HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-13 14:31:39
A+ A- Printo artikullin



Papa: të mos fyhet e vritet tjetri me fjalë, të ndjekim Ligjin e butësisë



Zoti na dhashtë hirin të kemi kujdes në komentet, që bëjmë për të tjerët: kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë e shqiptoi homelinë në spanjisht, pasi në kremtim ishte i pranishëm personeli i ambasadave dhe i konsullatave të Argjentinës në Itali e pranë FAO-s. Që prej 26 shkurtit, nuk e kam kremtuar meshën në spanjisht, nënvizoi Papa, i cili falenderoi të pranishmit për impenjimin e tyre në favor të atdheut të përbashkët.
Gjatë homelisë Ati i Shenjtë komentoi fjalët që u thotë Jezusi dishepujve, në Ungjillin e sotëm. Pasi u shpjegon lumnitë e pasi saktëson se nuk ka ardhur në këtë botë për ta prishur Ligjin, por për ta çuar drejt plotësimit, Jezusi u kërkon të vetëve të ushtrojnë një drejtësi të ndryshme nga ajo e farisejve. Kjo e Jezusit, tha Papa Françesku, është reformë e vazhdimësisë: nga fara tek fryti i pjekur. Prandaj, kush hyn në jetën e krishterë, ka kërkesa më të larta se të tjerët, por jo avantazhe më të mëdha. E Papa Françesku përmendi disa nga këto kërkesa, duke u ndalur veçanërisht në temën e marrëdhënieve negative me të tjerët.
Ai që mallkon, pohon Krishti, meriton ferrin. Nëse kemi në zemër inat, smirë, zemërim për tjetrin, komentoi Ati i Shenjtë, ka diçka që s’shkon, duhet ndryshuar. Zemërimi e sharja kundër tjetrit e vret atë, ka diçka nga vdekja. Shpesh njerëzit e kanë zakon të shpikin epitete për të tjerët, por këto nuk duhet të jenë denigruese, nuk duhet t’ua nxijnë atyre jetën:
“Nuk kemi nevojë të shkojmë tek psikologu për të kuptuar se kur e vrasim me fjalë ndokënd, do të thotë se nuk jemi në gjendje të tregojmë sa na vlen lëkura e na duhet ta përulim tjetrin, për t’u ndjerë dikushi”.
Jezusi, vazhdoi Papa Françesku, na këshillon të mos flasim keq për tjetrin, sepse, në fund të fundit, ecim të gjithë në të njëjtën udhë e nëse ajo nuk është vëllazërore, së bashku do të përfundojmë keq. Nëse ndokush nuk është në gjendje t’i verë fre gjuhës humbet, ashtu si Kaini, agresiviteti i natyrshëm i të cilit kundër Abelit, përsëritet në histori. E kështu, për ndokënd është më e thjeshtë të zgjidhet situata me fyerje, me shpifje, me përgojim, se sa me të mirë:
“Dua t’i lutem sot Zotit të na japë të gjithëve hirin për të pasur më shumë kujdes me gjuhën, me fjalët që u themi të tjerëve. Është një lloj pendese e vogël, por jep fryte të mira. Nganjëherë, kur përmbahet, njeriu e ndjen veten si të uritur e thotë: ‘Sa keq që nuk e shijova komentin kaq me thumb kundër tjetrit’. Por, pas një farë kohe, ajo uri jep fryte e na bën mirë”.
Ja përse duhet t’ia kërkojmë Zotit këtë hir, tha në fund Papa Françesku, i cili i këshilloi të pranishmit të jetojnë sipas Ligjit të ri të butësisë, të dashurisë, të paqes, duke e “krasitur” pak gjuhën e komentet kundër të tjerëve, por edhe zemërimet e shpërthimet e brendshme, që na nxisin t’i fyejmë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama