HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-06-16 17:36:30
A+ A- Printo artikullin



Iran: fiton kandiati i moderuar-reformist Hassan Rohani



Hassan Rohani është president i ri i Republikës Islamike të Iranit. Njoftimin e dha Ministria e Brendshme në kanalin televiziv të Shtetit. Kandidati i moderuar, i mbështetur nga fronti reformist, fitoi më se 50% të votave, duke zënë, kështu, vendin e presidentit që në turnin e parë. “Zgjedhjet presidenciale janë votëbesim në Republikën Islamike”, pohoi prijësi më i lartë, Ajatollah Ali Khamenei.
Për rezultatin e rëndësishëm të këtyre votimeve, pyetëm Farian Sabahin, pedagog i historisë së vendeve islamike pranë Universitetit të Torinos:

Përgjigje: - Hassan Rohani përfaqëson kthimin e klerit shiit, në krahasim me teoritë e ish-presidentit Ahmadinexhad, që duke shkelur normat kolektive, hyri në konflikt me klerin shiit. Rohani duket se fitoi falë deklaratave të tij në favor të të drejtave shoqërore të grave, të drejta shoqërore, jo ligjore e kundër rendit policor, që i frikësoi të rinjtë, sidomos universitarët, të cilët edhe i kërcënoi tepër gjatë viteve të fundit.

Pyetje: - Numri i votuesve ishte shumë i lartë, rreth 80 %, edhe pse shumë druheshin se do të ndodhte e kundërta. Sa ndikoi kjo mbi rritjen e reformistëve?

Përgjigje: - Numri i votuesve ishte i lartë për dy arsye: vota është rruga e vetme për ta ndryshuar situatën – kur nuk ka manipulime - por edhe rrugë për t’i treguar botës se iranianët nuk janë ashtu si mendohet, domethënë, qytetarë të një vendi, që përmendet për të keq. Iranianët e ndjejnë vetën në një skutë bote, thyer më dysh nga masat ndëshkimore ndërkombëtare, pasojë e programit bërthamor. E në këto kushte nuk munden as t’u dërgojnë para fëmijëve të tyre, që studiojnë në universitetet e huaja, sepse sanksionet godasin edhe sektorin bankar. Nuk duhet nënvleftësuar, pastaj krenaria e një populli, që jo gjithnjë shkon pas udhëheqësve të vet. Por që, përballë presionit perëndimor, nuk ka rrugë tjetër, veçse të formojë një front të vetëm me liderët e tij.


Pyetje: - Konservatorët paraqitën në këto zgjedhje pesë kandidatë, nga gjashtë, që ishin gjithsejt. Asnjë prej tyre nuk qe aq bindës sa të fitonte besimin e masave?


Përgjigje: - Këto zgjedhje të kujtojnë paksa ato të vitit 1997, kur pati fituar reformatori Mohammad Khatami, ndërsa të gjithë mendonin se do të fitonte konservatori Nateq- Nouri i cili, gjatë fushatës elektorale mori guximin të pohojë se do t’i mbulonte vajzat që të mitura. Rol të dorës së parë në këto zgjedhje luajtën, pa dyshim, deklaratat e kandidatit reformator Rohani i cili, pastaj, ishte i vetmi që mund të fitonte miratimin e përbashkët të centristëve e të të moderuarve. Nuk kishte kundërshtar, as alternativa, e kjo ndikoi në mbështetjen e dy ish-presidentëve, Khatami e Rafsanjani: njëri nuk u paraqit në këtë garë elektorale, ndërsa tjetri nuk u pranua.

Pyetje: - A mendoni se ky rezultat zgjedhor do t’i shtendosë marrëdhëniet e tendosura ndërmjet prijësit më të lartë e reformistëve e se këto marrëdhënie duhen rishikuar....

Përgjigje: - Besoj se Rohani mori pjesë në këtë garë elektorale, sepse këtë e deshi lideri më i lartë. Të mos e harrojmë biografinë e panjollë të Rohani-t: është 64 vjeç, anëtar i klerit me çallmë të bardhë, njeri i regjimit, i cili në vitet ’60 pati kritikuar Shahun, duke u burgosur për këtë qëndrim. Për 20 vjet rresht ka qenë deputet i Republikës Islamike. Nga viti 1999 është anëtar i Asamblesë së specialistëve e edhe negociator për problemin bërthamor. Nuk ofron rrugëzgjidhje konkrete për problemet e vendit, posaçërisht për problemet ekonomike e nuk duhet të harrojmë edhe faktin se i vëllai është një nga figurat më në shenjë të shërbimeve sekrete iraniane. Me një fjalë, është njeri i sistemit.

Pyetje: - Prej këndej, shumë larg nga personalitete si Khatami, për shembull....

Përgjigje: - Po. Pa dyshim. Khatami interesohej më shumë për problemet ekonomike – kishte qenë ministër i kulturës - e, të mos harrojmë edhe se në çaste të rëndësishme, si protestat studentore të korrikut 1999, Khatami nuk mbajti qëndrim në mbrojtje të studentëve. Përkundrazi, bëri një hap mbrapa. Nuk duhet të harrojmë edhe se këta njerëz kanë lidhje farefisnore me prijësin më të lartë, ose mbështeten prej tij, përndryshe nuk do të kishin mundur as të paraqiteshin si kandidatë.

Pyetje: - Cilat janë sfidat e para që duhet të përballojë presidenti i ri?

Përgjigje: - Problemet kryesore të Iranit janë izolimi ndërkombëtar dhe masat ndëshkimore për qëndrimin ndaj programit bërthamor. Politika e jashtme dhe politika bërthamore janë privilegj i liderit më të lartë e jo i presidentit të Republikës. Presidenti i ardhshëm duhet të merret së pari me gjendjen ekonomike. Vendi është në krizë: valuta vendase Riyāl ka humbur 40% të vlerës, në krahasim me dollarin; inflacioni e papunësia janë ndër yje, ndërsa aftësia blerëse e iranianëve, krejt përtokë. E kjo ushqen pakënaqësinë. Për të përmirësuar ekonominë, presidenti i ri duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me liderin më të lartë në politikën e jashtme e në atë bërthamore. Duhet të krijojë përshtypjen e një vendi më të moderuar, më pak ekstremist, sepse kjo ka rëndësi edhe për ekonominë. Pastaj duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë edhe politikës ekonomike si dhe mënyrës së përdorimit të fondeve të lëna mënjanë për projekte të posaçme. Sepse një nga problemet më të mprehta me Ahmadinexhadin ishte pikërisht ky: përdorte fondet e ruajtura, për t’u shpërndarë para e për t’u krijuar një sërë lehtësirash ndjekësve të tij besnikë, që e ndiqnin pas pa fjalë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama