HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-14 17:24:58
A+ A- Printo artikullin



Shtegtimi kardinalit Filoni në Emiratet Arabe: “Të përtërihet feja, duke mundur tundimet, që vijnë nga kultura të ndryshme”.



Ju përfaqësoni larminë e njerëzve, për të cilën flasin ‘Veprat e Apostujve’ në ditët e Rrëshajëve”. Të gjithëve ju sjell përshëndetjet dhe bekimin e Papës Françesku, që më siguroi se ndjehet shumë pranë jush, me dashuri e nderim të posaçëm”. Me këto fjalë e nisi kardinali Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, homelinë e Meshës, kremtuar më 12 qershor në kishën kushtuar Shën Jozefit, në Abu Dhabi. Kardinali kujtoi posaçërisht situatën në të cilën jetojnë emigrantët: “E di se ju jeni nga vende të ndryshme, disa nga të cilat i njoh mirë, sepse kam kaluar shumë vite nga jeta si meshtar e si ipeshkëv, duke u mësuar t’i vlerësoj e t’i njoh kulturat tuaja. Sot ju jetoni këtu, në një tokë, që ju krijon kushte të punoni e të fitoni bukën e gojës, për vete e për familjet tuaja. Është një aspekt i rëndësishëm, sepse në jetë të gjithë jemi paksa emigrantë. Pastaj jetoni në një tokë të dashur për Islamin, fe me të cilën ne, të krishterët, kemi të përbashkët parimin e një Zoti të vetëm, adhurimin e të Tejetlartit dhe vlerën e lutjes. Këtu mësoheni ta jetoni bashkëjetësën ndërfetare, të bazuar mbi respektin reciprok e bashkëpunimin në shumë aspekte”.
Kardinali Filoni i inkurajoi besimtarët, duke u kujtuar impenjimin e bashkësisë: “Sot nuk mund të jesh i krishterë thjesht për arsye se u linde në një familje të krishterë. Kjo vlen shumë më tepër për ju, që jetoni në një tokë të huaj. Çdo ditë duhet ta përtërini fenë, duke e vënë Zotin në vend të parë e duke i mundur tundimet, që vijnë nga kultura të ndryshme. Provat, që duhet të përballoni, nganjëherë janë të rënda. Tundimi për ta lënë mënjanë fenë është gjithnjë i pranishëm, e përgjigjja që i jepni Zotit duhet pohuar vazhdimisht!”.
Gjatë vizitës së tij në Emiratet Arabe, kardinali Filoni u takua me motrat komboniane dhe rregulltarë të tjerë, që kryejnë misionin baritor në vikariat, ndërsa sot, në Ras Al Khaimah, ngjarja kryesore e shtegtimit: kushtimi i Kishës së re kushtuar Shën Andout të Padovës. Me ndërtimin e kushtimin zyrtar të Kishës së re, arrin në tetë, numri i vendeve të kultit katolik në shtatë Shtetet e federatës së Emirateve. Vikariati i Arabisë ka 2, 5 milion katolikë, me 90 kombësi, kryesisht aziatike, ardhur sidomos nga Filipinet, India, Sri Lanka, Bangadeshi e Pakistani.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama