ju lutëm, fjalët, le të flasin veprat”. Sot, Shëna Ndou apo Shën Antoni është i njohur në mbarë botën si “Shenjti i Popullit” e “Taumaturg” – “Mrekullibërës”. E kudo në botë, posaçërisht në Padovë të Italisë e Lisbonë të Portugalisë, po edhe ndër shqiptarë, Shën Antoni festohet me nderim të posaçëm e me solemnitet të veçantë në Laç të Sebastes, në Gjakovë, në Prishtinë, Glloxhan e vende tjera, ku mijëra besimtarë shtegtojnë në Kishat kushtuar shenjtit në trojet shqiptare.
Po të ndalemi te figura e këtij teologu të shquar e këtij mësuesi shembullor të jetës baritore, që është Shën Antoni.
Doktori ungjillor, si e quajti Papa Piu XII Shën Antonin, lindi në Lisbonë, në gjirin e një familjeje fisnike, rreth vitit 1195 e u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër kanonikët që ndiqnin rregullin e Shën Agostinit, së pari në kuvendin e Shën Vinçencit, në Lisbonë, më pas, në Atë të Shëna Krygjës, në Koimbra, asokohe qendër e njohur kulturore e Portugalisë.
Iu kushtua me zell studimit të Biblës e të Etërve të Kishës, duke fituar atë shkencë teologjike, të cilën më pas e vuri në jetë me fryt në veprimtarinë e mësimdhënies e të predikimit. Në Koimbra ndodhi ngjarja, që do të shënonte kthesën e madhe të jetës së tij: këtu, më 1220, u vendosën për nderim në elter, reliket e pesë misionarëve të parë françeskanë, që kishin shkuar në Marok, ku ishin martirizuar. Fundi i jetës tokësore të martirëve ngjalli në zemrën e Fernandit të ri dëshirën për të ecur në gjurmët e tyre e për të përparuar në udhën e përsosurisë së krishterë. Lypi, atëherë, të largohej nga Kononikët agostinanë e të bëhej vëlla i vogël.
Kërkesa e tij u pranua e, si mori emrin Anton, u nis edhe ai për në Marok, por Provania hyjnore vendosi ndryshe. Pas një sëmundjeje të rëndë, u detyrua të rikthehej në Itali e, në vitin 1221, mori pjesë në Kapitullin e famshëm të rrogozave, në Asizi, ku u takua me Shën Françeskun. Më pas jetoi në heshtje të plotë, në një kuvend pranë Forlìsë, në veri të Italisë, ku Zoti e thirri për një mision tjetër.
I dërguar rastësisht për të predikuar në shugurimin meshtarak të një sivëllait, tregoi se ishte i pajisur me aftësi të shquara shkencore e me gojëtari të bindshme. Atëherë eprorët menduan t’i kushtohej posaçërisht predikimit. E ai nisi, më parë në Itali e pastaj në Francë, një veprimtari apostolike të dendur e të frytshme, përmes së cilës arriti t’i rikthejë në gjirin e Kishës shumë njerëz, që ishin shkëputur prej saj. Antoni qe edhe një nga mësuesit e parë të teologjisë të vëllezërve të vegjël, për të mos thënë i pari.
Nisi të japë mësim në Bolonjë, me bekimin e vetë Shën Françeskut i cili, duke i njohur virtytet e Shenjtit të ardhshëm, i dërgoi një letër të shkurtër, që hapej me këto fjalë: “Më pëlqen që u mëson teologji vëllezërve”. Antoni hodhi bazat e teologjisë françeskane që, e kultivuar nga figura të tjera mendimtarësh të shquar, arriti majat me Shën Bonaventurën nga Banjorexhio dhe me të Lumin Duns Skot.
Si u bë Epror provincial i Vëllezërve të vegjël françeskanë të Italisë veriore, vijoi të predikonte, pa hequr dorë nga drejtimi i provincës, që i qe besuar. Pasi përfundoi detyrën e ngarkuar, u tërhoq në Padovë, ku kishte shkuar edhe herë të tjera. Pas një viti, mbylli sytë tek Portat e qytetit, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me entuziazëm e dashuri në jetë, e bëri të vetin, me nderim e devocion, edhe pas vdekjes.
Vetë Papa Gregori IX, pasi e kishte dëgjuar duke predikuar, e quajti “Arka e Besëlidhjes” dhe e shpalli shenjt vetëm një vit pasi ndërroi jetë, më 1232, pas mrekullive të mëdha, që ndodhën me ndërmjetësimin e tij.
Në periudhën e fundi të jetës, Antoni shkroi dy cikle me titullin ‘Sermone’ (Predikime), të cilat i titulloi “Sermonet e së dielës” dhe ‘Sermonet kushtuar shenjtorëve”, për përdorim nga predikatarët dhe nga mësuesit e teologjisë të Urdhrit Françeskan. Aq të pasura në mësime shpirtërore ishin këto dy vepra, sa Papa Piu XII, në vitin 1946, e shpalli Antonin “Dijetar i Kishës”, duke i dhënë titullin “Doktor ungjillor”, sepse nga shkrimet e tij, që mund t’i lexojmë edhe sot e kësaj dite, buron freskia e bukuria e Ungjillit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama