HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Feja dhe dialogu >  2013-06-14 18:24:47
A+ A- Printo artikullin



Mbretëria e Bashkuar. Kardinali Toran: mëshira, vlerë e përbashkët e kristianizmit e hinduizmit.



Hinduizmi dhe krishterimi kanë një thesar me vlera të përbashkëta, ndërmjet të cilave, dhembshuria e mëshira mund të jenë nga më të rëndësishmet. Këtë pohoi kardinali Zhan Lui Toran, duke vizituar Tempullin e parë tradicional Hindu në Evropë, Baps Shri Swaminarayan Mandir, që ngrihet në Neasden, në veri të Londrës.
Kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i dikasterit papnor për Dialogun Ndërfetar, vijon vizitën në Mbretërinë e Bashkuar, për të forcuar marrëdhëniet e mira ndërfetare në këtë vend e për të treguar se miqësia ndërmjet feve është parakusht për sigurimin e paqes, siç u shpreh Papa Benedikti XVI në fjalimin drejtuar Kuries Romake për Krishtlindjen 2012. Gjatë vizitës, kryesisht në Londër e Birmingam, Hirësia e tij po takohet me bashkësitë Sikh, Xhiainiste e Hinduiste në vend e po viziton qendrat kryesore të kultit. Takimi i sotëm u përqendrua mbi temën: “Katolikë e hinduistë; rëndësia e përhershme dhe praktika e dhembshurisë”. Në një ças krize shoqërore dhe ekonomike, si ky që po kalojmë, pohoi kardinali Toran, të mendosh për konceptin e dhembshurisë, ka një rëndësi të dorës së parë, sepse duhet rizbuluar vlera e mëshirës në jetën personale e kolektive, si mjet për ruajtjen dhe promovimin e paqes. Dhembshuria, kur shndërrohet në interes aktiv për vuajtjen e të tjerëve, mund të quhet mëshirë, ndjenjë, që zë kryet e vendit në fenë e krishterë e që Papa Françesku po e thekson vazhdimisht në fjalimet e homelitë. Duke kujtuar Mahatma Gandin, kardinali Toran nënvizoi se dhembshuria gjen shprehjen e vet më të natyrshme në praktikën e mospërdorimit të dhunës, nga e cila Gandi u frymëzua gjatë gjithë jetës së tij.
Kardinali Toran theksoi edhe se dialogu ndërfetar duhet t’i shërbejë njohjes dhe respektit reciprok të traditave të ndryshme fetare, që të krijojë, kështu, për të gjithë, kushtet e një jete në paqe e liri.
Më pas Kardinali Toran mori pjesë edhe në takimin ndërfetar të lutjes, titulluar “Së bashku, në lutje për paqen”, që u kremtua në Katedralen e Uestminsterit. I pranishëm, ndërmjet tjerëve, edhe Nunci Apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, kryeipeshkvi Antonio Menini. Vizita do të përfundojë me Meshën, kryesuar nga kardinali Toran, në Katedralen londineze të Uestminsterit, të dielën e ardhshme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama