HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-21 17:10:17
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 12-të gjatë Vitit Kishtar "C"



Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
“Ju, kush mendoni se jam unë?”. Është pyetja që Jezusi u drejtoi nxënësve të tij e cila përshkon leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së kësaj së diele. Përgjigjen tonë mbi Jezu Krishtin, mund t’ia delegojmë të tjerëve apo ta japim me fjalë të formuluara nga doktrina apo katekizmi. Çdo besimtar, secili prej nesh, në saje të pagëzimit është i thirrur të thotë me jetë se kush është Jezusi për të.
Duke qëndruar në udhën e Tij, duke mohuar veten, duke drejtuar vështrimin ndaj Tij ne mësojmë ta njohim e të zbulojmë në Të tiparet e Hyjit të mëshirshëm, plot përdëllim, të Hyjit të kryqëzuar e të ngjallur, që ka dhënë gjithçka, edhe jetën për ne.
Pyetja mbi identitetin e Jezusit, që është në qendër të pjesës së ungjillit të kësaj së diele (Lk9,18-24), është pyetje që karakterizon tërë kërkimin njerëzor dhe fenë e krishterë. Kur ne rrëfejmë se Jezusi “është Krishti i Hyjit”, do të thotë manifestimi apo shfaqja e tij, një rrëfim të tillë nuk mund ta shkëpusim nga mundimet e ngjallja e Tij. Feja e krishterë lëviz gjithmonë ndërmjet kundërshtive të thella, ndërmjet kufizimit e pafundësisë, ndërmjet mjerimit njerëzor e madhështisë hyjnore. Të besosh në Zotin do të thotë të kërkosh në Hyjin unitetin, pikën e bashkimit ndërmjet kundërshtive.
Kush është Krishti? Është pyetja që përsëritet shpesh në ungjijtë. Profecia e profetit Zakaria është domethënëse dhe e kuptueshme nën dritën e ungjillit: personazhi misterioz i shporuar, për të cilin flet profeti, është Krishti Zot në kryq. Mundimet e tij do të kenë një përfundim të lavdishëm, e falë tij do të derdhet mbi popullin një shpirt hiri e ngushëllimi.
Me Palin Apostull zbulojmë lidhjen jetësore mes Pashkëve të Krishtit e pagëzimit tonë. Pagëzimi na ka përfshirë në Krishtin, në vdekjen e ngjalljen e tij. Falë pagëzimit, të krishterët janë veshur me Krishtin e bëhen bij të Hyjit e gurë të gjallë të Kishës. Dëshmia e Pjetrit, shpallja e mundimeve të Jezusit dhe ftesa për të ndjekur shembullin e tij formojnë një realitet dhe varen njëra nga tjetra. Krishti e ndjek udhën e shënuar nga Hyji, që është udha e Kryqit.
Kushdo që do të jetë me të, duhet ta ndjekë në këtë udhë. Ai nuk u drejtohet vetëm të zgjedhurve, shenjtërve dhe njerëzve të gatshëm në heroizëm. Të gjithë besimtarët janë nxënës të Krishtit, i cili nuk i trajton si shërbëtorë, por si miq. Ai dëshiron që ata ta shoqërojnë në ecjen e tij e të marrin pjesë në vuajtjet e tija. Fati i tij duhet të jetë edhe i tyre, duke mbajtur çdo ditë kryqin e tyre. Jezusi nuk flet për martirizim, që mund të ndodhë vetëm një herë, por për vuajtjet që secili takon në kryerjen serioze të detyrës së vet e të vështirësive të përditshme që duhet të përballohen me durim, falë dashurisë ndaj Tij.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zak 12, 10-11; 13, 1

Po flitet për Mesinë e profeti shpall se Zoti do të japë një shpirt hiri e ngushëllimi e do të bëjë të mundur që banorët e Jerusalemit të pendohen “duke shikuar atë që kanë shporuar”. Koha e shpëtimit varet nga një vuajtje e vdekje misterioze, e njëjtë me atë të Shërbëtorit të vuajtur të Jahveut. Në mirësinë e një të kryqëzuari do të ndodhë shfaqja e Hyjit.

Lexim prej Librit të Zakarisë profet
Kështu thotë Zoti: “Mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit do ta ndikoj shpirtin e hirit e të uratës, e ata do t’i drejtojnë sytë kah unë. Do ta vajtojnë atë që e shporuan, siç vajtohet djali i dishirit, do të gjëmojnë mbi të siç bëhet gjëma mbi djalin e parëlindur. Atë ditë do të jetë gjëmë e madhe në Jerusalem sikurse vaji i Adadremonit, në fushën e Magedos. Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 63
Shpirti im ka etje për ty, o Zot!
----- ----- -----
O Hyj, Hyji im je ti,
qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
----- ----- -----
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
----- ----- -----
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme
do të lavdërojë goja ime.
----- ----- -----
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris
nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
----- ----- -----

Leximi i dytë Gal 3, 26-29
Të bashkojë njerëzit e ndarë nga pengesa ekonomike, sociale e kulturore, është ëndrra e njeriut modern. Pali ofron çelësin: besimin në Jezu Krishtin që mbledh të gjithë njerëzit e realizon premtimin që i është bërë Abrahamit. Një besim i tillë kërkon luftën kundër çdo forme diskriminimi e privilegji, dhe duke njohur në çdo njeri një vëlla.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin. Në të vërtetë ju të gjithë që jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre – grek! Nuk ka më: skllav – i lirë! Nuk ka më: mashkull – femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus! Nëse jeni të Krishtit, jeni pasardhësit e Abrahamit, trashëgimtarë në fuqi të premtimit.
Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Unë ju quajta miq, thotë Zoti,
sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Aleluja. aleluja

Ì Ungjilli Lk 9, 18-24
Jezusi e zbulon identitetin e vet të Mesisë: ai nuk do të jetë një shpëtimtar triumfues, por një shërbëtor që shpëton nëpërmjet vuajtjes. Për të mos u keqkuptuar si Mesia, i detyron nxënësit të heshtin e zbulon fatin e vet – fatin e mundimeve dhe të ringjalljes. Pra Jezusi përkufizon kushtin e nxënësit: ashtu si Mësuesi i tij, nxënësi duhet ta humbasë jetën e vet, pa u turpëruar për Krishtin, sepse mbretëria e Hyjit vjen nëpërmjet kryqit.

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Ndërsa një ditë Jezusi po lutej në vetmi – ishin me të vetëm nxënësit e tij – ai u bëri këtë pyetje: “Kush thonë njerëzit se jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”
“Po ju – i pyeti atëherë ata – kush mendoni se jam unë?” Përgjigji Pjetri: “Ti je Mesia i Hyjit!”
Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt. E vazhdoi: “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.” Mandej u drejtua të gjithëve: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet çdo ditë, dhe le të më ndjekë. Sepse, kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtoj.”
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu...............RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama