HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-06-17 16:21:16
A+ A- Printo artikullin



Prizreni festoi 135 vjetorin e Lidhjes Shqiptare



Në qytetin historik të Prizrenit, në Kosovë, më 10 qershor u festua më shumë veprimtari 135 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtur më 1878.
Në një Akademi Solemne në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetari i komunës, Ramadan Muja, përshëndeti pjesëmarrësit e shumtë, përfaqësues nga trevat etnike shqiptare, duke kujtuar e vlerësuar momentin e rëndësisë së veçantë të themelimit të organizatës politike dhe ushtarake kombëtare, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
"Pas 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, po shënojmë një ngjarje tjetër të rëndësisë së veçantë në historinë kombëtare, 135 vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ishe e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar me synim përmbushjen e programit madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare", theksoi kryetari i komunës së Prizrenit.
Drejtori i Institutit të Historisë në Kosovë, Frashër Demaj, tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kombëtare properëndimore dhe bashkoi të gjithë shqiptarët si ngjarja më e rëndësishme drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Prizren, Akademia Solmene është hapur me Himin Shqiptar dhe Himnin e Kosovës, ndërsa më parë u mbajt edhe seancë solemne në ambientet e komunës në "Shtëpinë e Bardhë", e gjatë ditës do të zhvillohet improvizimi i shkurtër i mbledhjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të mbahet "Ora e Lidhjes", "Universi poetik", si dhe do të shfaqet premiera e dramës "Trenat", e në mbrëmje do të organizohet koncerti festiv i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Shota" në sheshin e Shatërvanit.
Veprimtaritë festive në Prizren përfshijnë edhe festat e qershorit, atë të 14 vjetorit të Lirisë në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me manifestimet e shprehjes së falënderimit e mirënjohjes më të madhe e të përjetshme për hyrjen shpëtimtare të forcave tokësore të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditësh. (nga BaljanWeb).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brenda në Shqipëri, më 10 Qershor, mbush 135 vjet nga formimi i saj (1878). Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.
Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Evropës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjerë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.
Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Evropës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.
Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme "I sëmuri i Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan.
Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama