HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-14 17:10:49
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku jezuitëve të ‘Civiltà Cattolica’: ndërtoni ura me mendje e zemër të hapur.



Dialog, gjykim, kufi. Mbi këto tri fjalë u mbështet Papa Françesku gjatë bisedës që bëri sot paradite me bashkësinë e revistës së njohur të jezuitëve “Qytetërimi Katolik” (Civiltà Cattolica”), themeluar në vitin 1850. Shkrimtarëve të revistës, që del çdo pesëmbëdhjetë ditë, drejtuar nga atë Antonio Spadaro, Papa u kërkoi të jenë njerëz të vijës së parë të kufirit, të impenjuar në ndërtimin e urave, jo të mureve. Prej këndej, i nxiti të dialogojnë edhe me ata, që nuk besojnë në fenë e krishterë.
Nga ana e Shoqërisë së Jezuitëve, Papën e përshëndeti eprori i përgjithshëm, atë Adolf Nicolás.
“Jam i sigurt se mund të mbështetem tek ju”. Është një nga fragmentet e fjalimit të Françeskut, që flet vetë për atmosferën e këtij takimi të veçantë, i pari i Papës së parë jezuit, me revistën e jezuitëve, për antonomazi, pra me ‘Qytetërimin katolik”. Papa Françesku, duke ndjekur ritmin tresh injacian, e përqendroi gjithë fjalimin mbi tri fjalë, si tri shtylla; dialog, gjykim, kufi. Dhe i nxiti menjëherë sivëllezërit të mbajnë qëndrim të ashpër kundër hipokrizive, fryt i zemrave të mbyllura, të sëmura, por pa ngritur mure:
Detyra juaj kryesore nuk është të ndërtoni mure, por ura: të dialogoni me gjithë njerëzit, edhe me ata, që nuk besojnë në fenë e krishterë, por kanë kultin e vlerave të larta njerëzore, e edhe me ata që i kundërvihen Kishës dhe e persekutojnë në mënyra të ndryshme” (Gaudium et Spes).
Të dialogosh, vërejti në vijim, do të thotë të jesh i bindur se tjetri ka diçka të bukur për të thënë, pa rënë, natyrisht, në relativizëm. E shtoi se për të dialoguar, duhet të zbutet mbrojtja e të hapet porta. E pikërisht për këtë është e thirrur revista “Qytetërimi Katolik”, edhe për të dhënë kontributin e vet në formimin e qytetarëve, që e kanë për zemër përparimin e të gjithëve e që punojnë për të mirën e përbashkët.
Në vijim Papa vuri theksin mbi përmasën e gjykimit të shëndoshë, duke vërejtur se pyetjet e mëdha shpirtërore sot janë më të mprehta se kurrë e se duhet të dalë dikush që t’i shpjegojë e t’i kuptojë. Me inteligjencë të përvuajtur e të hapur, tha, duke cituar Shën Injacin e Lojolës, kërkojeni e gjejeni Zotin në të gjitha sendet. Theksoi edhe se një nga thesaret e jezuitëve është pikërisht gjykimi i shëndoshë shpirtëror, që kërkon ta njohë praninë e Shpirtit të Zotit në realitetin njerëzor e kulturor. Pa harruar se për ta kërkuar Zotin në të gjitha sendet, janë të nevojshme “studimi, ndjeshmëria, përvoja”:
“E gjithë kjo kërkon mendje e zemër të hapur, duke e shmangur sëmundjen shpirtërore të vetëvlerësimit. Edhe Kisha kur vlerëson vetëm vetveten, sëmuret, plaket. Syri ynë, i ngulur fort te Jezu Krishti, duhet të jetë profetik e dinamik drejt së ardhmes: në këtë mënyrë, do të jeni gjithnjë të rinj e plot guxim në leximin e ngjarjeve”.
Fjala e tretë, mbi të cilën u ndalua Papa, ishte ‘kufi’. Shkëputja e kulturës nga Ungjilli, vërejti Ati i Shenjtë, është pa dyshim dramë; e ja, atëherë, një nga detyrat e ‘Civiltà Cattolica’, është pikërisht ta shërojë këtë sëmundje. E duke kujtuar fjalët e Palit VI dhe të Benediktit XVI për Shoqërinë e Jezuitëve, i nxiti etërit e revistës të jenë të pranishëm në fushat më të vështira, në udhëkryqet e ideologjive, në llogoret shoqërore.Vendi, që ju përket, pohoi, janë vijat e para të kufijve:
Ju lutem, jini njerëz të vijave të kufijve, me atë aftësi, që vjen nga Zoti (cfr 2Kor 3,6). Në botën e sotme, që është subjekt i ndryshimeve të stuhishme e që tronditet nga çështje me rëndësi të madhe për jetën e fenë, është urgjent impenjimi i guximshëm për të edukuar njeriun me një fe plot bindje e pjekuri, të aftë për t’i dhënë kuptim jetës e përgjigje bindëse, atyre që janë në kërkim të Zotit”.
Duhet ta mbështesni veprimtarinë e Kishës në të gjitha fushat e misionit të saj. ‘Qytetërimi Katolik’, theksoi Papa, këtë vit u përtri e i arrin lexuesit e vet edhe në rrjetet shoqërore:
“Edhe këta janë kufij, ku jeni të thirrur të veproni. Vijoni në këtë rrugë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama