HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-14 15:40:16
A+ A- Printo artikullin



Papa: nëse i krishteri është vërtetë njeri i përvujtë, fuqia e Zotit është në shpirtin e tij.



E vetmja mënyrë për ta marrë me të vërtetë dhuratën e shëlbimit të Krishtit, është të pranosh se je i ligshtë e mëkatar, duke shmangur çdo formë vetëjustifikimi. E pohoi këtë Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së sotme, kremtuar në Kapelën e Shën Martës, në Vatikan. Me Papën bashkëkremtuan prefekti e sekretari i Kongregatës për Klerin, kardinali Mauro Piaçenca dhe kryeipeshkvi Çelso Morga Iruzubieta, të shoqëruar nga meshtarët e personeli i dikasterit. Të pranishëm në Meshë edhe kardinali Gjuzepe Bertelo, ipeshkvi i Humahuaka në Argjentinë, imzot Pedro Olmedo Rivero dhe imzot Benjamin Almoneda, ipeshkëv nderi i Daet, në Filipine.

I vetëdijshëm se është enë balte, e megjithatë rojtar i një thesari të madh, që iu dhurua krejt falas. Ky është ndjekësi i Krishtit përpara syve të Zotit. Papa Françesku e mori shtytjen për reflektimin e sotëm nga Letra, përmes së cilës Pali ua jep këtë shpjegim të krishterëve të Korintit. Që të gjithë ta kenë të qartë se pushteti i jashtëzakonshëm i fesë është vepër e Zotit, shpjegoi Pali, ai u zbraz në njerëz mëkatarë, në enë balte. Por pikërisht nga lidhja ndërmjet nesh, mëkatarëve të varfër dhe hirit e pushtetit të Jezu Krishtit, vërejti Papa, gurron dialogu i shëlbimit. E ky dialog duhet t’i rrijë larg çdo lloj vetëjustifikimi, duhet të jetë ashtu si jemi ne vetë:
Pali foli shumë herë, si ta kishte refren, për mëkatet e veta. 'Po ju them këtë: unë, që isha persekutues i Kishës, që e përndoqa..’. Pali rikthehet e rikujton pambarimisht mëkatin, ndjehet mëkatar. Por edhe në atë çast nuk thotë: ‘Kam qenë, por tani jam shenjt’, jo, nuk e thotë. Përkundrazi, thotë: kam një ferrë të shejtanit në korpin tim. Na tregon ligështinë e vet, mëkatin e vet. Është mëkatar, që pranon Jezu Krishtin, që dialogon me Jezu Krishtin”.
Kyçi, theksoi Papa, është përvujtëria. E tregon vetë Pali. Ai e pranon publikisht, vijoi Papa Françesku, shërbimin që ka kryer si Apostull, i dërguar nga Jezusi. Por kjo nuk i jep të drejtë t’i fshehë mëkatet e veta:
E ky është model i përvujtërisë për ne, priftërinjtë; ne, meshtarët. Nëse ne mburremi vetëm me karrierën tonë e asgjë më, përfundojmë në gabim. Nuk mund ta kumtojmë Krishtin Shëlbues, sepse nuk e ndjejmë në fund të shpirtit. Duhet të jemi të përvuajtur, me përvujtëri të vërtetë, me emër e mbiemër: ‘Unë jam mëkatar për këtë e këtë e këtë.’ Siç bën Pali: ‘Persekutova Kishën’, siç bën ai, mëkatar konkret. Jo mëkatar me atë përvuajtëri, me atë fytyrë, që duket si fytyrë figureje, apo jo? Eh, jo përvujtëria duhet të jetë shumë më e fortë!”.
Përvujtëria e meshtarit, përvujtëria e të krishterit është konkrete, vijoi Papa Françesku, për të cilin, nëse i krishteri nuk arrin t’ia bëjë vetes e as Kishës këtë rrëfim, diçka nuk shkon. E nëse nuk shkon i pari ta bësh rrëfimin tënd, do të thotë se nuk mund ta kuptosh as bukurinë e shëlbimit, që na çon tek Jezusi:
Vëllezër, ne kemi një thesar: këtë të Jezu Krishtit Shëlbues. Kryqi i Jezu Krishtit, ky është thesari, për të cilin krenohemi. Por, e kemi në një enë balte. Të krenohemi edhe për rrëfimin e mëkateve tona. E kështu dialogu është i krishterë e katolik: konkret, sepse Shëlbimi i Jezu Krishtit është konkret, Jezu Krishti nuk na shëlboi me një ide, me një program intelektual, jo! Na shpëtoi me korpin e vet, me konkretësinë e mishit e të gjakut të vet. U përul, i bërë njeri, mish e gjak, deri në fund të fundit. Por mund ta kuptojmë, mund ta marrim, vetëm në enë balte”.
E edhe Samaritania, që e takon Jezusin e, pasi i flet, u tregon bashkëfshatarëve më parë mëkatet e veta, e pastaj takimin me Zotin, sillet njëlloj si Pali. Unë besoj, vërejti Papa Françesku, se kjo grua duhet të jetë në qiell, sepse, siç thotë Manzoni: “Nuk kam gjetur askund që Zoti të ketë nisur një mrekulli, e të mos e ketë përfunduar mirë”. E kjo mrekulli, që Krishti e nisi, sigurisht duhet të ketë përfunduar mirë në qiell. T’i lutemi Hyjit, përfundoi Papa të na ndihmojë të jemi enë balte, për të mundur ta ruajmë e ta kuptojmë misterin e lumnueshëm të Jezu Krishtit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama