HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-14 18:11:49
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 11-të “C”



Dashuria është pikë referimi e Hyjit në njeriun! Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia Hyjnore e dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, përmes Fjalës së Zotit, na thërret të reflektojmë mbi përdëllimin e Hyjit. Zoti i dëfton njeriut dashurinë e vet me mëshirë e falje. Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është falja. Në të vërtetë, mëshira hyjnore është konstante në të gjitha kremtimet liturgjike, ku populli Zotit takohet me Hyjin e vet e nga Ai merr gjithçka e çdo të mirë. Në këtë të diele vijojmë me leximin e ungjillit të Lukës, duke dëgjuar një pjesë e cila na flet e zbulon mëshirën, përdëllimin e Hyjit.
Pikërisht duke na kujtuar këtë perspektivë, Kisha sot, na thërret të reflektojmë mbi mëshirën e Zotit, duke na vënë para dy figura mëkatarësh të penduar: Davidin dhe një mëkatare publike.
Dashuria e Hyjit, që shfaqet në falje të pambarim, në Jezu Krishtin mishërohet e dëshmohet në faljen që na shpëton nga mëkatet dhe na përfshinë e bashkon në përqafimin e Atit Qiellor. Njeriu, që pendohet e rrëfen me sinqeritet mëkatin e vet para Hyjit, fiton dhe përjeton përdëllimin e Tij Hyjnore të pa masë.
E mirë pra, të pajtuar e të bashkuar me Hyjit Atë me dhe në flijim të Krishtit, ta falënderojmë Hyjin e Gjithëpushtetshëm që na shëlbon e të përgatitemi për kremtimin e takimin tonë me Të në Liturgji Hyjnore duke falur njëri-tjetrin anasjelltas, ashtu sikur Ai na falur e vazhdimisht na falë. Të mos harrojmë se falja e pajtimi, në Bibël, nuk janë thjesht fshirje me shpuzë të mangësive, të mëkateve e gabimeve tona ndaj Zotit e të afërmit që kemi bërë në të kaluarën. Po është diçka shumë më tepër se të rivendosësh një kontakt të ri, dmth. të jesh bir e bijë e rilindur e Zotit, pjesëmarrës e pjesëtar i Jetës Hyjnore.
Falja e pajtimi janë akte, janë vepra ri-krijuese, ri-lindëse. Me fjalë tjera, në zemra ime përforcohet e ripërtërihen jo nga jashtë por në brendësi të thellë nga përdëllimi i Hyjit. Përndryshe gjesti i faljes së “krijuesit” do të reduktohej e përkufizohej thjeshtë në një gjest të edukimit të mirë. Po Krishti na mëson se përdëllimi (mëshira) e Hyjit nuk është edukim por dashuri që dhuron jetën, atë jetë që nuk ka mbarim e që gurrën e ka vetëm e vetëm në Hyjit Atë.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Sam 12, 7-10. 13

Davidi ka bërë një mëkat të madh, por profeti Natan shpall se Hyji nuk mendon për ndëshkim dhe ritet e pastrimit nuk kanë vlerë. Nuk janë ndëshkimet apo ritet e larjes që ndreqin të keqen e kryer, por marrëdhëniet personale të njeriut me Hyjin dhe vëllezërit.
Pas mëkatit njeriu që kthehet, mund të rizbulojë një marrëdhënie më të thellë me Hyjin.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit. Në dorën tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde, e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër.
Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit! Për këtë arsye askurrë nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.” Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit!”
E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. Fjala e Zotit.

Psalmi 32

Ma e jep, o Zot, faljen tënde!
----- ----- -----
Lum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron
ndër mëkatarë,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
----- ----- -----
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
----- ----- -----
Ti je strehimi im, ti më ruan
prej vështirësisë,
do të më rrethosh me këngë gëzimi.
----- ----- -----
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,
brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.
----- ----- -----

Leximi i dytë Gal 2, 16. 19-21

Pali për herë të parë këndon vdekjen e Krishtit në vetvete. Për Palin kryqi bëhet mënyra për të kryqëzuar ligjin, për të shkatërruar në ne hipokrizinë e bindjes së jashtme ndaj ligjit.
Kryqi na bën të aftë për të jetuar dhuratën falas të Hyjit në lirinë e vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, e dimë se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të ligjit.
Sepse, me anë të ligjit, vdiqa për ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Hape, o Zot, zemrën tonë,
që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja

Ì Ungjilli Lk 7, 36 – 8, 3

Për njerëzit të hash në të njëjtën tavolinë do të thotë të takohesh, të kesh një dialog, të mësosh të njihesh, të vendosësh bazat për një miqësi që zgjat, duke iu dhuruar njëri-tjetrit.
Por, në drekën në të cilën merr pjesë Jezusi, të ftuarit, i flasin me urrejtje në zemër. Hyn në sallë një prostitutë që ndez situatën: të pranishmit gjykojnë keq jo vetëm Jezusin, por edhe gruan, sepse janë të mbyllur në hipokrizinë e tyre.
Por Jezusi e mikpret dhe pranon prej saj gjeste dashurie.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, zuri vend pas tij, te këmbët e tija, dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.
Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”
Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka të të them.” “Fol, Mësues!” – iu përgjigj ai. “Një huadhënës – vazhdoi Jezusi – kishte dy detyrës. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë dinarë. Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta duajë më fort?” Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilit i fali më shumë.” “Mirë pleqërove!” – i tha Jezusi.
Dhe, si u suall kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, qysh se hyri, nuk pushon të m’i puthë këmbët. Ti nuk ma leve kryet me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!”
Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendojnë në vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!” Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të dymbëdhjetët dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit e nxënësve.
Fjala e Zotit.
Programin e plot kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund ta dëgjoni edhe këtu.........RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama