HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-14 18:03:35
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës



E diel 16 qershor, Kisha katolike kremton të dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 16 qershor kalendari kujton shenjtorët shën Kuiriku dhe shën Gjulieta, martirë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na flet mbi faljen e Zotit. Siç rrëfen Ungjilli i kësaj së diele, Jezusi është në sofrën e një farizeu, e fal një grua mëkatare, që përballet me përçmimin, me përbuzjen nga ana e të pranishmëve në gosti, po ajo e cila tregon me gjeste të qarta vullnetin e vet të prerë për të shpëtuar. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.
Të hënën më 17 qershor përkujtojmë shenjtorët Biaxho e Diogjeni, të dy martirë. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona. Liturgjia na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti.

Të martën më 18 qershor, përkujtohet shën Marku e Marçeliani, martirë romakë dhe shën Marina. Na kujtojnë se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të mërkurën më 19 qershor kalendari përkujton shën Romualdin, abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazo e Protazo, martirë milanezë. Qielli shpall drejtësinë e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.

Të enjten më 20 qershor kalendari kujton shën Silverin papë e martir. Liturgjia na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.
Të premten më 21 qershor, kalendari kujton shën Luigj Gonzagën, jezuit, pajtor qiellor i rinisë katolike. Jezu Krishti, nga i pasur u bë i varfër, për të na pasuruar ne me varfërinë e tij.

Të shtunën më 22 qershor, përkujtohet shën Paolini, ipeshkëv i Nolës; shën Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit e shën Tomas More, martirë anglezë; shën Flavio Klementi, konsull romak, martir dhe i Lumi Inoçenci V, papë. Këta na kujtojnë mësimin e Jezusit mbi thesarin e vërtetë, për të cilin mund të krenohemi, e për dritën e vërtetë, për të cilën ia vlen të shkrish gjithë jetën, me bindjen se Zoti është pranë nesh në orën e provës.

Të dielën që vjen me 23 qershor Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 12-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 23 qershor kalendari kujtohet shën Jozef Kafasi, meshtar torinez dhe shën Zakaria e shën Elizabeta, prindërit e shën Gjon Pagëzuesit.
Liturgjia e festës na kujton se pasuria jonë e vetme është dashuria e Zotit. Ne, që punojmë çdo ditë për vete e për familjet, Jezusi na kujton se duhet të kemi besim në Hyjin, i cili i njeh nevojat tona e është gjithnjë gati të na i plotësojë në kohën e duhur.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama