HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Drejtësia e paqja >  2013-06-17 13:42:57
A+ A- Printo artikullin



Thirrje e Papës për Sirinë, në letrën për G8-ën. Paratë duhet të shërbejnë, jo të qeverisin



Mbledhja e G8-ës të punojë për armëpushimin e menjëhershëm në Siri dhe për fillimin e bisedimeve ndërmjet palëve: kështu shkruan Papa Françesku në një letër, me të cilën i përgjigjet kryeministrit britanik David Kamerun. Ky i fundit, president i turnit i G8-ës, që filloi sot e do të përfundojë nesër në Irlandën e Veriut, i pati shkruar më 5 qershor. Në letrën e tij, Kamerun paraqiste përparësitë e presidencës britanike të G8-ës për vitin 2013, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me tregun e lirë ndërkombëtar, transparencën e qeverive dhe të protagonistëve të ekonomisë.
Thirrja e Papës argjentinas u drejtohet të mëdhenjve të botës, që t’i kthejnë sytë nga Lindja e Mesme, e sidomos nga Siria, duke mos menduar thjesht si të ndalojnë luftën, por si të ndërtojnë paqen. Ky është kusht i domosdoshëm për mbrojtjen e grave, të fëmijëve e të viktimave të tjera të pafajshme, është premisë për zhdukjen e urisë, nënvizon Ati i Shenjtë. Veprimtaria politike dhe ekonomike, shton Papa, duhet të ketë në qendër njeriun, pasi qëllimi i saj është t’u shërbejë njerëzve, duke filluar nga më të varfërit e më të brishtët. Politika dhe ekonomia, thekson Papa Bergolio në letrën për G8-ën, “nga njëra anë, duhet të lejojnë shprehjen më të lartë të lirisë e të krijimtarisë individuale e kolektive dhe, nga ana tjetër, duhet të garantojnë përdorimin e tyre me përgjegjësi e solidaritet, duke u kujdesur veçanërisht për më të varfërit”.
Pastaj, Papa ndalet në nevojën e zhdukjes së urisë e në sigurimin e ushqimit, duke kujtuar se mirëqënia materiale e shpirtërore e njeriut duhet të jetë pikënisja e çdo zgjidhjeje politike dhe ekonomike. Njëkohësisht, ajo është masa për të kuptuar sa të frytshme dhe etike janë vendimet e marra. Kriza aktuale botërore tregon se etika nuk mund të ndahet nga ekonomia, është pjesë e saj. Prandaj, shton Ati i Shenjtë, çdo masë, si ato për të zgjidhur problemet urgjente, ashtu edhe masat afatgjata, duhen marrë duke pasur parasysh etikën e së vërtetës. “Paraja e mjetet e tjera duhet të shërbejnë e jo të qeverisin – e mbyll letrën Papa Françesku – solidariteti falas e pa interes është çelësi për funksionimin e mirë të ekonomisë globale”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama