HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-13 15:16:55
A+ A- Printo artikullin



Papa lajmëron botimin e një enciklike për fenë, shkruar “me katër duar”



I rëndësishëm, takimi i sotëm i Papës Françesku me Këshillin e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbledhur në Vatikan për të diskutuar mbi temën “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë”. Duke lënë mënjanë fjalimin e përgatitur, Ati i Shenjtë bashkëbisedoi lirisht me të pranishmit.
Një Enciklikë për fenë, qe lajmi më i rëndësishëm që u dha Papa, duke u shpjeguar se përse nuk botohet tani Nxitja Apostolike pas sinodale, e cila do të eklipsohej nga vetë Enciklika. Është shkruar “me katër duar”, qeshi Ati i Shenjtë duke cituar shprehjen, që i referohet rënien së pianos nga dy vetë. Pastaj shpjegoi se enciklika është filluar nga Benedikti XVI e do të çohet deri në fund nga Papa aktual, pra nga ai vetë, që do të punojë për të sidomos gjatë gushtit, kur impenjimet do të jenë më të pakta.
Duke kërkuar që Sinodi i Ipeshkvijve të favorizojë më tepër dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet ipeshkvijve dhe ndërmjet tyre e Ipeshkvit të Romës, Papa Françesku i propozoi Këshillit tri tema reflektimi për të ardhmen. Së pari, çështja e bashkëjetesave para martesës, të cilat janë të shpeshta edhe në gjirin e katolikëve; së dyti, ekologjia e njeriut, mbrojtja e njeriut, para praktikave aktuale të mjekësisë, që shkojnë kundër vlerave kryesore të jetës; e së treti, tema e Kishës, me të gjitha dritëhijet e saj, duke përfshirë bashkëpunimin e koordinimin ndërmjet Sinodit e Ipeshkvit të Romës. Të gjitha këto tema, nënvizoi Ati i Shenjtë, u janë propozuar këshillit prej tetë kardinajsh, të cilët Papa i ka thirrur për të dhënë sugjerime mbi mbarëvajtjen e Kishës Katolike.
Ndërkaq, në fjalimin e përgatitur, të cilin e përmblodhi në fillim, Papa Françesku vuri në dukje rëndësinë e ungjillëzimi të ri, sidomos në vendet tradicionalisht të krishtera, ku feja duhet të gjejë rrugë të reja për t’u shprehur e për t’u jetuar. Duhet të dalim nga vetvetja, e këshillon Papa argjentinas bashkësinë e krishterë, duke i besuar krejtësisht pranisë së mëshirshme të Zotit, që na udhëheq. Teknikat, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë të rëndësishme, por as ato më të përsosurat nuk mund ta zëvendësojnë veprimin pa bujë, por të frytshëm të Shpirtit Shenjt. Pra, duhet ta lëmë veten të udhëhiqemi prej Tij, megjithëse na çon në udhë të reja, duke e shoqëruar kumtimin e Ungjillit të Krishtit me thjeshtësinë e jetës, me frymën e lutjes, me bamirësi për të gjithë, sidomos për më të vegjlit e më të varfërit, me përvuajtëri e përshpirtëri.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama