HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-18 14:48:02
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: kur i falim armiqtë, i ngjajmë Jezusit.



T’i duash armiqtë është e vështirë, por pikërisht këtë na kërkon Jezusi: janë fjalët e Papës Françesku gjatë Meshës së kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se për t’i falur armiqtë tanë, ka shumë rëndësi të lutemi për ta, ta lusim Zotin që t’ua ndërrojë zemrën. Në Meshë bashkëkremtuar me kardinalin Gjuzepe Versaldi, mori pjesë një grup bashkëpunëtorësh të Prefekturës së Çështjeve Ekonomike të Selisë së Shenjtë dhe një grup bashkëpunëtorësh të Muzeve të Vatikanit.

Si mund t’i duam armiqtë tanë? Në homelinë e Meshës së sotme, Papa Françesku bëri pyetje të thekta, duke vënë theksin mbi disa nga dramat më tronditëse të njerëzimit. “Si mund t’i duam ata, që marrin vendime për të bombarduar e për të vrarë njerëz?”, pyeti. E akoma: “Si mund t’i duam ata që, nga dashuria për paranë, i lënë pleqtë pa ilaçe e s’u bëhet vonë fare se kështu i çojnë drejt vdekjes së sigurt? Ose ata, që shikojnë vetëm interesin e tyre, që e ngrenë pushtetin e vet mbi të keqen e të tjerëve?”. S’ka sesi të mos duket tepër e vështirë ta duash armikun, vërejti Ati i Shenjtë, por Jezusi na e kërkon këtë. Liturgjia e këtyre ditëve, vijoi, na propozon pikërisht këtë risi të Ligjit, që solli Jezusi: nga ligji i Moisiut mbi Malin Sinai, tek Ligji i Lumnive. E nënvizoi se të gjithë kemi armiq, pa harruar se edhe ne vetë mund të bëhemi armiq për të tjerët:
Edhe ne shumë herë bëhemi armiq të të tjerëve: nuk i duam! Jezusi na thotë se duhet t’i duam armiqtë! E kjo nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë... Atëherë nisim e mendojmë se Jezusi na kërkon tepër! E se këtë punë duhet t’ua lëmë murgeshave të klauzurës, që janë shenjte; t’ia lëmë ndonjë shpirti shenjt. Por kjo, në jetën e përbashkët, nuk shkon. E duhet të shkojë! Sepse përndryshe ju jeni si publikanët, si paganët. Nuk jeni të krishterë”.
Si mundemi, pra t’i duam armiqtë? Jezusi, tha Papa Françesku, na kujton dy gjëra: mbi të gjitha, të shikojmë Atin, që e bën diellin të lindë mbi të mirët e të këqijtë, e resh shi mbi të drejtë e të padrejtë. Zoti ka dashuri për të gjithë. E pastaj, vijoi, Jezusi na thotë të jemi të përkryer, si i përkryer është Ati ynë Qiellor, t’i ngjasim Atit me përsosurinë e dashurisë. Jezusi, shtoi, i fal armiqtë e tij, bën ç’është e mundur për t’i falur. Nuk mendon fare të marrë hak. Prej këndej, hakmarrja duhet të jetë e huaj për të krishterin. Hakmarrja nuk është e krishterë. Por, si mund të arrijmë, atëherë, t’i duam armiqtë? Duke u lutur. Kur lutemi për atë, që na bën të vuajmë, pohoi Papa, është njëlloj si të vinte Zoti pranë nesh me vajin e shenjtë e të na i përgatiste zemrat për të gëzuar paqen e tij:
“Të lutemi! Këtë na këshillon Jezusi: ‘Lutuni për armiqtë tuaj! Lutuni për ata, që ju persekutojnë! Lutuni!’. E kërkojani Zotit: ‘O Zot, shndërroja zemrën. Ka zemër guri, por ti shndërroja, jepi zemër mishi, që di të ndjejë e të dojë’. Mendojeni, secili në zemër të vet, përgjigjen e kësaj pyetjetje: ‘A lutem për armiqtë? Lutem për ata, që nuk duan të më shikojmë me sy?’. Nëse ti përgjigjesh ‘po’, unë të them ‘Ec përpara në këtë rrugë, lutu edhe më shumë, se je në rrugë të drejtë’. Nëse përgjigja është ‘jo’, Zoti të thotë: ‘Qyqar. Edhe ti je armiku i të tjerëve!’. Të lutemi që Zoti t’ua shndërrojë zemrat. Mund të themi edhe: ‘Po ky s’lë gjë pa bërë, është nëna e të gjitha të zezave, gjë që e varfëron njeriun, e varfëron njerëzimin’. E me këtë argument, na lind dëshira të marrim hak, të ndeshemi syrin për sy e dhëmbin për dhëmb”.
Është e vërtetë, pohoi Papa, se dashuria për armiqtë na varfëron. Por na bën të varfër si Jezusi: kur erdhi mes nesh, u përul e u bë i varfër për ne. Ndokush, shtoi Papa, mund të thotë se kjo nuk është punë që bëhet, ta lësh armikun të të varfërojë. Sipas gjykimit të botës, kjo nuk shkon. Nuk shkon sipas botës, por jo sipas Jezusit, që bën pikërisht këtë rrugë: nga i pasur, që ishte, bëhet i varfër për ne. Në këtë varfëri, në këtë përulje të Jezusit, nënvizoi, është edhe hiri, që na shfajson të gjithëve, na bën të pasur. Është misteri i shëlbimit:“Me faljen, me dashurinë për armiqtë, nuk bëhemi më të varfër: dashuria na varfëron, por kjo varfëri është farë e pjellorisë dhe e dashurisë për të tjerët. Si varfëria e Jezusit, që u bë hir shëlbimi për të gjithë ne, u bë pasuri. Ne, që jemi sot në Meshë, të mendojmë për armiqtë tanë e për ata, që nuk na duan: do të ishte e bukur t’ua kushtonim Meshën atyre: Jezusin, flijimin e Jezusit, për ta, për ata, që nuk na duan. E edhe për ne vetë, që Zoti të na e mësojë këtë dije kaq të vështirë. Por edhe po aq të bukur, sepse na ndihmon t’i ngjajmë Atit, Atit tonë, i cili bën të lindë dielli për të gjithë, të mirë e të këqij. E na bën të ngjashëm me Birin, me Jezusin, që në përuljen e tij u bë i varfër, për të na pasuruar, ne, me varfërinë e tij”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama