HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-06-17 15:26:35
A+ A- Printo artikullin



Turqi: polemika për përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë



Turqia përfshihet nga polemikat për përdorimin e tepruar të forcës kundër manifestuesve të sheshit Taksim. Vetëm dje, janë arrestuar 600 vetë, ndërsa mediat transmetojnë imazhe, ku shihet qartë përdorimi i hidrantëve dhe i gazit lotsjellës. Ministri i brendshëm e deklaroi “të paligjshme” grevën e sotme të dy sindikatave të mëdha, që donin të protestonin kundër dhunës së policisë. Kryeministri Erdoan, ndërsa kërcënon se mund të disllokojë ushtrinë, e quan shpërndarjen e manifestuesve nga sheshi Taksim, si mbrojtje të demokracisë turke. “Nuk e njoh Parlamentin Evropian”, deklaroi ai sot, duke iu referuar rezolutës kritike të javës së kaluar. Të dëgjojmë të dërguarin e gazetës italiane “La Repubblica” në Stamboll, Marko Ansaldo:
Turqia është e ndarë më dysh: një pjesë shtrëngohet rreth liderit të vet, që ka vlera fetare të fuqishme, të cilat pastaj bëhen ligje të shtetit. Ky është synimi i Erdoanit, të cilit i kundërvihet pjesa tjetër e Turqisë, më demokratike, më afër Perëndimit, sigurisht më laike, që, megjithëse 99% myslimane, nuk dëshiron të jetojë nën diktat, sidomos përsa i përket fesë.
Pse kryeministri Erdoan kritikon edhe gazetarët e huaj?
Erdoan bën gjoja, ose vërtet nuk e kupton cila është atmosfera në shesh. Atëherë, ç’bën? E tregoi dje, kur në manifestimin pro tij në periferi të Stambollit, u kap jo vetëm me opozitën, por sidomos me mediat. E meqë ato lokale, fatkeqësisht, censurohen, kritikoi mediat e huaja. Por edhe mediat e vogla turke, radiot, Twitter-i, rrjetet shoqërore… po i mbulojnë mjaft mirë ngjarjet. Erdoan po tregon grushtin e hekurt. Problemi nuk është aq Islami, sa autoritarizmi. Njerëzit e quajnë “sulltani”. Të kuptohemi: Erdoan ka merita të jashtëzakonshme. E ka çuar vendin në nivele të mrekullueshme ekonomike, me një Prodhim të Brendshëm Brut, që në vitet e fundit, ka kapërcyer madje, edhe atë të Kinës. Turqia është pikë referimi për Kaukazin, për një pjesë të Lindjes së Mesme e të Veriut të Afrikës, për Ballkanin... Pavarësisht nga vështirësitë, është kandidate për integrimin evropian. Vetëm se tani, Erdoan po tregon se nuk është në gjendje t’i kuptojë ata, që nuk e votojnë. Krerët e kancelarive evropiane kanë investuar shumë politikisht në Turqi, por mendoj se që sot, besojnë më pak në liderin e saj.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama